XHEVAT MUSTAFA
Lum kush jeton gjatë që të marrë pension të lartë…! Ose: lum kush të mbijetojë pa ngrënë bar, me pension allashqiptar…!
Qysh kur ka nisur qeverisjen e vendit, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, Rama-qeveria ka nisur edhe fushatën manipuluese apo mashtruese me pensionet dhe gjase rritjet e tyre. Edhe gjatë këtyre ditëve të gushtit 2024, më së shumti nga goja e kryeministrit Edi Rama dëgjohet, me disa redaktime apo përditësime, përralla e vjetër me bisht sa gjatësia e tij trupore, se “rritja e pensioneve, sidomos e atyre më të ulëta dhe mesatare, është përparësi apo shqetësim i përhershëm për atë dhe qeveritë e tij!?
Pas, “harresës” në vitet e para të traditës së qeverive PD-Berisha për rritje çdo 1 janar të pensioneve e të pagave, duke pasur parasysh edhe rimbursimin sipas shifrës përkatëse të inflacionit, më pas, më shumë për interes e efekt elektoral dhe manipulues, edhe Rama-qeveria nisi rritjen e pensioneve me përqindje të ulëta e “duke harruar” rimbursimin e plotë sipas nivelit përkatës të inflacionit!? Për më tepër e më keq, edhe kontingjentet e pensionistëve në 6 muajt e parë të vitit 2024 kanë dalë me pensione minimale në rreth 15.000-30.000 lekë, edhe pse shumica e tyre kanë pasur vjetërsi pune e pagese siguracionesh për mbi 35 vjet!? Nga ISSH dhe burime të tjera qeveritare nuk jepen shifra të sakta se sa është “ushtria” e vërtetë e atyre me pensione minimale e mesatare. Megjithatë, nga burime konfidenciale, ka dalë “sekreti” se rreth 40% e pensionistëve në Shqipëri edhe në gusht 2024, domethënë pas 67 vitesh qeverisjesh komunisto-socialiste apo nga një parti, që duhej të kishte si yll polar politikën sociale dhe mirëqenien sa më të lartë të shumicës së popullit, marrin pensione mujore në shifrat 10.000-20.000 lekë!? Merret me mend se kaq i kanë pensionet edhe shumica e qytetarëve dhe fshatarëve të Himarës, që votuan deri në 95% të votave më 4 gusht 2024 për kandidatin e Rama-parti-qeverisë, Vangjel Tavo, në plot fshatra të njohura prej 80 vitesh si bastione të enverizmo-edramizmit!
Edhe pse i kanë pensionet e ulëta dhe kanë 80 vjet që terrorizohen për mungesë rrugësh, dritash, uji të pijshëm, jetesë normale, përsëri ata votuan masivisht për kanditatin e partisë që ua ka nxirë jetë dhe Shqipëri!? Por, edhe që i ka lënë pleqtë në vetmi, sepse bijtë dhe dhëndurët me nuset dhe nipa e mbesa, u kanë ikur rreth 30 vjet më parë e pandërprerë në Greqi e vende të Evropës Perëndimore, deri në Kanada, AMERIKË, Australi…! Përqindja e lartë e votave për PS-rilindjen jo vetëm më 4 gusht 2024, por edhe në proceset zgjedhore të mëhershme nga votues në fshatrat që përfshihen në Himarë të shtyn të mendosh e pyesësh se si ka mundësi t’ia harrojnë dhe falin PKSH-PPSH-PSSH dhe qeverive të saj “gjëmat”, që u kanë bërë apo “ferrin tokësor” për 67 vjet në tërësi e në këto 20 vjet pas 1990-tës e tregohen kaq zemërgur apo të pamëshirshëm ndaj PD-së dhe “të djathtës”, që në fund të fundit kanë qeverisur vetëm 13 vjet ose më shumë se 5 herë më pak…!? Nejse, ta kalojmë këtë çështje të vjetër e “bajate”, sepse prej 80 vitesh është bërë e qartë dhe e kuptueshme se “të majtët” masivisht lumturohen, të thurin e këndojnë vjersha e këngë, kur mashtrohen dhe nëpërkëmben pareshtur e sy më sy, si të verbër, nga partia dhe kryetarët e saj të zemrës. Ashtu si në fshat, nga ish anëtarët e kooperativave dhe fermave bujqësore, edhe një “ushtri” ish punëtorësh në fabrika, uzina, kombinate “të Partisë”, në ndërmarrje më të vogla, shumë vite më parë e deri në 1 korrik 2024, kanë marrë pensione pakëz, më të lartë, por gjithsesi allashqiptar, në rreth 15.000-30.000, që shkaktojnë çudi e tronditje, edhe tek qytetarë e zyrtarë si dhe tek turistë pensionistë nga vende të Evropës Perëndimore.. Duke pasur parasysh apo duke kujtuar se gjatë Rama-qeverive çmimet e të gjitha artikujve ushqimorë, farmaceutikë, higjienikë, kozmetikë, të pajisjeve dhe shërbimeve shtëpiake si zyrtare e shëndetësorë, edhe në spitale shtetërorë…janë rreth 2-3 herë më të lartë se më 2013-tën e “Saliut të keq” e non grata, del lehtësisht mesazhi se edhe shumica e pensionistëve në qytete, me pensione të ulëta e të mesme, nuk mund t’i shtyjnë pa vramendje e pagjumësi 30-31 ditët e 12 muajve të vitit. Njëkohësisht, është llogaritur se rreth 60% e pensionistëve në Shqipëri, të qytetit dhe të fshatit, nuk kanë mundësi financiare të bëjnë qoftë edhe 1 javë pushime në një nga plazhet e Shqipërisë, duke mos e menduar fare për të shkuar në plazhet e Turqisë, Greqisë, Malit të Zi…!? megjithatë, Rama-qeveria, në vend që të disafishojë pensionet minimale, sociale dhe suplementare, duke ridëshmuar se nuk është parti e majtë dhe sociale, në mes qershor 2023 mori vendimin për të rritur 3 fish pensionin e posaçëm!?
Sipas këtij vendimi, vlera e pensionit të posaçëm do të jetë sa dhjetëfishi i pensionit social apo afro sa pensionet minimale të 6- 8 pensionistëve të thjeshtë!? Deri para këtij vendimi vlera e pensionit të posaçëm ishte jo më shumë se katërfishi i pensionit social, pra rreth 30 mijë lekë, ndërsa me vendimin e mes qershorit 2023 shkoi në rreth 80 mijë lekë të reja…! Merret me mend se rritja kaq e lartë e pensionit të posaçëm për 185 “personalitetet më të spikatura në vend” është paramenduar, ideuar, konkretizuar për të favorizuar jo aq nga vlerat dhe meritokracia sa më shumë ato personalitete që e meritojnë 100%, por më së tepërmi ata apo ato që kanë fatin të kenë pasur e të kenë lidhje familjare, miqësore, shoqërore, shkollore, universitare, sportive, partiake…me familje të byroistëve komunistë apo me kryeministrin Edi Rama, që firmos e vulos për përfituesit e pensioneve të posaçme afro 1 milionëshe në lekë të vjetra!?
Të tjerët, që nuk kanë fatin të kenë një fije njohje e lidhje me kryeministrin, për më tepër, si puna ime, që e kanë kritikuar prej vitesh e vazhdojnë ta kritikojnë me fakte e shifra zyrtare, dhuruar nga burime ndërkombëtare apo edhe nga INSTAT-i qeveritar shqiptar, duhet të presin më kot, me vite apo gjithë jetën…! Pra, për Rama-parti-qeverinë janë ca të njerkës e ca të nënës. Vetëkuptohet, se të njerkës janë ata pensionistë të moshuar, më afër vdekjes. Ndërsa të nënës, janë ata që u duhen më gjatë, për vota e fitore të pista, apo të blera e të vjedhura!? Për të lakuriqësuar pa sinqeritetin e saj, ndërsa justifikohet se ndjehet ngushtë apo në pamundësi për rritje të madhe të pensioneve të ulët e të mesëm, Rama-qeveria është e pasur dhe bujare për “ushtrinë” e administratës dhe të disa institucioneve, me peshë të madhe individuale e familjare në betejat elektorale, pra edhe për atë të ardhshme, me shumë gjasa në qershor 2025. Sipas një vendimi të ri të Këshillit të Ministrave, punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024.
Nëse paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror për tremujorin e fundit të vitit 2023 ishte në 87,864 lekë, pas kësaj rritjeje, paga mesatare në shtet të arrijë në 900 euro në muaj. Përfitues nga kjo rritje “bujare” në sektorin e shëndetësisë, do të jenë mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë, mes të cilëve, ka jo pak nga ata që fitojnë në rrugë e mënyra korruptive disa fish më shumë se paga zyrtare mujore. Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor, përfitojnë rritje nga 26-34% të pagës bruto! Për afro 36 mijë punonjës të Sistemit Arsimor Parauniversitar, parashikohet rritje e pagës me 23-36% të pagës bruto. Shtesë në pagë parashikohet edhe për forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qendrore e bashkiake. Merret me mend se nuk do të harrohet kurrsesi edhe “armata” e patronazhistëve…, nga e cila pritet më shumë për të rrëmbyer apo garantuar “fitoren e katërt historike” të Rama-rilindjes!?
Nga bollëku i shifrave, fakteve, argumenteve…nënkuptohet lehtë se edhe rritjet e pagave e të pensioneve nga Rama-qeveria, më tepër se në dobi të rritjes së nivelit të ardhurave mujore e të mirëqenies së shumicës së popullit, janë në funksion apo në kuadër të fushatave zgjedhore e të “fitoreve” si të qëmotit, me vota blerje e vjedhje edhe në mes të ditës e nën hundën e komisionerëve lokalë e të KQZ-së së Celibashit si dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë. Natyrisht, edhe pa harruar për të përrallisur në tribuna dhe media shqiptare ndërkombëtare për “zgjedhje të lira e të ndershme” e për “fitore të pastra e të merituara”!?
Këto ditë në rrjetet sociale u vu re një “bum” njoftimesh, shumica me emra dhe emërtime në anglisht e pa të dhëna identifikuese! Ja disa prej tyre: ATUEI, Amzas, Aump Shop, Course Training…Këta njoftonin për një “rritje marramendase apo çmendëse” me kuadrate sipas viteve të lindjes për rritjen e pensioneve në Shqipëri nga 1 gushti 2024, me indeksin 13.5% dhe me efektet financiare, vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim. Pra, për ushtrinë rreth 700 mijë pensionistësh të para datës 1 korrik 2024, mbetet shprehja popullore: “prit gomar, të mbijë bar!” Kuptohet se “reklamuesit e huaj” janë nga “armata” e patronazhistëve, në shërbim të vazhdueshëm propagandistik, informativ, elektoral…të qeverisjes qendrore dhe atyre lokale dhe jo nga kontingjentet e turistëve nga vende anglisht folës!? Këto njoftime, me synim edhe zbutjen e pakënaqësisë së shumicës së pensionistëve ndaj lënies së tyre për mbi 10 vjet me pensione tepër të ulëta, janë si fishekzjarre për një gëzim që nuk do të përjetohet si i tillë, por më tepër si mashtrim e zhgënjim i ri apo i një radhe 80 vjeçare. Një rritje në 13.5% apo edhe 27% për një pension rreth 10.000 lekë është rreth 1.200- 1.300 lekë ose rreth 2.600 lekë! Ndërsa një rritje për pensionin rreth 20.000 lekë është rreth 2.700-5.400 lekë, duke shkuar në 22.700 -25.400lekë!?
A shtyhet një muaj me jetesë shqiptari e jo evropiano-perëndimori dhe a mund të mendohet për 1 javë pushime në një plazh të lirë me këto pensione dhe me këto çmime në të gjitha tregjet, përfshirë së pari ato për ushqimet, shëndetin(ilaçe, vizita, analiza…jo në klinikat e lagjes), për drita, ujë, internet, televizor, celular…? /Panorama/