Pse familja po dorëzon “armën edukative”?

    GËZIM TUSHI 

    Është situata strukturalisht dhe edukativisht e agravuar dhe me zhvillimet kaotike tejet problematike e familjes, e cila e ka kthyer atë në një shqetësim të përgjithshëm dhe objektin e debatit sociologjikisht universal për shoqërinë shqiptare. Kjo është arsyeja madhore se pse tani është koha kur diskutimet publike dhe debatet edukative për aberracionet që po pëson familja shqiptare, kjo strukturë sociale fundamentale duhen zgjeruar dhe intensifikuar. Ato duhet të bëhen shoqërisht më gjeneraliste, për të bërë diagnoza sa më të sakta e gjithëpërfshirëse, për të zgjeruar përgjegjësinë sociale dhe individuale për patologjitë e thella dhe shqetësimet që ndjemë si qytetarë për problemet që zhvillohen kaotikisht brenda saj, për kontradiktat e thella organike e artificiale midis brezave brenda saj, për nivelet alarmante të shtimit të të gjitha formave të njohura e të “reja” të dhunës, arsyeve të përhapjes “pandemike” të krimit, dukuri që në situatën e familjes shqiptare, kohët e fundit janë bërë fenomene banale, të shpeshta dhe me intensitet të veçantë në rritje.

    “Familja është një nga lidhjet më të forta për njerëzit”, – thotë sociologu Yuval Noah Harari (Nexus f. 54). Për fat të keq, familja, kjo vatër e ngrohtë e lidhjeve njerëzore, kjo çerdhe sociale me lidhje e kordon biologjik të fortë, ka filluar të pësojë ruptura. Shumë nga traditat e zakonet e mira kanë filluar të zbehen, shumë role e funksione organike të saj janë “skeletizuar”. Ajo përkundrazi, sikurse duket situata, po kthehet në një “pikë nyje”, ku janë të sintetizuara shumica e kontradiktave që brejnë shoqërinë, e shumë anomalive, të cilat po e deformojnë rolin dhe funksionet e familjes shqiptare, duke e kthyer atë nga vatra më e madhe edukative, në plasdarmën kryesore ku burojnë shumë negacione sociale dhe perversitete antiedukative. Duke e vlerësuar sociologjikisht këtë situatë në dukje pesimiste apo me perspektive jo shumë të qartë e të konsoliduar, personalisht më duket se familja sot është kthyer në “hapësirën sociale” më të lëkundur, problematike e të brishtë, si institucioni kryesor shkakësor nga burojnë shumë probleme, që kanë lidhje e arsye shkakësore dhe rastësore, që duhen llogaritur në vlerësimin e patologjive që po e brejnë atë në mënyrë të vazhduar dhe me intensitet në rritje. Familja po kalon një krizë, e cila metaforikisht është analoge me atë situatë që sociologu amerikan Arnold Gehlen e quan si “këputje e ligaturave”, që janë të domosdoshme për të mbajtur të sigurt drejtpeshimin dhe funksionet e saj.

    Në shumë raste familja po vuan nga egoizmi i njeriut brutal aspak social dhe human, i cili po sjell fenomenin në zgjerim të dobësimit, madje më saktë të “pafuqisë edukative të familjes”. Ndoshta si kurrë më parë, për shkak të zhvillimeve kaotike që ka sjellë jeta moderne në shoqërinë tonë, kanë ndodhur zhvillime të forta ontologjike dhe strukturore që kanë cenuar autoritetin ekzistencial dhe karakterin autonom të funksioneve, sidomos të atyre me natyrë edukative. Nga pikëpamja sociologjike ka tregues të sigurt, që përbëjnë “lëndë studimore” të gjerë që dëshmon të vërtetën se fillimet e epokës së shoqërisë postmoderne në Shqipëri, kanë ndryshuar dukshëm familja si tipologji dhe strukturë e organizimit të jetës sociale, ngaqë nga njëra anë dhe me të drejtë janë cenuar disa nga zakonet e tabutë e vjetra në raporteve tradicionale, kanë ndryshuar “marrëdhëniet disiplinore” dhe format e lidhjeve sociale e intime të ndërtuara nga njerëzit tanë brenda familjes së tyre. Këto ndryshime tërësore nuk janë vetëm formale të dukjes dhe aparencave moderne të familjes shqiptare të kohës sonë.

    Ato janë transformime me përmasa madhore, me efekte të thella konceptuale dhe strukturore, që jo vetëm brenda saj kanë sjellë probleme, por që ndihen të fuqishme edhe në jetën e përbashkët sociale, në ndryshimin e dukshëm të “sistemit të vlerave” dhe në nxitjen e një procesi social kombëtar, një situatë që në mënyrë urgjente kërkon rivlerësim dhe ridimensionim të raporteve midis modernes dhe tradicionales, për rolin e familjes në shoqëri. Padyshim, që janë ndryshimet e mëdha të kohës ato që kanë determinuar shumë ndryshime të rolit, strukturës dhe funksioneve të familjes. Ndaj kjo situatë e re e ndryshuar thelbësisht ka bërë që në gjirin e familjes, por edhe në terrenin e gjerë social të shoqërisë shqiptare, të shfaqen në mënyrë të detyruar, por përgjithësisht në formë të pastrukturuar, të parregullt ose shumë herë edhe për ekzibicion social formal shumë fenomene në formën e shqetësimeve dhe problemeve me natyrë ekonomike apo si paqartësi shpirtërore, që flasin për ndryshimet që ka pësuar roli dhe funksionet sociale dhe organike të saj. Familja shqiptare është nën goditjet e forta liberalizuese të zbehjes së përgjegjësisë sociale, humanitetit, solidaritetit dhe “tutkallit edukativ” nga njëra anë, dhe nën ndikimin e “sëmundjeve ngjitëse” të shoqërisë që mbivlerëson njeriun individualist e të vetëmjaftueshëm, por që sfidon dhe rivalizon familjen si strukturë unike “që mbahet në këmbë nga dashuria që është specifike” ka thënë me të drejtë Frojdi. Unë mendoj se është koha të kapërcejmë kufijtë e marrëzisë sociale, që nënvleftësojnë familjen si institucion unik i jetës shoqërore, ekzibicionet moderniste e superindividualiste duke i dhënë asaj vlerën që i takon si “amortizatori themelor” i jetës sociale, i humanizmit, solidaritetit si lidhës për të mbajtur disa “ganxha sociale” të domosdoshme sikurse janë humanizmi, miqësia, komunitarizmi, bamirësia, shpirti solidar etj..

    Momentalisht familja shqiptare që ka qenë dhe mbetet institucioni tradicional më me peshë, mënyra themelore e organizimit të jetës intime dhe formacion fondamental bazë i organizimit të jetës sociale, tani ajo ka problemet e veta esenciale dhe ekzistenciale, formale dhe thelbësore, strukturore dhe funksionale që janë bërë probleme të vërteta shqetësuese. Familja ende është në kapërcyell apo në tranzicion. Ndaj, në mënyrë të natyrshme gjërat që po ndodhin kanë shkaqe dhe kërkojnë edhe kuptim të saktë, sepse sociologjikisht jemi në një situatë ndryshimesh dhe paqartësish konceptuale, për pasojë nuk është rastësi që pikërisht dhe paradoksalisht familja është bërë “qeliza sociale”, ku grumbullohen shumë probleme, zhvillohen konflikte dhe kontradikta interpersonale në marrëdhëniet delikate midis pjesëtarëve të saj. Por tani situata është bërë akoma më shumë e agravuar, ngaqë veç problemeve funksionale dhe strukturore, janë ngatërruar edhe çështje kulturore dhe edukative, që përgjithësisht kanë impakt në jetën e përgjithshme të shoqërisë sonë. Padyshim, një pjesë e ideve sociale që qarkullojnë teorikisht, por që janë ndikuese në praktikën e jetës së familjes sonë, herë janë të sakta dhe pozitive dhe herë të tjera duken si ide të çoroditura që ushqejnë konceptin anarkist të jetës “antifamilje”. Këto ide që ende sot duket se nuk kanë peshë dominante në opinionin publik dhe mediatik, kanë filluar gjithsesi të kenë efekt social mbi strukturën, kompozimin dhe funksionimin e familjes shqiptare. Ato janë në një farë mënyre reflektim i ndikimit të psikologjisë kontroversale të kohës moderne, që e vlerësojnë në mënyrë të kufizuar apo edhe nënvlerësuese rolin e veçantë të familjes si organizim social themelor, i pandryshuar edhe për kohën postmoderne.

    Padyshim, nëse duam të kemi shoqëri normale dhe njerëz që të sillen në të si qytetarë, duhet së pari të kemi familje të stabilizuar, të shëndoshë, funksionuese dhe të vendosur në vendin e vet, në mënyrë që ajo në çdo rast të luajë rolin e saj si strukturë adekuate, që garanton ekuilibrat e brendshëm midis pjesëtarëve të familjes dhe që ka mundësi ndikuese në stabilitetin social të shoqërisë. Nëse analizojmë dukuritë intensive dhe deformimet flagrante të strukturës dhe marrëdhënieve familjare në shoqërinë tonë, nëse të vërtetat i themi ashtu siç janë, pa zbukurime, alambikime morale dhe eufemizma sociologjike, atëherë duhet të pranojmë se shumë drama që përjeton shoqëria dhe njerëzit tanë, në përgjithësi dhe kryesisht janë të lidhura me situatën në gjirin e familjes, me dobësimin e dukshëm të kohezionit social dhe funksionit edukativ, me ekuilibrat e brishta afektivë dhe marrëdhëniet e përcipta që zhvillohen dhe prishen në të, me tipologjinë e tronditur konceptuale për rolin dhe funksionet, për marrëdhëniet e pjesëtarëve që jetojnë brenda saj. Megjithëse familja shqiptare është një qelizë shoqërore me shumë traditë në historinë e vjetër dhe moderne, kohët e fundit në mënyrë të çuditshme kanë dalë në evidencë sociale në mënyrë të pazakontë boshllëqe, vakume dhe deformime. Ato nganjëherë janë në përmasa të tilla, që kanë bërë imperative nevojën që të mendojmë se çfarë mund të bëjmë të gjithë për të përballuar shpërthimin e problemeve sociale në familjen tonë.

    Situata kërkon që paralelisht me familjen dhe në të njëjtën gjatësi vale me punën për forcimin e saj, të mendojmë që të kemi në funksionim edhe institucionet sociale. Sepse tani kanë humbur shumë tradita, zakone; janë ftohur lidhjet e gjakut dhe “pasione fisnore” të dikurshme, të cilat janë shkaqe që e kanë zbehur rolin e familjes, kanë dobësuar funksionet e saj si strukturë bazë e “lidhjeve sociale”. Realisht duhet të shqetësohemi dhe të mendojmë më intensivisht për ato gjëra që po ndodhin në familjen shqiptare, e cila është duke përjetuar “çekuilibrime të brendshme”, prishje të raporteve tradicionale dhe marrëdhënieve klasike midis njerëzve. Shumë tendenca dhe qëndrime sidomos të të rinjve, duket se janë në miniaturë si “revolta” të hapura apo të heshtura kundër tipologjisë së vjetër të familjes, veçanërisht të marrëdhënieve autoritariste dhe piramidale midis tyre dhe prindërve. Ndërkaq, kanë ndodhur shumë ndryshime që i ka sjellë koha dhe zhvillimi social, të cilat kanë bërë që të rishikohet natyrshëm tipologjia e vjetër e familjes tradicionale dhe idealizimi konservator i vlerës së saj. Megjithatë, ajo që ka rëndësi sipas mendimit tim, është nevoja për të ndikuar në shoqërinë tonë për të kuptuar ndryshimet dhe rolet e reja të familjes moderne, drejt dhe jo në mënyrë ekscentrike, duke e vlerësuar atë si një institucion unikal, të cilit jo vetëm nuk i humbet roli dhe funksionet tradicionale si strukturë bazë e jetës sociale, por ajo është qelizë me rëndësi strukturore edhe në kohën moderne. Sepse pavarësisht ndryshimeve, familja mbetet institucioni i vetëm ku bashkohet në mënyrë të natyrshme dhe organike jeta sociale dhe intime e njeriut.

    Në këtë pikëpamje, nëse ka një shqetësim që sipas mendimit tim është i madh dhe serioz, është fakti që kohët e fundit po ndodh me shpejtësi të frikshme deformimi i rolit social, veçanërisht ai i “funksionit ndërmjetësues” të familjes në jetën e përbashkët të shoqërisë. Kjo është një situatë komplekse që duhet vlerësuar me përgjegjësi politike dhe qytetare, në mënyrë që të mund të ndikojmë në zbutjen e problemeve sociale që prodhohen brenda familjes shqiptare dhe të përpiqemi që të ndikojmë për zgjidhjen në rrugë normale dhe humane të tyre. Natyrisht është koha që të vërtetat duhet t’i shikojmë në sy dhe t’i pranojmë ashtu siç janë. Evolucioni dhe mënyra moderne e strukturimit dhe funksionimit të familjes shqiptare, natyrshëm që do të sillte një varg problemesh të reja sociale, të panjohura më parë, me peshë në jetën sociale që duhen parë, kuptuar dhe vlerësuar drejt, në përputhje me imperativat e kohës moderne.

    Sepse përveç ndryshimeve të natyrshme materiale që janë të dukshme, brenda vetë familjes janë krijuar terrene të forta, të ashpra për keqkuptime dhe keqinterpretime për mënyrën e lidhjes së marrëdhënieve dhe interesave të pjesëtarëve, për funksionimin dhe rolin social të saj. Pavarësisht liberalizimit të “institucionit të disiplinës” brenda saj, familja mbetet një “qendër sociale” në të cilën bëhet zhvillimi organizimi dhe lidhja e individit me jetën sociale dhe institucionet organike të saj, me shkollën, punën, komunitetin, jetën qytetare. Nuk ka institucion tjetër social që të mund të luajë ato role dhe të kryejë ato misione, për të cilat është krijuar dhe ngarkuar në mënyrë ekskluzive familja, e cila ka fuqi që ta bëjë çdo pjesëtar të saj një qytetar të lirë që respekton veten, tjetrin, shoqërinë, institucionet e jetës sociale, traditat, zakonet dhe vlerat e jetës morale. Për të gjitha këto është e domosdoshme që të mendojmë më shumë për familjen tonë dhe të ridimensionojmë disa vlera edhe universale, por të traditës së mirë të “kulturës familjare”, të saj që kemi si trashëgim pozitiv nga e kaluara jonë… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Reagon Kurti: opozita u rebelua kundër shtetit, lanë nam në sytë e botës

    Lajme tjera

    Kulturë korruptive

    Justinian Topulli Në mendësinë e shumë shqiptarëve sot, vjedhja, korrupsioni dhe ryshfeti që marrin ata të cilët janë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë