Pse s’ka “nevojë” për kulturë politika shqiptare?!

    BEN ANDONI

    Antropologu amerikan James Spradley nuk do ta kishte menduar kurrë sesa aktual mund të ishte gjysmë shekulli më vonë në rajonin tonë e më gjerë me konceptin e ndikimit të kulturës në shoqëri dhe politikë. Në librin e tij: “The Cultural Experience: Ethnography in Complex Society”, publiku mund të mësoj shumë sesi kultura e ndikon ngado jetën tonë. Dhe, jo vetëm faktin se ndryshimet tona janë kulturore, por edhe pse kaosi ynë i sotëm është krijuar prej vetë tollovisë dhe pamundësisë së shprehjes të kulturës.

    “Kultura është njohuria e fituar që njerëzit përdorin për të interpretuar përvojën dhe për të gjeneruar sjellje”, ka lënë përcaktimin e tij Spradley, ku i tregon publikut të gjithë paradoksin tonë shoqëroro-politik. Përballja e politikës dhe e politikanëve shqiptarë në Kuvend, debatet mediatike, jetën e zakonshme dhe ligjet e dekretet që nxjerrin, të jep një kuptim të gjerë sesa vend i kulturuar jemi dhe çfarë shoqërie mund të zhvillojnë ata. Shkrimi nuk merr parasysh vetëm debatet qesharake të ditëve të fundit në Parlament, por edhe të gjithë kulturën që mbartin dhe e përcjellin në publik shumë përfaqësues të saj, niveli i të cilëve është rëndom më i ulët sesa masa më e madhe e publikut të zakonshëm. I drejtohemi edhe një herë literaturës:

    “Kultura (nga latinishtja cultura që rrjedh nga colere, që do të thotë ‘të kultivosh’) në përgjithësi u referohet modeleve të veprimtarisë njerëzore dhe strukturave simbolike që u japin këtyre aktiviteteve rëndësi dhe vlerë… Kultura mund të përkufizohet si të gjitha mënyrat e jetesës, duke përfshirë artet, besimet dhe institucionet e një popullsie që përcillen brez pas brezi. Kultura është quajtur ‘mënyra e jetesës për një shoqëri të tërë’. Si i tillë, përfshin kodet e sjelljeve, veshjes, gjuhës, fesë, ritualeve, artit, normat e sjelljes, si ligji dhe morali dhe sistemet e besimit”. Janë të gjitha këto elementë që na tregojnë sesi kultura e mangët e ligjvënësve të saj dhe e klasës së politikës, në përgjithësi, është një nga shkaqet që e ka katandisur në këtë nivel Shqipërinë.

    Nuk është vendi për t’i përmendur gafat, padrejtësitë, gabimet e shumta pa Mea Culpa, moralin, normat e sjelljes dhe mënyrën sesi janë përballur në problemet e ndryshme të vendit. Në fakt, mjafton të shqyrtosh modelet social-ekonomike që kanë zgjedhur qeveritë post demokratike shqiptare, të kuptosh fare mirë nga rezultatet e tyre mungesën formale të formimit bazik cilësor dhe sidomos boshllëqet e pafundme në kulturë, pa përmendur gabimet me ose pa dashje, që i kanë kushtuar vendit problematika të paimagjinueshme: si Ligji që ka lidhje me pronat, i cili identifikohet me numrin tashmë kthyer në famëkeqin 7501 dhe që ka si shkak viktima më shumë sesa komunizmi; vitin 1997, kur Shqipëria do të hynte në kronikat mediatike të gjithë botës me luftën gati civile dhe për mënyrën sesi u përcoll demokracia e pas Murit të Berlinit; kaosin e sotëm social, që po i bën shqiptarët të parët si numër në listat e njerëzve që emigrojnë në Evropë etj…

    Për të mos vazhduar me diskutimet parlamentare, të cilat lënë aq shumë për të dëshiruar, jo thjesht sepse përgatiten nga të tretë, por pasi një pjesë jo e vogël e parlamentarëve nuk arrin as t’i lexojë si duhet fjalimet e veta dhe t’i interpretojë si duhet në Kuvend. Për të mos përmendur fyerjet, që edhe pa rastin shqiptar bota e sotme e pretenduar demokratike, i jep vazhdimisht publikut. Në kushtet shqiptare mund të kuptosh nivele jo thjesht parapolitike, por boshllëqe të tëra të formimit etik, familjar dhe social, me të cilën mund të abstragosh për kushtet kulturore, ku zhvillohet e gjithë jeta politike e vendit dhe më gjerë.

    Ani pse ka një mënyrë për të pasur pak shpresë dhe më shumë akoma të ketë ngushëllim. E gjithë bota e sotme e pretenduar demokratike ballkanike përballet me pothuaj të njëjtat diagnoza. E has ashpërsisht këtë kulturë madje edhe me tri vendet e rajonit ballkanik nën çadrën e BE-së, respektivisht Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë me retorikën dhe akuzat në parlamentet respektive, por edhe shpesh me diskurset foshnjarake në vendet e tyre. Pak vite më parë, ideologu i demokracisë, Samuel Huntington, e vinte theksin po te kultura dhe forca e saj, ashtu si gjente rrënjët e shumë prej problematikave, pikërisht tek niveli i kultivimit të saj. Por, në një theks tjetër: kultura përfaqësohet edhe prej përzgjedhjes së individëve dhe sesi i përzgjedh ata niveli kulturor i një stadi të shoqërisë.

    Të mjaftojnë rekrutimet e maxhorancës së sotme, listat qesharake të deputetëve të opozitës në legjislacionin e shkuar dhe mënyra sesi përcillen në zgjedhje një pjesë e tyre, të cilët do drejtojnë fatet e vendit, ta kuptosh paradoksin ku jetojmë. Jo vetëm fjalimi i deputetes së opozitës, që bëri bujë me nivelin gati foshnjarak të zhvillimit intelektual por edhe diskursi parlamentar i fryrë i disa prej ministrave të PS-së për Ramën me krahasime gati apoteozike, që të na përshfaqnin një mjerim logjik. Veçse shembujt janë të shumtë dhe duken me emërimet, servilizmin dhe paraqitjen e yes-man ngado në politikë në të gjitha kahet.

    Dhe, të kuptosh, këta janë një shtresë e tërë e njerëzve që duhet të drejtojnë dhe të sjellin zhvillimin e një vendi, por edhe që modifikojnë diskurset në shoqëri konform formimit të tyre. Ne sot po përcjellim argumentin për vendin tonë, që i ka kthyer kurrizin kulturës dhe këtë e shikon në kurrikulat e fryra por aspak të zbatueshme të sistemit arsimor dhe mënyrën sesi sillet sot e gjithë politika kulturore-arsimore në vend. Kjo e justifikon mënyrën sesi vinë shumë ligjvënës nga hapësira dhe vende, ku kultura prej dekadash është bjerrë në të gjithë aspektet, si në atë të formimit dhe atë etik e moral, por më shumë akoma te pamundësia për të dhënë një kulturë, që mund t’u shërbejë zhvillimeve të vendit.

    Që do të thotë: caqe pozitive të saj të përbëjnë kategori kulturore, të cilat të formojnë e përmirësojnë kombin dhe zhvillimin e tij. Arsimi dhe kultura shkojnë tashmë në fund të prioriteteve dhe ca më keq akoma: pushtetarët tallen hapur me kulturën dhe njerëzit e saj. Rama e përqesh hapur arsimin akademik dhe madje guxon të bëjë krahasime që i bien hapur ndesh përpjekjes akademike dhe mundimit të shumë individëve për të plotësuar CV-të e tyre. Pedagogët tanë i përgjigjen me përpjekjen protestuese për rrogat (që është e domosdoshme), por me asnjë ide, kërkesë, propozim dhe përpjekje për përmirësimin e kurrikulave dhe mënyrën e funksionalizmit. Frensis Fukujama e thjeshtoi edhe më tej këtë koncept të kulturës, sërish duke iu referuar Huntingonit në një intervistë, dhënë para disa kohësh:

    “… Huntington ka padyshim të drejtë në pohimin e tij të përgjithshëm se kultura ka rëndësi. Libri im ‘Besimi’ shpjegoi si kultura e përbashkët ishte baza e një niveli të lartë të besimit shoqëror në vende të caktuara dhe kontribuoi ndjeshëm në suksesin e tyre ekonomik. Pas botimit të ‘Kush jemi ne?’, Huntington u akuzua si racist anti-imigrant, por mua më duket që qëndrimi tij i përmendur ishte më se korrekt: Kolonët ‘Anglo protestantë’ të Amerikës së Veriut kontribuuan për suksesin e vendit, jo për shkak të përkatësisë së tyre etnike, por për shkak të vlerave kulturore që mbartnin duke përfshirë etikën Protestante të punës, besimin në individualizmin Locke-an, mosbesimin ndaj autoritetit të përqendruar shtetëror, si dhe të vlerave tjera.

    Ajo çka thashë atëherë në mbrojtje të vazhdimësisë së imigracionit drejt Shteteve të Bashkuara, ishte se këto vlera kulturore janë ndarë tashmë nga rrënjët e tyre të veçanta etnike dhe janë shndërruar në pronë të përbashkët të gjithë Amerikanëve. Por prirjet kulturore vazhdojnë të jenë të rëndësishme”. Kuptohet se vendi ynë nuk u formua dot në frymën dhe udhën amerikane as sipas ndonjë modeli më të përparuar kulturor sepse njerëzit ishin në masë analfabetë. “Rilindja” e fundshekullit XIX dhe kahet e ndryshme të shekullit XX nuk e përcollën dot formimin kombëtar në rrjedha normale, sepse imperativi më i madh ishte mbijetesa e identitetit të kombit.

    Në kohën tonë, megjithë arritjet e pamohueshme, ku politika e ka dhënë deri diku modestisht frymën e vet, ndryshimi për hir të së vërtetës s’ka ardhur kurrë në rrjedha normale, që do të thotë në konsolidimin e instancave dhe institucioneve në formë të mirë kulturore. Kjo vjen nga mungesa a formimit politik, përpjekjet e pakta për të ndryshuar, por më shumë se kaq statusquosë që duan politikanët për të mbajtur paradigma kallpe kulture në vendin tonë me tema që janë jashtë imperativëve të kohës. Kultura ka peshën kryesore në përparimin e një kombi dhe kjo ndërlidhet në disa forma me politikën, që në thelb e ka braktisur kulturën sepse është vetë e pakulturuar.

    Raste hibride, ku edhe në vende pa demokraci ka zhvillim, duken ende inkurajuese për politikën, qoftë dhe atë shqiptare. A është kjo vallë edhe rruga për demokraci hibride si jona, ku politika të zhvillohet pa kulturën?! Deri-diku po, nëse do të besojmë se profetët e demokracisë moderne e besonin zhvillimin vetëm me kulturën. Veçse paradoksi ynë është se: sot politikanët nuk kanë as aftësinë më të vogël të na tregojnë edhe referimin më të vogël kulturor, kur duan të na përcjellin në rrugën e demokracisë, sepse nuk e lidhin fare zhvillimin me kulturën…por me interesin pragmatik. /Panorama/

    (Homo Albanicus)

    Lajmi Paraprak

    Kur janë të gatshme bebet të kalojnë në ushqim të ngurtë?

    Lajmi i rradhës

    Ideja e dekadës | Reduktimi i dëmit për shëndetin e duhanpirësve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë