PËLLUMB NAKO
Edhe pushteti vendor, edhe IKMT, edhe organe të tjera të menaxhimit të territorit, së bashku me satelitë e blerë posaçërisht për këtë punë, nuk ishin në gjendje të parandalonin apo edhe të ndalonin as nga qielli e as nga toka, uzurpimin e hapësirave publike për qëllime private. Por menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, mjaftoi një thirrje e Kryeministrit dhe gjithçka filloi të lëvizë dhe kudo ndërhyrje. Po ashtu të shumtë, gati të gjithë, pushtetarë e uzurpatorë, gazetarë e punonjës të drejtësisë, u zunë në befasi nga ky kushtrim i shefit të qeverisë.
Aksioni filloi dhe çdo ditë flitet për çlirim të hapësirave publike, prishje ndërtimesh pa leje dhe aty këtu për procedime penale të personave përgjegjës. Momente të tilla nuk do të kishin kuptim pa prerje kokash. Një numër i madh drejtuesish të administratës vendore u detyruan dhe dhanë dorëheqjen. Komentet mund të jenë të shumta. Por thelbi mbetet i thjeshtë dhe fiksohet në dy defekte madhore, ende gangrenë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Nga njëra anë administrata shqiptare, e cila pa përjashtim funksionon vetëm me urdhra nga lart dhe nga ana tjetër popullata shqiptare që ka një lloj prirjeje për të kaluar masivisht në paligjshmëri përballë tundimit për një përfitim personal të çfarëdo lloji.
Administrata shqiptare në përgjithësi, pavarësisht toneve mediatike herë të ashpra e herë tolerante të punonjësve të IKMT, nuk i referohet ligjit në mënyrë ritmike sa herë që ai shkelet. E gjitha kjo me vullnetin e saj të pavarur nga majat e vendimmarrjes. Apatike, me shumë korrupsion brenda saj, ajo lejon që paligjshmëria të marrë përmasa masive. Dëmi është i konsiderueshëm sidomos nga ana sociale ku prishen raportet publik-privat, gjithmonë në dëm të publikes.
Apatinë e administratës individi shqiptar, në shumicë, e interpreton si një kohë të përshtatshme që edhe nëpërmjet pagesës apo mbrojtjes nepotike të ndërtojë paligjshmërinë e tij si burim fitimi. Madje në masë krijohet iluzioni dritë shkurtër se secili do ta legalizojë investimin e bërë kundrejt mbështetjes që i jep plot zhurmë forcës politike që qeveris vendin. Nga premtime individësh me ndikim e me lidhje me pushtetin, krijohet bindja se nuk do të ketë ndëshkime ligjore Nga ana e tij lidershipi qeveritar nuk mban qëndrim të prerë dhe ushqen iluzione te njerëzit, sodit apatinë e administratës për aq kohë sa ka interes politik. Në një kontekst të kësaj natyre, kushdo voton për qeverinë sepse kërkon të mbrojë e të legalizojë paligjshmërinë e tij. Në shumicë, tashmë ata janë kthyer në oportunistë, frikacakë që nuk duan ndryshimin, as të ndërtojnë drejtësi sociale e të luftojnë për të. Objektivi është të ruajnë plot ankth produktin e abuzivitetit.
Dhe këtë gjë qeveria e di mirë. Ajo e shfrytëzon për përfitime politike. Individi që investon me paligjshmëri është i cenueshëm dhe akoma më shumë i shantazhueshëm. Mjafton këtu të përmendet loja shumëvjeçare me tapitë e legalizimeve në fushata elektorale. Në këtë mënyrë, paligjshmëria ushqehet, masivizohet dhe në fund ajo paguhet jo rrallë herë shtrenjtë dhe gjithmonë pas zgjedhjeve. Kjo edhe për shkak të paradokseve që paraqet në përgjithësi politika. Në një fushatë zgjedhore, si shembull, kandidati për kryeministër është i ndërgjegjshëm që, nëse zgjidhet kryeministër, atij do t’i duhet të ndërmarrë një reformë financiare, e cila do të ndiqet nga shkurtime drastike të rrogave e pensioneve, por këtë gjë ai nuk mund të thotë në një takim me pensionistët.
Për këtë arsye nuk duket fare habi se përse gjatë shumë viteve uzurpimi të hapësirave publike u lejua dhe gjatë fushatës madje u justifikua, ndërsa tani luftohet me forcë. Bëhet fjalë për paligjshmëri në përgjithësi dhe jo vetëm për uzurpimin e hapësirave publike pasi nuk është rasti i parë që shoqëria shqiptare përfshihet masivisht në paligjshmëri. Dhe po ashtu nuk është hera e parë që qeveria e shfrytëzon këtë.
Skenari duket mjaft i ngjashëm, por më shumë i rrezikshëm me vitin për të cilin mediatikisht u fol gjatë dhe u quajt kanabizimi i vendit. Fenomeni mori përmasa të mëdha pikërisht para zgjedhjeve të vitit 2017. Në të u përfshinë jo vetëm grupe e individë kriminalë, por edhe familje të tëra të përbëra nga tre breza ku nuk munguan të aktivizohen edhe të mitur dhe të moshuar, pra gjithkush që kishte mbështetje dhe nuk i druhej ndëshkimit ligjor. Gjithçka u duk e lehtë për t’u pasuruar dhe paligjshmëria mori masivitet. Edhe në këtë rast, ashtu si pak para zgjedhjeve aktuale, u krijuan iluzione se duke mbështetur forcën politike qeveritare, fenomeni do të tolerohej. Ndoshta jo për të gjithë, por për disa që kishin lidhje e mbështetjen e duhur. Kontributet politike nuk munguan.
Zgjedhjet përfunduan dhe për to u fol mjaft, përfshi edhe paratë nga kanabizimi. Por kjo pak rëndësi kishte. Pas përfundimit të zgjedhjeve, njëlloj si tani, nga lart gjëmoi urdhri se Shqipëria duhet të zhduket nga harta e kultivimit të kanabisit. Njëlloj si këto ditë të luftës kundër uzurpimit të hapësirave publike për përfitime private, filluan komente, mburrje, suksese e debate për çrrënjosjen e bimës. Parcela kanabisi që shkatërrohen, individë e grupe individësh që arrestohen aty këtu. Kjo sepse njëlloj si sot me ndërtimet e paligjshme, edhe në rastin e kanabizimit të vendit, jo të gjithë mund të ndëshkohen. Dhe përsëri drejtësi selektive. Si zakonisht në fund disa koka drejtuesish të prera ku u kursyen kryepleqtë e shumë fshatrave të mbytur në kanabis dhe gjithçka u var në qafën e ish- ministri i Brendshëm.
Katër vite më pas, në zgjedhjet e vitit 2021, skenari nuk përfshiu masivisht gjithë. shoqërinë shqiptare, por një shtresë specifike të saj që mund të kishte pakënaqësi për goditjen e kultivimit të kanabisit. Bëhet fjalë për të “ fortët” e disa qyteteve të cilët u vunë nën shënjestrën e operacionit “Forca e Ligjit”.
Pavarësisht ndryshimeve të vogla, pavarësisht viteve dhe konteksteve të ndryshme, me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 2013, lidershipi politik i qeverisjes së sotme ka përdorur të njëjtën strategji edhe për të fituar zgjedhjet, edhe për të qeverisur. Tolerohet zhytja masive e shumë individëve në paligjshmëri, më pas vazhdohet me joshje e me iluzione se investimi i tyre do të legalizohet. Në këtë mënyrë masiviteti në paligjshmëri krijon një shtresë të tërë sociale të lidhur pas tij. Ajo mbetet e kufizuar brenda interesave të saj mediokre, larg përgjegjshmërisë sociale dhe që në fund kërkon të mbrojë pikërisht këtë botë të kalbur që ka krijuar rreth vetes. Dhe qeverisja në vend ta luftojë në përditshmëri fenomenin, e stimulon atë sepse ka interesat e saj politike pavarësisht dëmeve kolosale sociale. Parësore janë fitorja e zgjedhjeve dhe pas tyre vjen ligjshmëria. E njëjta logjikë si me firmat piramidale. Asnjë ndryshim. Ndërkohë dëmet sociale dhe për fat të keq edhe ato ekonomike peshojnë jo vetëm mbi këtë shtresë, por mbi gjithë shoqërinë. Kur vjen momenti për të rivendosur ligjshmërinë, koha është e përshtatshme. Shtresa e paligjshmërisë tashmë është e tulatur, e shkërmoqur dhe kërkon të ruajë statuskuonë. Ajo nuk ka moralin e duhur të kërkojë drejtësi. /Panorama/






