“Redaktorët trukokallë”

    Ledi Shamku

    E mbani mend besoj Kryeakademizmën kur rehat-rehat, faqe Qeverisë dhe Shkencës, citoi me afsh e me bindje njëfarë Caruana. Mirëpo, i doli që citimin e kish vjedhur nga një shkrim i tjetërkujt ngaqë libri i Caruanas nuk ekzistonte fare. Në çdo vend tjetër të Europës (ku po duam ta varim çengelin e Shkencës Shqiptare), pas kësaj thagme, autori i thagmës – në rastin tonë Gjinushi kreu i Akademisë – do kish dhënë dorëheqjen, a më e pakta Akademia do ta kish shkarkuar për shkelje të rëndë të Etikës Shkencore. Ja që Akademizmës së “reformuar” as që i skuqet faqja e “sovjeto-skuqur”, por vijon të na dëftojë se është një strukturë thellësisht otomane, ku Pashait i preken veç këmbët.

    Kjo është reforma aty. Veç kaq do kishte mjaftuar për t’ia neveritur atij dhe asaj edhe sovjetizmën edhe otomanizmën.

    Por, Shkencizma nuk të lë të mjaftohesh!

    Zhvillohet mbledhja për Enciklopedinë Shqiptare dhe akademiku i Caruanas vetëzgjidhet (me unanimitet thotë) kryeredaktor, dhe nuk ka as finesën dhe ndjeshmërinë që Prishtinën ta ketë në krah, por e le nën vete, pasi i lë vendin e zëvendëskryeradaktorit. E kam të qartë se në kokën e ministrit të Ramizit ka vetëm Nënrenditje dhe nuk e njeh Bashkërenditjen si koncept. Por, kjo nuk më ndalon të ndihem e lënduar e t’i kërkoj ndjesë vetiu Prishtinës. Me na falë, o vëllezër e motra, se për disa punë ne jemi ende peng i Kohës së Keqe …

    I vetmi sebep që ka pasur për të tillë hierarki varësuese kanë qenë paret, që në fakt nuk janë të Caruanizmës, por të taksapaguesve shqiptarë. Me të cilat ai, si në kohë të Enverit, e vë Kosovën nën vete e jo në krah. A nuk mund të ishte Prishtina bashkëkryeredaktore si ai?! Jo për një sovjeto-otoman. Nuk ia kishim borxh këtë turp …! Askush s’mund të rrijë e të vëzhgojë pa ndërgjegje të tilla shëmti.

    Sikurse asnjë shqiptar, këtej e andej Drinit, nuk ka si të ndihet qetë kur Enciklopedinë po ia kryeredaktoka vetë ai, Plagjiatori i Caruanës së paqenë! Pyes veten, po Caruana do ketë zë më vete në Enciklopedi? Duhet të ketë se s’bën se Caruana i paqenë shënjon stadin më të keq të degradimit shkencor e moral të Akademizmës – pra përfaqëson, për dreq, fazën historike më të përdrequr të saj.

    Do mblidhen dy mijë shkencëtarë nga anë e anës, të cilët do t’i kryeredaktojë Plagjiatori i Caruanës! Medet o shkencë! Lasgush të qofsha falë! Sot kishe për ta rishkruar atë strofën tënde aq shpirtplasur nga koha e keqe e që bën: “redaktorër trukokallë / redaktojnë vjershëtorët / pa më thoni, cilët vallë / redaktojnë redaktorët?”.

    Ja, po ta rishkruaj unë e më ndje, o Mjeshtër!

    Kryeredaktorët me Caruanë

    Kryeredaktojnë shkencëtorët

    Pa më thoni cila anë

    Na çliron nga kryeredaktorët?

    Lajmi Paraprak

    EShS do ta ketë vështirë ta kapërcejë problemin e mungesës së kuadrit

    Lajmi i rradhës

    UNESCO ka dhënë një afat shtesë për të ndaluar urbanizimin ilegal në Ohër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë