PROF. DR. ARBEN MALAJ
Thomas Jefferson, Presidenti i tretë i SHBA-ve që në vitet 1800 do të theksonte se: “Qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak”. Vlerësimet se “tregjet e lira nuk janë të lira nëse nuk janë të drejta dhe se rregullimi nuk është një pengesë, por një kornizë brenda së cilës tregtia lulëzon” ofrojnë një këndvështrim të balancuar.
Debati mbi rolin e qeverisë në ekonomi, veçanërisht nëpërmjet rregullimit dhe çrregullimit, është një nga linjat ndarëse kryesore midis ideologjive konservatore/të djathtët dhe liberale/të majtët. Këto dy perspektiva ofrojnë argumente të ndryshme mbi ndikimin e ndërhyrjes qeveritare në lirinë individuale, eficiencën ekonomike, drejtësinë sociale dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Liberalët argumentojnë se tregjet e lira, pa mbikëqyrje të duhur, mund të çojnë në dështime të tregut, siç janë pabarazia e madhe ekonomike, shfrytëzimi i punëtorëve, dëmtimi i mjedisit dhe abuzimet nga korporatat e fuqishme.
Rregullimet shihen si mjete të nevojshme për të korrigjuar këto dështime, për të siguruar një rrjet sigurie sociale dhe për të promovuar mirëqenien e përgjithshme. Liberalët janë të kujdesshëm ndaj derregullimit të pakontrolluar, duke paralajmëruar se derregullimi mund të rrisë pabarazinë, të krijojë instabilitet financiar dhe të lërë individët e prekshëm ndaj shfrytëzimit. Konservatorët priren të favorizojnë tregje më të lira dhe më pak rregullime qeveritare. Ata besojnë se ndërhyrja e tepërt e qeverisë mund të mbytë inovacionin, të rrisë kostot e biznesit dhe të pengojë rritjen ekonomike. Ata shpesh e kritikojnë rregullimin si burokratik, të paefektshëm dhe si një ndërhyrje të panevojshme në jetën e individëve dhe bizneseve. Friedrich Hayek dhe Milton Friedman (konservatorë) janë dy ekonomistë të shquar të shkollës austriake dhe asaj të Çikagos, që argumentuan fuqishëm për tregje të lira dhe një rol të kufizuar të qeverisë.
Ata theksuan efikasitetin e tregjeve spontane në gjenerimin e informacionit dhe alokimin e burimeve, duke paralajmëruar se rregullimet mund të shtrembërojnë sinjalet e tregut dhe të çojnë në pasoja negative në ekonomi. John Maynard Keynes, Joseph Stiglitz dhe Paul Krugman përfaqësojnë liberalët. Keynes argumentoi për rolin e qeverisë në stabilizimin e ekonomisë gjatë recesioneve. Krugman në kulmin e krizës financiare 2008 theksoi se në kohë të krizave ne të gjithë jemi nga pak kejnsianiste. Stiglitz ka theksuar se dështimet e tregut imponojnë rregullime për të mbrojtur interesin publik, veçanërisht në sektorin financiar dhe për të adresuar pabarazinë në nivele kërcënuese për demokracinë dhe ekonominë. Bizneset lobojnë fortë për politika derregulluese. Një argument i mbështetur nga konservatorët është se konkurrenca e lirë në treg mund të shërbejë si një formë efektive e rregullimit. Kompanitë që nuk u përmbahen standardeve të cilësisë, sigurisë ose etikës mund të ndëshkohen nga konsumatorët që zgjedhin konkurrentët e tyre.
Liberalët argumentojnë se konkurrenca e vetme nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të mbrojtur interesin publik, veçanërisht në rastet e monopoleve natyrore, asimetrive të informacionit midis prodhuesve dhe konsumatorëve, ose kur pasojat negative (si ndotja) nuk reflektohen në çmimet e tregut. Rregullimi duhet të rrit besimin dhe stabilitetin, pasi rregullimet e mira mund të nxisin besimin e konsumatorëve dhe investitorëve në treg, duke krijuar një mjedis më të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për aktivitetin ekonomik dhe risqet potenciale. Standardet e sigurisë, rregulloret financiare dhe ligjet e mbrojtjes së konsumatorit mund të zvogëlojnë rrezikun e krizave dhe mashtrimeve, duke kontribuar në një rritje ekonomike më të qëndrueshme afatgjatë.
Pas krizës financiare të 2008-ës, banka të mëdha u gjobitën me miliarda dollarë për praktika të rrezikshme dhe mashtruese që kontribuuan në krizë. Gjoba të tjera të rënda janë vendosur për pastrim parash, manipulim tregu dhe shkelje të rregulloreve mjedisore dhe të sigurisë së produkteve. Këto gjoba tregojnë rëndësinë e mbikëqyrjes dhe pasojat e rënda që mund të vijnë kur rregullimet mungojnë, ose nuk zbatohen siç duhet. BE-ja dallohet për politika rregullatore strikte dhe penalizuese për shkelësit e tyre. Mario Draghi në raportin e tij për prioritetet e BE-së 2025-2030, me fokus rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës thekson një sfidë të rëndësishme me të cilën po përballet BE-ja.
Standardet e larta rregullatore të BE-së, megjithëse synojnë të mbrojnë konsumatorët, punëtorët dhe mjedisin, mund të krijojnë një barrë më të madhe për kompanitë evropiane në krahasim me ato që operojnë në juridiksione me rregullime më të lehta. Kjo mund të ndikojë në paaftësinë e kompanive evropiane për të konkurruar globalisht, veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe inovacionit, ku shpejtësia dhe fleksibiliteti janë thelbësore. Kompanitë evropiane shpesh përballen me kosto më të larta për t’u konformuar me rregulloret e BE-së, duke përfshirë standardet e sigurisë së produkteve, rregulloret mjedisore dhe rregullat e privatësisë së të dhënave. Këto kosto mund të jenë veçanërisht të rënda për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të). Rregullimet e rrepta mund të ngadalësojnë procesin e inovacionit dhe rritjes së produktivitetit.
Aktualisht BE-ja zotëron 2 për qind të patentave në AI, ndërsa Kina zotëron rreth 15% të tyre. Në sektorët e teknologjisë, ku konkurrenca është globale dhe zhvillimet ndodhin me shpejtësi, kompanitë evropiane mund të gjenden në disavantazh në krahasim me konkurrentët e tyre amerikanë ose aziatikë, që operojnë në mjedise më pak të rregulluara. Kjo mund të çojë në humbje të pjesës së tregut dhe në një prapambetje teknologjike, prandaj kërkohen qasje të balancuara. Draghi sugjeron nevojën për një rishikim të politikave rregullatore të BE-së me synimin për të gjetur një ekuilibër më të mirë midis mbrojtjes së standardeve të larta dhe nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit. Kjo mund të përfshijë rregullime të bazuara në parime dhe jo në rregulla të detajuara. Kompanitë duhet të kenë më shumë fleksibilitet në mënyrën se si arrijnë objektivat rregullatore, duke nxitur inovacionin dhe duke zvogëluar barrën administrative.
Analiza e kujdesshme e kostos dhe përfitimit të rregullimeve te reja, duhet të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit të tyre ekonomik dhe social përpara aplikimit. Rishikimi i rregullimeve ekzistuese duhet bërë për të hequr të vjetruarat dhe/ose pengueset. Përpjekje për harmonizim rregullator me partnerët strategjikë për të zvogëluar divergjencat rregullatore me SHBA-të dhe vendet e tjera të zhvilluara mund të ndihmojnë në nivelimin e fushës së lojës për kompanitë evropiane. Debati mbi nivelin optimal të rregullimit është kompleks dhe dinamik.
Ndërsa rregullimi është thelbësor për të mbrojtur individët, shoqërinë dhe mjedisin, rregullimet e tepërta ose të keqdizajnuara mund të pengojnë konkurrencën dhe inovacionin. Gjetja e ekuilibrit të duhur kërkon një vlerësim të kujdesshëm të kostove dhe përfitimeve, si dhe një dialog të vazhdueshëm midis politikëbërësve, bizneseve dhe publikut. Në kontekstin global, BE-ja përballet me sfidën e ruajtjes së standardeve të larta rregullatore duke siguruar në të njëjtën kohë konkurrencën e kompanive të tij në një treg gjithnjë e më global dhe teknologjikisht të avancuar. Rishikimi i politikave rregullatore dhe përshtatja e tyre me sfidat e shekullit të 21-të do të jetë thelbësore dhe prioritare për ekzistencën, të ardhmen ekonomike dhe gjeopolitike të BE-së./Gazeta Panorama