Serbia, e vetërrezikuar nga riciklimi i luftës me NATO

    GJENERAL PIRO AHMETAJ

    Bota mbarë po ndjek me zemër të ngrirë luftimet e dimrit të përgjakur në Ukrainë. Kancelaritë perëndimore, Institutet dhe komuniteti i sigurisë/kolegë në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris, sigurisht në Prishtinë, Tiranë, Podgoricë, Sarajevë dhe Shkup po vlerësojmë (të zhgënjyer nga z. Vuçiç) me shqetësim kërcënimet e Beogradit Zyrtar mbi: “ri-kthimin e ushtrisë së Serbisë në kufijtë e sovranitetit të Kosovës të vendosur mbas fitores së fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantike (NATO/SHBA), mbas rezolutës së OKB1244 si dhe Marrëveshjes Ushtarake të Kumanovës”!

    Gjithsesi, kam heshtur me vetëdije të bëhem pjesë e “tallavasë mediatike” me pushtetarë dhe kuvendarë “të emëruar për t’u (sh) përdoruar nga superkryetarët e radhës”; me opinionistë të gjithëditur apo rambo-strategë të (de) graduar duke e shpjeguar “luftën, pra, marrëzinë e agresioneve ushtarake në kohët moderne me konceptet dhe parimet e Luftës II Botërore, në mos edhe më herët”!

    Gjithsesi, për të vijuar në linjë me ndoshta 100-ra analiza gjatë 30 viteve të para/pas Luftës Ballkanike si dhe duke besuar se opinioni mbarëkombëtar ka nevojë kritike për arsye racionale, pse jo dhe optimiste, në vijim po paraqes një analizë strategjike me 8 kërcënimet e Beogradit Zyrtar (kryesisht të ekspozuara përgjatë vitit 2022), në radhë të parë ndaj vetvetes, por edhe ndaj paqes, stabilitetit demokratik si dhe axhendës së integrimit në BE të 6 vendeve ballkanike: Rreziku nr. 1, paranoja e rikthimit me lavdi në vendin e krimeve kundër njerëzimit, si dhe riciklimi i opsionit të luftës edhe mbas humbjes turpëruese (23 vjet dhe 6 muaj më parë), duke kërcënuar zyrtarisht me ndërhyrje të trupave ushtarake ndaj tërësisë territoriale të Republikës se Kosovës, për më saktë në kufijtë që mbeten nën përgjegjësinë e KFORit qysh prej nënshkrimit të Marrëveshjes Ushtarake të Kumanovës (9 qershor 1999) mes palës fituese/NATO dhe palës humbëse/ Serbisë.

    Rreziku nr. 2, përpjekjet cinike të Beogradit Zyrtar për të testuar kohezionin mes 31 vendeve të NATO-s, të cilat si përgjigje edhe në këtë rast, konfirmuan se: “Kur kërcënohet paqja, kufijtë e rendit demokratik dhe interesat euroatlatike nuk bëjnë kompromise, pavarësisht konsumit perëndimor që është përpjekur të veshë në 10 vitet e fundit, z. Vuçiç ish-ministri i Millosheviçit dhe i përkëdheluri i Kremlinit.

    Gjithsesi, besoj z. Vuçiç e kujton në vetë të parë nga ‘sytë e gjakosur të Millosheviçit’ shpresën dhe zhgënjimin për të bllokuar vendimmarrjen nga 2 vende të NATO-s, kur në mesnatën e 23 duke gdhirë 24 marsi 1999, nga frëngjitë e bunkerit presidencial pa produktet e marrëzisë së Tij gjakatare: “Makinerinë kriminale të gjunjëzuar nga fuqia e pakonkurrueshme ajrore e SHBA dhe e Aleancës së Atlantikut të Veriut”. Nga pikëpamja ushtarake, shtoj se ZERO kapacitete, jo vetëm kundërajrore, përfshi Mig-29, etj. reaguan në vitin 1999.

    Po ashtu, edhe pse vitet e fundit Serbia shpenzon rreth një miliardë € për mbrojtjen, ka ZERO këllqe të sfidojë fuqinë ushtarake të NATO-s. Rreziku 3, reagimi delikuent i Beogradit (nën inspektimin diskreditues të ambasadorit rus!) ndaj një detashmenti policor për reciprocitetin e targave dhe standardet e sigurisë publike në gjithë territorin, duke ekspozuar 80 % të kapaciteteve ushtarake në kufi të Kosovës si dhe përballë trupave të NATO-s. Prandaj, si rrezik e çmoj edhe bojkotimin nga Lista Serbe të Kuvendit, Policisë dhe zyrtarëve të angazhuar në institucionet e Republikës së Kosovës, pasi edhe kjo ndërmarrje “çorri maskën e axhendës perëndimore” të Beogradit dhe në terren u provua si një aventurë e dështuar. Për edhe më keq shërbeu si fuçi me karburant në dobi të krimit të organizuar, kontrabandistëve dhe axhendës së ultranacionalistëve jo vetëm në Serbi.

    Rrreziku Nr. 4, fatmirësisht vetëdiskreditimi i Beogradit që pas çdo riciklimi të tensionit në veri të Kosovës akuzon qeverinë e Prishtinës se po kërcënojnë “ekzistencën e pakicës Serbe” si dhe ultranacionalistët shqiptarë si “Fitili i fuçisë së luftës ballkanike”, krejt të ngjashme me ato që Rusia përdori në 2014 e Krime, si dhe mbas shkurtit 2022 ndaj sovranitetit të Ukrainës. Por, ashtu si edhe Millosheviçi në 1999, Beogradi zyrtar mori “mesazhe të forta” nga Washingtoni & Brukseli duke konfirmuar se: “Kurrsesi nuk do të tolerohet një ndërhyjë me trupa ushtarake brenda tërësisë territoriale të Kosovës”, e cila, siç e përmendëm, prej qershorit 1999 mbetet nën përgjegjësinë e NATO-s. Rreziku Nr. 5, armatosja deri në dhëmbë dhe prishja e balancave të fuqisë ushtarake rrezikon paqen si dhe kërcënon interesat e SHBAve dhe NATO-s në Rajon.

    Kjo, pasi Serbia shpenzon rreth 1 miliard € çdo vit (ose 2 herë më shumë se 5 vende, RSH, MV, RK, MZ, B&H të marra së bashku) për tu armatosur (kryesisht nga Rusia, por edhe Kina) me tanke, Mig-29, Helikopter luftimi Mi-35, raketa Pantsir-S dhe FK-3 etj., ndërsa asnjë nga vendet që ndajnë kufij shtetërore nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë. Megjithatë, më duhet ta përmend që vetëm SHBA ka demonstruar vëmendje të shtuar, duke dërguar në terren përfaqësues të Senatit ”për të ndalur modernizimin e MIG-29, Raketave Pantsir-S, etj., por Beogradi nuk e ka përmbushur duke përfituar edhe nga “burokracia pa timon” e Brukselit.

    Rreziku Nr. 6, shpërdorimi konstant nga Moska për të shmangur vëmendjen strategjike nga Ukraina, duke nxitur Beogradin për të hapur një front të ri konflikti. Rasti flagrant ishte mbas humbjes turpëruese në Kherson, të vetmin kryeqytet të pushtuar dhe të shpallur “si pjesë të Mëmës Rusi”. Kështu, nuk mbetet më asnjë pikëpyetje nëse po përpiqet Kremlini ta manipulojë Beogradin për qëllimet e saj gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe, si e kapur në “në borxh” për bllokimin e Kosovës në OKB, varësia energjetike, linjat e gazit etj.

    Rreziku Nr 7, z. Vuèiæ e kaloi vijën e kuqe të besimit me marrëveshjen e partneritetit strategjik me Rusinë (të nënshkruar cinikisht në New York) duke e diskretituar Serbinë krah 5 shteteve terroriste. Prandaj, pa u tharë ende boja e kësaj marrëveshjeje, si përgjigje mori rezolutën e Parlamentit Europian: “BE të vijojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm NËSE ky vend u përmbahet sanksioneve kundër Rusisë”. Megjithëse duhet ta pranojmë që 10 vitet e fundit z. Vuèiæ ia ka dalë me sukses që: “Mbi jelekun antiplumb të Millosheviçit të veshë kostumin e perëndimorit duke dominuar deri diku axhendën personale, Kombëtare dhe ndërkombëtare”. Për rrjedhojë, Serbia u ka rrëshqitur përgjegjësive të krimeve të pushtuesit dhe të bëjë edhe viktimën, duke ngritur pikëpyetje kritike për aftësitë shtetformuese të Kosovës.

    Rreziku Nr. 8, përpjekjet delirante të z. Vuçiç, për ta shitur dhe imponuar vetveten para Perëndimit si faktor i vetëm i moderuar përkundër “rivalëve ekstremistë” në Beograd, për stabilitetin demokratik dhe të ardhmen europiane të Serbisë. Po ashtu, përpjekjen e Tij për “të pirë” nga dy nëna (Moska & Brukseli), si dhe për të luajtur me disa porta ose vende jomiqësore me NATO-n, të tilla si marrëveshja me Kinën edhe në fushën ushtarake për raketat e gjeneratës së fundit (FK-3), etj. Por edhe kjo qasje është e destinuar të dështojë me turp, ashtu si Millosheviçi mbas Marrëveshjes së Dejtonit. Në përmbledhje, e përsëris më fortë se:

    “Për sa për sa kohë ka dhe do vijojë të ketë prezencë të SHBA në Kosovë, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale, e cila në të njëjtën kohë është nën përgjegjësinë e NATO-s, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur”. Po ashtu, oshilacionet e z. Vuçiç mbi: “Kufijtë e rinj shtetërorë dhe trimërimin pas lufte për (mos) njohjet e Kosovës”, kurrsesi nuk mundet ta trembin fuqinë e sprovuar (1999!) të NATO-s, por vetëm rrezikojnë axhendën e integrimit të Serbisë drejt BE. Thënë këto, rreshtimin i Beogradit Zyrtar si kërcënim ndaj vetvetes, paqes dhe stabilitetit demokratik në vendet e Rajonit, si dhe interesave të NATO-s, SHBA & BE, i gjej si një oportunitet strategjik ndaj interesave kombëtare.

    Si e tillë, përkundër riciklimit të luftës barbare besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve, interesave të shoqërive edhe në 6 vendet e Ballkanit ende të paintegruara në BE.

    Në shtesë, historia e paskonflikteve na tregon se marrëveshje, Paqe & Stabiliteti, (me çdo lloj emërtimi) nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar themelet e mirëbesimit reciprok. Krimea është shembull i gjallë, ku arritjet nga Marrëveshja e Paqes-2014 po shpaguhen me gjakun e qytetarëve ukrainas dhe rusë. Me kapacitetin e një eksperti, me eksperiencë në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit, NATO-s etj., do sugjeroja aktorët dhe strategjistët/kolegët në Uashington dhe Bruksel që perspektivën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ta parakushtëzojnë me vetëm dy Masa të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi dhe Prishtina Zyrtare të ”imponohen” se:

    (1) do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake (me kapacitete ushtarake, Mig, Raketa, etj. deri në nivelin që reciprokisht të mos kërcënojnë integritetin territorial);

    (2) nuk do të vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë shtetërore mes dy vendeve sovrane si dhe këto dy kushte të monitorohen nga USA/ NATO/BE, të cilat mbeten faktorë kritikë për paqen dhe axhendën e integrimit në rajon. Nga ana tjetër, do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët politikë të Prishtinës që: “kërcënimet e Beogradit ndaj integritetit të Kosovës, ndaj prezencës së NATO-s, SHBA dhe vlerave perëndimore”, kurrsesi të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist si vetëm si një rrethanë të favorshme, por mbi të gjitha një sfidë shtetërore dhe përgjegjësi fisnike për të projektuar dhe ndërtuar Kosovën moderne përtej prezencës së NATO-s (që sigurisht nuk mundet të jetë e përjetshme…) ku mbi të qytetarët, pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin të rolit të saj nga konsumatorë në kontribuuese për paqen, stabilitetin demokratik dhe për integrimin në NATO dhe BE!

    Në të njëjtën kohë, do të risugjeroja faktorët institucionalë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një Platformë Strategjike: “Dy shtete, një komb” dhe atij “Smart/mençur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, duke garantuar SHBA dhe NATO se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit. Së fundmi, më duhet të konfirmoj, se ashtu si në të gjitha angazhimet në mbi 30 vjet në fushën e sigurisë kombëtare, Rajonit & NATOs: “mbetem ushtar i atdheut, më i përkushtuar, më i përulur dhe më i përgjegjshëm për të kontribuar me eksperiencë dhe ekspertizë strategjike në mbrojtjen ,si dhe zhvillimin e interesave kombëtare në rajon, Mesdhe dhe më gjerë” !

    * Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut, dhe IshKëshilltar i Presidentit të RSH & Zv/SHSHPFA, Ish – Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Gjermania parashikon mbikapacitet në terminalet e gazit LNG

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski: Ekipi amerikan ishte këtu për të na treguar se duhet t’i përfundojmë gjërat vetë në gjyqësor

    Lajme tjera

    Kulti i imazheve

    Justinian Topulli Krijuesi e ka pajisur njeriun me shqisën e shikimit, përmes së cilës ai dhe çdo krijesë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë