GËZIM TUSHI
Edhe pse jetojmë bashkërisht, shpesh e përjetojmë në mënyra të ndryshme individualisht, në mënyrë evidente, deterministe dhe të pashmangshme faktin që si shoqëri ndodhemi të përfshirë nga valët e forta të ndikimeve komplekse që ndodhin për shkak të efekteve transformuese të “parimeve boshtore” dhe “parimeve strukturore”, që po sjell një lloj “revolucioni të heshtur” social. Efektet sociale dhe kundërefektet individuale të të cilit janë të pranishme në jetën e përbashkët psikologjike, materiale, kulturore e postmateriale. Një “revolucion”, i cili edhe pse duket herë gradual, herë të tjera i “heshtur”, ka prekur “strukturat boshtore” të shoqërisë, tipologjitë e institucioneve sociale bazë dhe strukturën themelore të personalitetit të individit. Nuk është e drejtë që problemet e ndikimit të disa ndryshimeve thelbësore, radikale, tronditëse t’i vështrojmë mbi parime e gjykime universale, pa vlerësuar së pari ndikimin e tyre të kontekstualizuar, që kanë dhënë dhe japin në mënyrë të vazhduar e të pandërprerë në jetën sociale, në përditshmërinë e jetës familjare dhe individuale.
Të gjitha revolucionet shoqërohen ose me “përmbysje të forta”, ndryshime e transformime graduale, me efekte të padyshimta inkrementaliste në jetën e përditshme, duke sjellë efekte e kundërefekte të dëshiruara apo të parashikuara, rastësore, të paparashikuara, të papritura. Në shoqërinë tonë jo gjithnjë janë interpretuar drejt sociologjikisht, pa parti-pris ideologjike si parakusht për të kuptuar, përjetuar dhe interpretuar drejt ndikimet e “revolucionit të heshtur” social, i cili ka sjellë turbulenca konceptuale, tronditje të institucioneve të jetës sociale dhe piketave orientuese të individit. Thelbi i këtij “revolucioni” ka qenë antitotalitarizmi, refuzimi i skemave fosile të mbivlerësimit të “shoqërisë së madhe socialiste”, ideologjikisht të unifikuar, të mbështetur në dominimin etatsit të funksionimit të shoqërisë, formave arkaike e determinuese të “kostumit” të jetës individuale.
Në vend të tyre “revolucioni i heshtur” social i iniciuar nga goditjet e forta të revolucionit demokratik i dha shoqërisë shqiptare natyrën adekuate liberale dhe individualiste, duke e bërë atë të natyrshme, kompatibile me aspiratat humane të shoqërisë dhe individit. Por si çdo revolucion, edhe ky i heshturi, graduali që filloi tri dekada e gjysmë më parë, dhe që akoma nuk e ka mbyllur përfundimisht ciklin normative ta standardeve sociale, ka sjellë efekte pozitive në humanizimin e jetës shoqërore dhe marrëdhënieve midis njerëzve, duke i bërë ato më të natyrshme, të thjeshta, organike, pa mbingarkesat e supersocialitetit arkaik apo solidariteteve të tepërta, si mbingarkesë e panevojshme e trashëguar nga kaluara. Por nga ana tjetër, kjo arritje në favor të zbutjes së “këmishës së hekurt” të socialitetit mekanik, njeriut pa identitet personal dhe sovranitet të pavarur nga shteti dhe shoqëria, ka sjellë në mënyrë evidente një problem të madh, me pasoja sikurse është dobësimi i limfës sociale për shkak të “krisjes së fortë” që ka pësuar “çimentoja sociale” e shoqërisë. Sociologjikisht debatet që zhvillohen tek ne për këtë situatë të sjellë nga “revolucioni i heshtur” liberal dhe individualist, që ka prekur thelbësisht paradigmat tradicionale e klasike, duke “përmbysur” modelet e vjetra, mënyrat si ndërtoheshin dhe funksiononin, duke sjellë raporte të ndryshuara, që kanë plasaritur së tepërmi “çimenton sociale”, “kapitalin social”. Natyrisht nuk është fjala për atë “kapital” të “skaduar” të prodhuar nga “fabrika sociale kolektiviste. Në këto kushte është mirë të kuptojmë dhe pranojmë ndryshimet e dimensioneve të këtij “revolucioni të heshtur”, që solli këtë transformim të thellë të parimeve boshtore dhe strukturore, në rivendosjen e parimeve dhe formave të reja moderne në lidhjet midis individit dhe shoqërisë. Por kjo nuk mund të bëhet, nëse akoma jemi nën “efektet anestezike” të dogmave sociale të materializmit të vjetër historik.
Koha që jetojmë, relacionet humane e sociale, janë kaq të reja, të ndryshuara radikalisht, sa që është e pamundur të shpjegohen jo vetëm me tezat marksiste, por besoj se efektet e këtij revolucioni të heshtur, kapërcejnë edhe paradigmat neomarksiste e jomarksiste sartriare e markuzeane (J. P. Satri dhe H. Marrkuze). Kjo do të thotë se nuk mund të shpjegohen efektet sociale, që në jetën e përditshme nuk janë më të “heshtura”, nga ndikimet erruptive liberale dhe individualiste, të cilat po zhvillohen në mënyrë evidente si proces social, që në shoqërinë shqiptare po favorizon prirjen e theksuar individualiste, në kurriz të niveleve të drobitura të “çimentos sociale”, niveleve të tkurrjes së socialitetit, dobësimit të dimensioneve të solidaritetit social kontekstual. Padyshim, për të kuptuar realitetin e sjellë nga “revolucioni i heshtur” social, që jo gradualisht por me një ekspresion sociologjikisht evident e të përshpejtuar, nuk na ndihmojnë përdorimi “anestezisë” së dogmave të vjetra, por duhen vënë në lëvizje koncepte të reja doktrinore, narrative të reja joideologjike, për të kuptuar efektet e ndryshimeve kontekstuale. Sepse kjo situatë nuk është çështje thjesht me natyrë sociologjike, as pretenciozitet teorik, që duhet interpretuar me mekanizma teorikë dhe akademikë.
Dobësimi i “çimentos sociale” të shoqërisë, një produkt nga më kryesorë të “revolucionit të heshtur” social, nuk është problem thjesht ontologjik por më së shumti është fenomenologjik, sepse është një dukuri që duhet parë si realitet që është i përhapur dhe ka dimension të veçantë, intensitet që duhet vlerësuar përtej “pluhurit” të lidhjeve dhe marrëdhënieve sociale të jetës së përditshme. Unë besoj se kakofonia teorike, konfuzioni social reargues ndaj realiteteve të reja të “revolucionit të heshtur” në shoqërinë tonë, është rezultat i kapërcimit gati apokaliptik nga “parimet boshtore” kole ktiviste, në parime boshtore që kanë sjellë efekte evidente strukturore në raportet midis njeriut si individ dhe shoqërisë së sotme të fragmentuar, që nuk është më ajo struktura e vjetër sociale kompakte, që me “dhunë ideologjike” totalitare nivelonte personalitetin, shpirtin e individit në “kallëpe të ngurta” sociale. Në të vërtetë “revolucioni i heshtur” në këto tri dekada e gjysmë solli përmbysjen jo vetëm të parimeve boshtore totalitare, por edhe krijimin boshteve të reja strukturore në marrëdhëniet individ-shoqëri, bashkë me krisjen e “çimentos së vjetër sociale”.
Pikërisht për këtë arsye, sidomos për shkak të tranzicionit të zgjatur demokratik dhe kohës së shkurtër të zhvillimeve moderne, shoqëria jonë tani është më shumë se kurrë përballë një hallakatjeje të përgjithshme metafizike, konceptuale, empirike në përpjekjet e shumta për t’u përshtatur me imperativat e reja të kohës postmoderne, e cila në shoqërinë tonë po vjen përmes një rruge sui generis, e lidhur me shkaqe thelbësore që tashmë dihen, janë të njohura. Me sa duket, shoqëria akoma nuk është plotësisht e gatshme konceptualisht dhe kontekstualisht për të pranuar lirshëm efektet e këtij “revolucioni të heshtur”, që shoqërohet me turbulenca sociale shpesh herë kaotike, që ka sjellë vorbulla e zhvillimeve integrale postmoderne. S shoqëri kemi një varg problemesh me natyrë kontradiktore, që shpesh shfaqen enorme, paradoksale të lidhura me vështirësitë që kanë njerëzit tanë të t’i kuptuar saktë dhe shpjeguar drejt natyrën e tyre. Padyshim, është normale që një varg ndryshimesh që ka sjellë ky “revolucion social i heshtur”, që janë aq të shpejta në ndryshimin konceptual, dinamikën sociale, në formë strukturore, sa që kanë sjellë vështirësi të orientimit të njerëzve, përshtatjen e tyre me kërkesat e reja të kohës.
Sidomos e veçantë është kjo vështirësi për shkak të natyrës së kalimit, veçorive të kapërcimit vertikal nga shoqëria e koracuar tradicionale, drejt shoqërisë labile postmoderne, pa mundur të kishim në dispozicion hapësirën e nevojshme, kohën e duhur të realizimit të zhvillimeve të modernitetit social. Të ndodhur në këtë situatë, “revolucioni i heshtur” social është një forcë e papërballueshme, e cila e ka vendosur shoqërinë dhe njerëzit tanë përballë shumë imperativave të ngutshme të transformimeve parimore e strukturore, të nevojshme për tipologjinë e jetës postmoderne. Kjo do të thotë se kemi nevojë urgjente, së pari të largohemi nga përfytyrimet dogmatike të raporteve të individit me shoqërinë, “strukturat boshtore” tradicionale të jetës, nga interpretimet e sforcuara sociale.
“Revolucioni i heshtur” social është një apel për të ndryshuar më shpejt dhe pranuar ato me konsensus social. Sepse në mënyrë evidente, ai imponon të braktisim dogmat sociale, si kusht për jetuar organikisht, për të pasur si frymëzim dhe busull “ide jetësore” të vërteta. Sepse “revolucioni” ndikoi pozitivisht në favor të individit, lirisë individuale duke ridimensionuar konceptualisht, sociologjikisht dhe strukturalisht natyrën e vjetër të “shoqërisë së homogjenizuar”. Padyshim si çdo ndryshim, edhe ky ndikim patri anën e mirë dhe njëherësh edhe problematike. Sepse solli në mënyrë të barabartë edhe zvogëlimin e shpejtë të dimensioneve të “çadrës sociale”, që mbante të “mbuluar” individin nga njëra anë, por edhe rritjen në po ato përmasa të përgjegjësisë së individit. Vetëm kështu mund të hyjmë me guxim dhe hap të sigurt në postmodernitet, të cilin kur e shikon nga ana e jashtme, e efekteve dhe kundërefekteve të këtij “revolucioni te heshtur”, mund të duket sikur ai na ka vënë përballë një aventurë të re njerëzore. Në të vërtetë, nëse jemi koherent me këtë etapë të zhvillimit, atëherë duhet të bindemi, se ky “revolucion” na ka çuar në një etapë historike krejt e re, si fazë sociale në të cilën siç thonë sociologët, shumë gjëra “duhen shpikur nga e para”. Qoftë solidaritet dhe mënyrat e ndërtimit të solidarësive sociale, legjitimitetet, identitetet, sistemet e vlerave morale, piketat e orientimit social të raporteve të reja individ-shoqëri. Qoftë edhe me koston e natyrshme të “krisjeve” që ka pësuar jeta sociale…/Panorama/