“Projekt Qytetarie” kundër dhunës sociale

    GËZIM TUSHI

    Nuk mund të mos shqetë sohesh seriozisht për “realitetin e dhunës”  në Shqipëri, pasi njihesh me statistikat e drejtësisë dhe publikimet mediatike të formave të larmishme dhe intensitetit në rritje të saj. Në të vërtetë, kjo dukuri sociale, e cila është për fat të keq shumë e masivizuar në shoqërinë tonë, është e analizuar nga strukturat e shtetit, organizatave joqeveritare, por edhe prej studimeve që kanë realizuar shumë profesionistë të shkencave psikosociale.

    Dhuna në shoqërinë tonë është aq evidente, saqë edhe nëpërmjet vëzhgimit “joprofesional” nuk është fare e vështirë që të perceptosh faktin, që realiteti ynë social, është i inonduar nga një normë e lartë e dhunës, të cilën e ndeshim në realitetin e përditshëm, të shfaqur dhe shpërfaqur të gjithë format e mundshme të saj. Nga ato banale e “të thjeshta”, deri te format më eksentrike e të sofistikuara, me tipologji sociale dhe individuale absurd dhe të komplikuara, të shfaqura si dhunë fizike, verbale, psikologjike, seksuale. Nuk është në nderin e shoqërisë dhe të qytetërimit tonë fakti, që terrenet antiqytetare të dhunës janë zgjeruar frikshëm. Atë e ndeshim si dukuri të pranishme në familje dhe jashtë saj, në ambiente publike dhe institucione sociale (shkolla, burgje, shtëpi fëmijësh, etj.).

    Dhuna ka “faktorët” të përgjithshëm, universalë dhe specifikë që e ushqejnë si mënyrë asociale e “zgjidhjes së konfliktit”, ka “aktorët” e ushtrimit dhe “viktimat” që e pësojnë. Në tërësi atë e pësojmë dhe e përjetojmë të gjithë si shoqëri, por më së pari, ajo shkarkohet mbi gratë dhe fëmijët, të cilët janë viktimat kryesore dhe “shtresat prioritare” të dhunës në këtë vend. Ushtrimi përgjithësisht pa frikë i dhunës, mungesa e reagimit qytetar dhe jo vetëm ligjor ndaj ushtruesve të saj, ka bërë që ky fenomen social që është tipik ballkanik, të jetë një nga dukuritë sociale më të përhapura, më të shtrira në aspektin sasior dhe vlerësimin cilësor.

    Nëse do të jemi fare të sinqertë me veten, nëse do të tentojmë të ndryshojmë disa cilësi negative të qytetërimit tonë, të evidentuara nga “vetja” dhe nga të “tjerët”, atëherë na duhet të reagojmë si qytetarë ndaj kësaj dukurie antinjerëzore, antiqytetare, duke tentuar që të fillojmë një “betejë sociale” të organizuar në nivel kombëtar, për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht të fëmijëve, grave, të moshuarve dhe shtresave të pambrojtura. Personalisht mendoj se përhapja e dhunës në shoqërinë tonë është një nga defektet më serioze të qytetërimit tonë. Duke e diagnostikuar madhësinë, ritmin e shfaqjeve, intensitetin e shtuar të dhunës në shoqëri, si dhe vështirësitë dhe komplikacionet evidente për përballjen dhe frenimin e kësaj dukurie sociale, unë mendoj se jemi në momentin e duhur dhe pikërisht në fazën kur kemi nevojë për një “Projekt Qytetarie”, si doktrinë dhe instrument social për të sulmuar antikulturën e dhunës dhe krijimin e bindjeve dhe ndërgjegjësimit social për nevojat urgjente që kemi si shoqëri për zgjerimin e hapësirave të komunikimit dhe humanitetit dhe perfeksionimin e sjelljeve sociale qytetare. Ky projekt nuk ka fare ngjashmëri me atë të epokës së socializmit, i cili ishte një dështim i të ashtuquajturit revolucion antropologjik, si mënyrë për krijimin e njeriut të ri, i cili ishte një blof me antihuman me përmasa të paimagjinueshme.

    Përkundrazi, ky projekt duhet të bëhet fillimi i një beteje humane, që vakumin e hipokrizisë dhe perversioneve të fshehura të të ashtuquajturit “njeriu i ri” ta zërë qytetari i vërtetë, që ka kulturën e duhur të kombinimit pa sforcim të jetës qytetare publike me vetëdijen private të qytetarit. Në krye të këtij “Projekti Qytetarie” duhet të jetë objektivi substancial, ndryshimi i “stereotipit” të vjetër social, përballja dhe thyerja e “kulturës së dhunës”, si një nga komponentët socialë që për fat të keq është kthyer në një patologji sociale në zgjerim, e cila po shfaq “rezistencë të fortë”, edhe në periudhën e zhvillimit demokratik të shoqërisë. Jemi në moment kur duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur, për të rregulluar raportet e jetës publike dhe të drejtave të njeriut me vetëdijen e deformuar të njeriut të dhunshëm. Sepse, për fat të keq në rrugën 35-vjeçare të kalimit nga “rendi i tufëzuar” i njeriut të frikshëm, pa identitet të lirë qytetar nuk po kemi ritmet e duhura të ndërtimit të qytetarisë dhe strukturimit progresiv të rendit njerëzor. Sepse dhuna, nëse duhet të mos e mbulojmë realitetin artificialisht apo me “gjethe fiku”, jo vetëm që nuk është pakësuar, por për fat të keq, përmasat e saj nga pikëpamja sasiore janë rritur.

    Ndërkaq, edhe nga pikëpamja “cilësisë dhe mjeteve” me të cilat ushtrohet dhuna në shoqërinë shqiptare është bërë më e sofistikuar. Në këtë realitet ka padyshim ndikimin e vet deformimi antiqytetar i personalitetit të individit dhe shoqërisë nga e kaluara, në të cilën dhuna ishte “monopol i shtetit”, e cila nxitej dhe frenohej nga shteti, sipas momentit politik dhe nevojave të tij për sundim. Shteti totalitar ishte jo vetëm “roje nate”, por edhe “roje dite”. Ai cili ndëshkonte dhunën sociale sipas mënyrës së vet, duke krijuar jo bindjen e zgjidhjes paqësore të problemeve sociale, por frikën, si realitet imediat i përballjes me forcën e shtetit. Paradoksalisht, në procesin demokratizues të kalimit të njeriut nga subjekt në qytetar, në vend që dhuna të pakësohej, si rezultat i ndryshimit të “esencës sociale” të shoqërisë së vjetër, ajo po shtohet dhe po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.

    Dhuna në familje, në ambientet sociale, jo vetëm nuk u pakësua, por ajo ka shpërthyer në dimensione që nuk është normale të heshtet, apo aq më tepër të krijohet “kultura” e adoptimit dhe sjellja tolerante ndaj saj. Ne kemi shifra anormale që dëshmojnë për një përhapje patologjike të dhunës në të gjitha qelizat e shoqërisë tonë. Në familje, në shkollë, në burgje, në rrugë, kudo. Konflikte të dhunshme, krime monstruoze, brutalitet, vrazhdësi, marrje me lehtësi të jetëve njerëzore për motive banale, rrëmbime për qëllime trafikimi, përdhunime, konflikte e sjellje harbutësh në stadium, thirrje e sharje të natyrës gati kafshërore të tifozëve, të cilat të bëjnë të mendosh, se për fat të keq qytetërimi në vendin tonë është defektoz, i deformuar, represiv. Nevoja për një “Projekt Qytetërues” dhe revolucion në përmbysjen e koncepteve dhe kundër kulturës së dhunës, është imperative, sepse ajo në asnjë vend europian, nuk është në nivelin që ai shfaqet në vendin tonë.

    Sigurisht ka një problem të trashëguar si aliazh politiko-kulturor, tradicional dhe zakonor, që ka ndikuar në faktin që dhuna në perceptimin e opinionit tonë të zakonshëm, nuk përbën ndonjë shqetësim të veçantë, nga që “kultura e dhunës” është e ngulitur herët në shoqërinë tonë. Dhuna ndaj fëmijës, gruas, kundërshtarit, ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e pakritikuar e kulturës qytetare dhe edukatës sociale dhe humane. Në mentalitetin tonë edhe sot është akoma paradigmë me peshë sociale, modeli sipas të cilit më i madhi, më i forti, më i pushtetshmi, më i pasuri, më i rrituri në moshë, eprori, burri etj., kanë prerogativën e përdorimit të presionit, forcës, dhunës verbale fizike apo psikologjike mbi më të dobëtin, më të riun, vartësin, fëmijën, gruan. Ky mentalitet është ende dominant, ndaj dhe përmasat e dhunës në shoqërinë tonë janë në këto kuota. Jeta shoqërore tek ne shfaqet shumë e ashpër, me komportime të dhunshme brutale, aspak humane. E gjithë jeta jonë që nga parlamenti e deri në stadium, nga familja e deri në rrugë është e mbushur me shfaqje e skena dhune të llahtarshme.

    Që kur u shfaqën shenjat e para të shoqërisë moderne, shumë filozofë duke njohur thelbin e natyrës së njeriut, deformacionet, pasionet dhe emocionet e tij u shfaqën pesimistë për të ardhmen e shoqërisë. Ata e menduan se ky njeri në kushtet e “lirisë personale”, do të jetë agresiv dhe shoqëria në tërësi do të jetë represive. Në të vërtetë që nga Kanti, Frojdi dhe të tjerë filozofë të kohës modern si Anthony Giddens, Mishel Foucault, Emanulel Levinas, Jacques Derrida, Viscont Decombes, Marc Ague, Daniel Bell e shumë të tjerë, e kanë parashikuar që qytetërimi modern do të kishte shumë plagë sociale, midis të cilëve dhuna do të ishte një nga patologjitë kryesore. Sipas tyre, shoqëria moderne në liri do të kishte për shkak të “natyrës komplekse e të ngatërruar së njeriut”, shfaqje të dhunës dhe represionit. Në këto kushte, shoqëria jonë ka mundësi të gjejë rrugën e duhur. Sipas mendimit tim, nevoja për të ndërtuar një “Projekt Qytetarie”, duhet të kthehet në imperative momental dhe të bëhet një “Aksion Kombëtar”, për të kuptuar së pari se çfarë po ndodh me shoqërinë tone. Pse gjithë ky neurotizëm individual dhe agresivitet social? Ku e ka bazën kjo “sindromë nacionale” dhune e çekuilibruar, që na hidhëron çdo ditë jetën, duke e bërë atë më pesimiste dhe pa shpresë?

    Një projekt jo në letër dhe për propagandë iluministe, as me përgjithësime sociale të pasakta apo të gabuara. Sepse kur shifrat dhe realitetet ekzagjerohen në mënyrë subjektive apo qëllime destruktive, ato bëhen jo vetëm të pasakta, por edhe të gënjeshtra. Projekti që duhet të jetë kompleks teorik e kulturor, human dhe pedagogjik. Mbi të gjitha, me synim të qartë emancipues, që të përfshijë të gjitha institucionet politike dhe të edukimit, bërthamat sociale dhe institucionet fetare, kulturore, të shoqërisë civile dhe shtetit. Padyshim një “Projekt Qytetërues” kundër dhunës në shoqëri nuk mund të realizohet pa siguruar së pari dhe mbi të gjitha një opinion të mobilizuar publik të vullnetshëm, të ndërgjegjshëm për ta mbështetur dhe përkrahur këtë projekt emancipues./Gazeta Panorama /

    Lajmi Paraprak

    Aziri: brenda një muaji pritet të zgjidhet çështja e problemit me motrat medicinale në Tetovë

    Lajme tjera

    Shekulli antisocial

    Në një artikull të fundit të The Atlantic, gazetari Derek Thompson e quan epokën tonë “Shekulli Anti-Social”, duke…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë