Për “elektoratin apatik” dhe qytetarin indiferent

    GËZIM TUSHI 

    Politika ka mundësi në këto zgjedhje, me mençuri sociologjike të vlerësojë patologjinë e rrezikshme të qytetarit indiferent. Një dukuri komplekse socio-politike, që ka shkaqe endemike e të integruara në raportet e politikës me qytetarin. Një apati që zgjerohet dhe në mënyrë evidente, në shoqëri po shfaqet “sinjali refuzimit” elektoral, i cili duhet konsideruar shenjë sintetike e fenomenit që lidhet me zgjerimin e përmasave të “ftohjes politike”, e konvertuar në sasi dhe cilësi në dimensionin e indiferencës elektorale, zgjerimit të marzhit refuzues të qytetarëve që qëndrojnë larg kutive të votimit, duke i mohuar vetes të drejtën themelore dhe të barabartë të votës. Demografikisht dhe nga pikëpamja moshore kjo “sindrome elektorale” nuk mund të neglizhohet, sepse është me dimension shqetësues. Politika profesioniste, politikanët duhet të mendojnë për të gjetur zgjidhje që mund të ndikojnë, të paktën në zbutjen “elektoratit apatik”, të votuesit që për arsye të ndryshme konteston të drejtën elektorale. Herë me refuzim të hapur apo indiferencë të butë, si sjellje elektoralisht të fshehur. Kjo situatë ka shkaqet e veta, me natyrë objektive, por edhe me perceptimet subjektive që lidhen me perceptimin dhe vlerësimin që ka “qytetari apatik” për politikën dhe klasën e saj realizuese. Një fenomen socio-politik që po kthehet në “rreth vicioz”, i cili vjen sikurse thotë filozofi Jurgen Habermas, “…nga dorëheqja prej mungesës së përmirësimeve të dukshme të kushteve të jetës, rrënjoset edhe abstenimi nga zgjedhje në segmentet me status më të ulët të popullsisë”.  Jurgen Habermas, “Transformimi ri i sferës publike dhe politika deliberative”, f. 41

    Ka kaluar një kohë e gjatë, e nevojshme dhe e domosdoshme për të evidentuar sociologjikisht një stratifikim social, shtresor, vertikal dhe horizontal të formacioneve elektorale, që kanë një “unitet të brendshëm” strukturor, por edhe reagim politik të diferencuar ndaj zgjedhjeve politike. Nëse i bëjmë një “prerje diagnostikuese”, do të dallojmë diversifikimin social ndaj zgjedhjeve të individëve dhe shtresave të popullsisë. E para, është shtresa e “elitës urbane”, që nuk është inkorporuar politikisht në mënyrë publike, nuk shfaq hapur ekzibicion, përkatësi politike apo afiliacion elektoral. Këtu janë të përfshirë qytetarë që kanë profesione të sigurta, të paguara mirë, merita sociale të afirmuara, njerëz që në shoqëri kanë emër publik, të cilët shfaqin dukshëm indiferencë të hapur ndaj politikanëve, nivelit të tyre individual dhe diagramës kontekstuale të zhvillimeve politike në Shqipëri. Tipologjikisht kjo kategori përbëhet nga profesionistë, sikurse janë biznesmenët, artistët, punonjësit e bankave, të shoqërisë civile etj.. Vota e tyre në tërësinë e vet është e vështirë të llogaritet në bllok, sepse është e pamundur të diktosh preferencat politike, të cilat mund të konvertohen elektoralisht, ose si qëndrime strategjikisht refuzuese, ose si reagime momentale spontane.

    E dyta, është shtresa e përzierë e qytetarëve të pakënaqur me politikën, performancën qeveritare, të cilët përgjithësisht nuk janë strukturë kompakte, por të individualizuar, të cilët e mbështesin “apatinë politike” me arsye të personalizuara të natyrave të ndryshme, objektive apo subjektive. Kjo është shtresë elektorale “gri”, heterogjene nga përbërja, shumë e vështirë për ta integruar në strukturën e llogarive të përkatësive politike dhe parashikimeve elektorale. Një masë labile, e lëvizshme, fluktuale, e paqëndrueshme deri në fund për vendimmarrjen personale elektorale.

    Tipi i tretë i votuesve është i lidhur me njerëz që kanë shfaqje të hapura të përkatësisë politike, përfshirjes konstante elektorale partiake, që janë kryesisht militantët konsekuentë. Në sociologjinë politike, këta njihen me togfjalëshin “lugina e romantikëve”, nga që janë të qëndrueshëm, besnikë të partive kryesore themelore. Në këtë grupim janë njerëzit e opozitës shqiptare, të “ndarë” apo të “bashkuar” (PD, PR, PL dhe aleatë të tjerë më të vegjël, me pak peshë elektorale), që në mënyrë të vazhdueshme kanë kontestuar politikat qeveritare. Ata kanë qenë të involvuar në protesta antiqeveritare, kanë demonstruar pakënaqësi publike nëpërmjet rrjetit të mediave tradicionale, shtyp, radio, televizion, por sidomos në rrjetet sociale. Homogjeniteti social i kësaj strukture është fare evident, lehtësisht i llogaritshëm. Në këtë “bllok”, por në “krahun tjetër” elektoral janë votuesit e pozitës, që gjithashtu përbën një strukturë të testuar si kompakte, solide, të qëndrueshme, besnike, elektoralisht e vendosur qartë në anën e majtë të dikotomisë tradicionale politike. Kjo shtresë sociale është e përbërë nga individë, grupe e shtresa interesi, të lidhura tradicionalisht me PS-në. E katërta, është masa jo e vogël e njerëzve të lëkundur, të pavendosur për të treguar përkatësi apo simpati politike, por që mbajnë qëndrim negative, refuzojnë të përfshihen si qytetarë në fushatën zgjedhore paraelektorale dhe në votime. Kjo është shtresa sociale, që për arsye nga më të ndryshmet, ka rrezik të vijë akoma më e “trashur” në këto zgjedhje. Po cilat janë shkaqet e dukshme e të padukshme socio-politike të kësaj dukurie? Për fat të keq, te ne nuk ka studime shteruese, sociologjikisht të integruara sociale, demografike, demoskopike e moshore, për të bërë vlerësime elektorale të sjelljes së individëve, shtresave sociale apo brezave lidhur me qëndrimet ndaj politikës dhe zgjedhjeve elektorale. Mungojnë analizat sintetike të shkaqeve, që determinojnë shfaqjen e qëndrimeve elektorialisht refuzuese. Që lidhen herë me tronditjen e bindjes politike, ose në shumë raste shfaqen si reagim, që buron nga ndryshimet thelbësore të botëkuptimit personal të votuesve. Por është e rëndësishme të kuptohet që, “Zgjedhjet demokratike nuk funksionojnë më nëse psh., formohet një rreth vicioz midis jovotuesve të paprivilegjuar dhe mosmarrjes parasysh të interesave të tyre, ose nëse rrënohen infrastrukturat e komunikimit publik…”. Habermas f 71

    Politologu amerikan Sheldon S. Volin, kësaj dukurie i jep një përgjigje therëse. Sipas tij, “…elektorati apatik paraqet një pikturë të zombive të pashpresë, të cilët sillen vërdallë televizorit të pazotë të marrin energji dhe të dalin në votime”. Një sjellje që nuk e quan misterioze, por funksionale, që duhet interpretuar politikisht dhe sociologjikisht. Madje, në mënyrë racionale, për të kuptuar mirë arsyet sociale, ontologjinë politike dhe fenomenologjinë e “elektoratit apatik”. Apatia është qëndrim politik, social dhe njëherësh i personalizuar, i cili nuk ndodh për arsye të çuditshme, apo që nuk mund të kuptohen dhe interpretohen nga politikanët. Duhen parë arsyet, pse e refuzojnë votimin duke mbajtur qëndrim qytetar negativisht ndaj demokracisë. Politologët modern thonë se shkaku themelor është, kur “Votuesit që ndihen të lënë pas dore nuk marrin më pjesë në zgjedhje”. Personalisht mendoj se “apatia elektorale”, po kthehet në veçori shqetësuese. Fenomeni po shfaqet si “anomali politike”, me dimension politik dhe sociologjik, që duhet diagnostikuar për ta zbutur në zgjedhjet që afrojnë. Duhen parë shkaqet objektive dhe arsyet subjektive të këtij qëndrimi, për të kuptuar pse kjo masë e gjerë qytetarësh, sillen në mënyrë refuzuese ndaj zgjedhjeve. Janë të zënë me punë apo indiferentë politikë? Nuk e di, nuk e parashikoj dot sociologjikisht, se cila do jetë kurba sasiore, cilësore dhe struktura sociale e këtij grupimi të nominuar si “elektorat apatik”. Por për një gjë jam i sigurt, apatia elektorale nuk është situatë që shfaqet arbitrarisht dhe pa arsyet e veta. Në esencë, zgjerimi i elektoratit apatik, qytetarit që shfaq hapur indiferencë politike ndaj zgjedhjeve, është pasojë e ftohjes së tyre. Së pari, për shkak të zgjerimit të distancës së politikës nga realiteti social, problemet jetike të njerëzve. Padyshim, “elektorati apatik”, është i vështirë për t’u administruar dhe involvuar në procesin e votimit. Ai nuk mund të tërhiqet lehtë. Shkaku dhe përgjegjësia nuk është më shumë tek qytetari apatik apo indiferent se sa tek fakti, që hapësira politike në kohë elektorale merr karakter butaforik dhe i mungojnë argumentet atraktive konkrete. Politika mund të ketë arsyet e veta, që nuk shqetësohet sa duhet për këtë shtresë të popullsisë elektoralisht refuzuese, që nuk e vlerëson sa duhet si anomali të gjendjes së “shëndetit” të demokracisë shoqërore. Kjo shtresë që nuk e ka zellin e pjesëmarrjes politike, është në të drejtën e vet të heshtjes politike dhe hezitimit elektoral. Sepse “qytetarët do marrin pjesë në zgjedhje politike vetëm për aq sa kohë sa mund të presupozojnë në mënyrë implicite se vota e tyre do të dëgjohet”. Habermas, f. 71

    Por, qytetarët duhet të kuptojnë nga ana tjetër, se shpërdorimi i të drejtës elektorale dhe votimit, nuk është vetëm në dëm të demokracisë, por edhe në disfavor të cilësisë së tyre si qytetar. Shoqëria, politika dhe demokracia shqiptare, sot më shumë se kurrë ka nevojë për “qytetarin aktiv”, të angazhuar. Sociologjikisht nëse e fut veten në “elektoratin apatik”, atëherë do të thotë që je pjesë e asaj shtrese të përbërë, sikurse thotë politologu amerikan Sheldon S. Volin nga “qytetarë indiferentë dhe të rastësishëm”. Ka edhe një arsye kontekstuale që më shumë akuzon politikën dhe politikanët për shfaqjen e kësaj “patologjie elektorale, shoqëruar me rritje të kuotës së skepticimit publik. Shumë njerëz janë mosbesues për eficiencën e politikës. Nuk e di se sa është masa e atyre politikanëve dhe deputetëve, që politikën dhe angazhimin e kanë përdorur si “derë që i ka çuar drejt pasurimit personal”, të paligjshëm. Ndoshta për këtë arsye, fushata mund të bëhet “inkandeshente” duke tërhequr edhe “apatikët” në një atmosferë politikisht deliberative, përmes dialogut, reflektimit me njerëzit e zakonshëm dhe publikë, median dhe shoqërinë civile. Duhet organizuar një betejë inkrementaliste, për të krijuar kushte që qytetari të ndihet i obliguar, të shfaqet në trajtën e qytetarit aktiv, i angazhuar, që merr pjesë në debate formale e informale, që reflekton ndaj problemeve politike në “kutinë e votimit”. “Apatia elektorale”, si çështje e mungesës së kulturës politike, apo formë e shfaqjes së pakënaqësive personale, është shoqërisht dhe politikisht e pashëndetshme. Qoftë për ekzibicion social, skepticizëm, mungesë bindjesh, apo si formë kontestimi. Ama, është e sigurt që “neutraliteti politik”, nuk është i dobishëm për individin, politikën apo shoqërinë. Sociologët e politikës thonë se, nuk është e mundur, që njeriu të jetë me qëndrime dhe arsyetime politike neutrale. Aq më pak në një shoqëri si jona, që plotëson plotësisht kushtet dhe standardet të një shoqërie, e cila sipas filozofit Jasques Ranciere, “është e kryqëzuar fort me politikën”. Problemi është: çfarë do bëjë politika për të tërhequr në këto zgjedhje “elektoratin apatik”, si kusht paraprak për kapërcyer kufirin që ndan optimizmin nga frika, për mënyrën e zhvillimit korrekt të procesit zgjedhor, me rezultate të pakontestuara… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    A çoi TikTok në fitoren e kandidatit ultranacionalist në zgjedhjet presidenciale në Rumani?

    Lajmi i rradhës

    Protestat në Serbi – Njerëzit duan drejtësi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë