Sa nuk është vonë, Tetova të shpallet zonë e ndaluar për ndërtime!

    Urim Hasipi

    Të udhëheqësh me komunën e Tetovës nuk është aq e thjeshtë. Mund të jesh kryetar në ndonjë komunë krejtësisht të harruar ku interesimi i mediave dhe opinionit është tepër i vogël. Por, të udhëheqësh komunën e Tetovës aspak nuk është punë e lehtë. Prandaj, qasja e drejtuesve të komunës duhet të jetë tepër e kujdesshme, por edhe vizionare e më kryesorja guximi duhet të jetë në vend të parë.

    Por, pse duhet guxim!

    Kryetari i komunës do të duhet të harrojë kalkulimet politike dhe elektorale. Ai, duhet që të shmang favorizimin e klaneve të mafias urbane, klane që kryekëput prioritet të vetëm e kanë pasurimin e tyre dhe shkatërrimin e qytetit të Tetovës. Prandaj, deri më tani është vërtetuar se ky bashkëpunim ekziston dhe pushteti lokal nuk ka fuqi të ndalë mafian urbane të ndëtojë, me arsyetimin e vetëm se arkëtohen shumë para nga taksat komunale. Por, në anën tjetër nga kjo e pëson qyteti si infrastrukturë, pastaj qytetarët e kështu me radhë…

    Nga ana tjetër, kjo komunë është shumë specifike, ku qytetarët apo votuesit e drejtpërdrejt janë ngujuar më kërkesa minimale. Ujë, rrugë, asfalt e kanalizim. Dhe, këto kërkesa tepër të vogla si duket janë vështirë të realizueshme. Çdo rrugë që asfaltohet, shumë shpejt dëmtohet. Në çdo rrjetë të ujësjellësit që vendoset haset në shumë probleme përcjellëse tjera me rrjetet nëntokësore e kështu me radhë. Këtë fat e ka edhe rrjeti i kanalizimit i cili aspak nuk korrespondon me numrin e banorëve dhe amvisërive. Kjo është Tetova në realitet. Fillohet një punë infrastrukturore dhe pastaj plot punë tjera të padukshme dalin në sipërfaqe. Prandaj edhe punimet si duket zgjasin aq shumë për një punë të vogël. Mungesa e një harte digjitale të rrjeteve nëntokësore qoftë të rrjetit të ujit, qoftë të kanalizimit apo të rrjeteve të kabllove optike e bën Tetovën një qytet mesjetar ku gjithçka që punohet fillon me “nijetin” se nuk do të këputet një kabllo ose një gyp. Por, praktika e deritanishme tregon të kundërtën. Nijeti me realitetin nuk korrespondon.

    Shumë herë këputen kabllot e rrjetit të internetit, ku qytetarët mbesin pa internet, shumë herë plaset gypi i ujësjellësit e qytetarët mbesin pa ujë. Tetova nuk e meriton këtë situatë. Tetova do të duhej që moti të kishte zgjidhur këto probleme dhe sot të flitej për një qytet modern të zhvilluar, pse jo edhe si destinacion turistik për shumë vizitorë të huaj. Tetova ka ngecur me dekada në probleme që nuk gjejnë zgjidhje. Në vend se të kishte fabrika për reciklim të mbeturinave, Tetova lufton për pastërti elementare. Në vend se Tetova të ishte destinacion i vizitorëve për monumentet kulturore si Xhamia e Pashës, Arabati Baba Teqe, Kalaja e Tetovës, kurse Çarshia e Epërme të ishte vend atraktiv me zanatet e vjetra artizanale, Tetova vazhdon të jetë e zhytur me ndërtime të banesave kolektive nga mafia urbane. Asnjë drejtues i komunës pse jo dhe kjo garniturë e tanishme, nuk gjetën forcë që qytetin e Tetovës ta shpallin zonë të ndaluar për ndërtime të këtyre ndërtesave shumëkatëshe që më shumë e ngulfasin qytetin se sa e zbukurojnë apo kanë ndikim në zhvillimin ekonomik. Tetova do të duhej të zgjerohej në pjesë tjera qoftë nga zona ekonomike qoftë nga pjesa nga Gostivari. Me këtë qasje të deritanishme e nesërmja do të jetë më e rëndë. Në rast të zjarreve edhe zjarrfikësit nuk do të mund të arrijnë në vendin e zjarrit. Kjo vlen edhe për situata tjera të jashtëzakonshme në fatkeqësi elementare, erëra të fuqishme, reshje të mëdha atmosferike e përmbytje. Kush dhe si do ta menaxhojë një situatë të tillë hipotetike një Zot e di!

    Prandaj, Tetova duhet që një herë e përgjithmonë të mbyllë temën e problemeve të akumuluara 34 vite me radhë. Të mos flitet për ujë, asfalt, gropa, kanalizim, mbeturina e kështu me radhë. Tetovës i duhet një investim madhor për të bërë të gjitha rrjetet furnizuese nëntokësore duke filluar nga largimi i shtyllave të rrymës elektrike prej betoni e druri e deri te vendosja e rrjetit të gazifikimit. Kjo kërkon punë, përkushtim, menaxhim, mjete të shumta financiare, por edhe plan të veçantë zhvillimor. Nëse sot asfaltohet një rrugë herë kurdo e njejta do të ripërpunohet që të vendoset rrjeti i gazifikimit, pse jo edhe i rrymës elektrike ose rrjetit të ujësjellësit që poashtu është i vjetëruar. Pra investimet që janë bërë në këto rrugë tash e 34 vite kanë qenë dhe janë vetëm humbje kohe dhe harxhim i mjeteve pa nevojë ose thënë shkurt, bëjmë një punë sot për sot e jo sot për nesër. Nuk do të duhet që kjo të jetë prioritet për administratën komunale të Tetovës, por prioritet do të duhet të jetë plani zhvillimor për të ardhmen. Pas zgjidhjes së këtyre problemeve do të duhej të flitej për bulevarde, parkingje në hyrje të qytetit e jo në mes të qytetit, dislokim të institucioneve dhe qasje më të lehtë te spitali.

    Sot, një tetovar harxhon më shumë kohë nga qendra për të shkuar në spital se sa prej qendrës deri në Shkup. Ky qytet dhe qytetarët e saj bashkë me rrethinën meritojnë më shumë. Është koha që durimi të dëmshpërblehet. Nëse qytetarët e Tetovës kanë heshtur dhe kanë duruar, kjo nuk do të thotë se nuk meritojnë të kenë një Tetovë më të bukur, më të pastër, më të zhvilluar dhe më të jetueshme për të gjitha gjeneratat. Më shumë parqe, më shumë shëtitore, më shumë vende për pensionistët, më shumë vende për rininë, më shumë kënde për lojëra, më shumë terrene sportive nëpër lagje, më shumë ndriçim publik. Përderisa problem kryesor që tre dekada është uji, kjo është vetëm iluzion se mund të presim zhvillim më të madh në të ardhmen.

    Urim Hasipi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Është çmenduri të urresh të gjithë trëndafilat, sepse të shpoi një gjemb…

    Lajmi i rradhës

    RMV, mbi 60% e grave përballen me dhunë në internet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë