Hasan Hoxha
Në fillim ishte fjala. Pastaj erdhi mendimi. Pastaj erdhi autori. Sot është ChatGPT. Pastaj vjen kopjimi. Pastaj vjen askushi.
Kush e shkroi poezinë? Ti, me shpirtin tënd të trazuar, apo ChatGPT me algoritmet e veta të ftohta? Kush e shkroi esenë që sot e lavdërojnë në seminar? Ti, që as titullin nuk e ndryshove, apo një makinë që nuk ka as frymë, as ndjesi? Kush flet në fjalimet publike që lexon, ti apo makina që s’e di ç’është dridhja e zërit nga emocionet?
Kjo nuk është krijimtari.
Është prodhim me porosi.
Ti nuk je autori. Ti je një emër i vendosur mbi një tekst që nuk e njeh. Fjala, mendimi, ideja, struktura.. asgjë s’është e ytja. Ti je veç emri yt që ke vendosur aty. Fjalët i ke me qira. Idetë i ke me qira. Dhe më tragjikja, ndjenjat i ke me qira.
Jemi në kohën kur autori është… askush. Autori po zëvendësohet nga një chatbot që s’mban as emër mbi letër.
A është fajtor ChatGPT? Jo. Ai është vetëm një mjet, ashtu si lapsi, makina e shkrimit apo kompjuteri. Fajtor jemi ne që hoqëm dorë nga të menduarit. Nga zëri i brendshëm që gufon për t’u shprehur. Sot, më shumë se kurrë, mendojmë me ndihmë. Shkruajmë me ndihmë. Ndjejmë me ndihmë.
Nuk është krim të përdorësh teknologjinë. Por është tragjedi të mos kesh asgjë për të thënë pa të. E ardhmja nuk vuan nga mungesa e fjalëve. Ajo po vuan nga mungesa e mendjes që flet. Dhe kur një ditë, brezat pas nesh të shfletojnë shkrimet tona, a do të mund të dallojnë zërin tonë në to? Apo do të na trajtojnë si krijesa mitologjike?
Të shkruash nuk është vetëm të vendosësh fjalë në letër. Të shkruash është të pikturosh dhimbjen dhe gëzimin me fjalë. Një program nuk ka shpirt. Nuk ka pasion. Nuk ka kujtime. Nuk ka zë që të shkundë.