XHEVAT MUSTAFA
Ndoshta kolosi Faik Konica i është lutur më parë Zotit që ta nxirrte se ia kishte futur kot me opinionin dhe skepticizmin e tij kur shkroi para 120 vitesh se “shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes”! Po afërsisht kështu është shprehur edhe kolosi tjetër kombëtar, Mit’hat Frashëri. Ai na ka lënë frazën dëshpëruese dhe tronditëse për vërtetësinë dhe anormalitetin në mendësi dhe veprime se, “shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat, posa të kenë përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre…!”. Këtë qortim, në forma të përafërta e me doza ca më të forta e ca më të buta, por gjithnjë me synim mendjendriçues dhe emancipues, ua kanë bërë bashkëkohësve e bashkëkombësve të tyre edhe kolosë të tjerë, si Fishta, Noli, Koliqi, Kuteli, Merxhani, Greblleshi, Camaj, Kadare, Shkreli, Rugova, Mekuli, Ali Podrimja, Teki Dervishi
Me shumë gjasa, një nga brengat më të mëdha e torturuese për këta dy kolosë të intelektualizmit dhe të shqiptarisë, në çastet e fundit të jetës, pra për Faik Konicën dhe Mit’hat Frashërin, mund të ketë qenë fakti se koha, nëpërmjet veprimeve të shumicës së shqiptarëve, sidomos të atyre me poste e pushtete të lartë, fatkeqësisht u kishte dhënë të drejtë. Ashtu si Faik Konica e Mit’hat Frashëri, edhe unë, një nga “nxënësit e studentët” e tyre apo një nga vijuesit modest të sotëm të tyre, uroj dhe dëshiroj që koha të më nxjerrë astrolog të keq e skeptik paranojak…! Apo më troç, krejt subjektiv e të gabuar! Edhe pse mund të them pa u mburrur se edhe unë e njoh shumë mirë këtë vend e këtë popull. Mund të kujtoj se e kam nisur “radiografinë” e tyre 34 vjet më parë, me refleksionin “Të kesh frikë nga vetvetja”, botuar në gazetën “Drita” më 23 dhjetor 1990. Pas këtij kam vazhduar në gazeta të tjera kritikat dhe këshillat e kolosëve të sipërpërmendur, për Shqipërinë dhe shqiptarët e shekujve 20 e 21, natyrisht duke i përpunuar dhe përditësuar apo aktualizuar e konkretizuar.
Po ashtu si ata, në mënyrën time të të konceptuarit dhe stilin tim të të shkruarit, po me dëshirën dhe qëllimin e mirë që të heqin dorë nga kjo mendësi dhe traditë më afër marrëzisë kolektive, vetëstërkëmbëse, djegëse të kohës se shumtë dhe të energjive të dobishme në luftërat me vetveten! Në mënyrë figurative, edhe “vetë skllavëruese” dhe “vetëvrasëse”. Nga sa duket, shprehet, kuptohet nga lart deri në majën e piramidës politike, qeveritare e shtetërore dhe deri poshtë, tek njerëzit e thjeshtë të dyqaneve të vet të vegjël apo të “ngujuem” gjysmën e ditës nëpër kafene e duke shikuar telenovela turke, sot për sot përforcohet dhe masivizohet bindja se kjo traditë ka vazhduar pa ndërprerje dhe do të vazhdojë shumë gjatë! Ndoshta, deri në të pamundshmen, sa të mërziten e ndjejnë keqardhje për ne, për të këqijat që i kemi bërë dhe i bëjmë vetes, pa ndjerë lodhje, keqardhje e pendesë, serbët dhe grekët! Pra, deri atë ditë, që dashtë Perëndia qoftë sa më e afërt, kur ata të na ulërijnë sa të dëgjohet anë e kënd Shqipërisë dhe botës shqiptare: po mjaft më u vratë, plagosët, sakatosët, përgjakët me njëri-tjetrin për hiçgjë apo për pak gjë! Edhe më shqip a troç: për një fjalë goje, për një shikim me zemërim apo përbuzje, për një pëllëmbë tokë kufindarës pronash, për një zënkë fëmijësh a grash, për një gërvishtje a vendparkim veturash, për parti e kryetar zemrash…! Mjaft u grindët për Biden dhe Trump e Putin, për Ukrainë e Rusi, për Khamenein dhe Netanyahun, për Messin e Ronaldon…! Duke u marrë me sherret e lukset e botës, keni harruar 1001 hallet e juaja! Se jeni prej rreth 112 apo 80 vitesh ndër të fundit në Evropë dhe botës për nivel jetese, demokracie, drejtësie… Se shumica e qyteteve, edhe ata turistikë, kanë ujë për higjienë nga 2- 0 orë në ditë…! Se po ua nxijnë edhe më shumë jetën dhe vendin korrupsioni i pafre, çmimet e larta apo të çmendur; papërgjegjshmëria e shumicës së politikanëve, pushtetarëve, zyrtarëve…!
Boll e vodhët, varfëruat, shkatërruat, ua shitët “miqve të largët” badihava me copa tokën dhe dy detet e vendit tuaj, përfshirë edhe Portin e Durrësit dhe Sazanin, kur mund t’ua blinim edhe më shtrenjtë ne, që i kemi lakmi dhe dëshira shumë shekullore…! Nuk e shikoni dhe nuk ju vjen keq që e mplakët dhe mpakët vendin tuaj, se na keni lodhur edhe neve duke festuar për gjëmat që i bëni vetes, në shumicën e rasteve, fare pa ua kërkuar e pa na harxhuar! Edhe pa qenë nevoja t’ua bëjmë këto me ushtri…! Lum ne, serbët dhe grekët, që ju kemi pasur dhe kemi fqinj…! Sikur të ndodhte vërtetë kjo mrekulli e çudi, që fqinjët tanë të ndjenin keqardhje të sinqertë për ne si popull e si komb, për të gjitha gjëmat që na kanë shkaktuar për të paktën 200 vjet në hartë, në copa toke, detesh, liqenesh, lumenjsh, në trupa, shpirtra, kulturë, memorie… do të ishte ngjashëm me pamundësinë e pendesës së tyre për ta na rikthyer me vullnetin dhe dëshirën e tyre të lirë gjithçka na kanë rrëmbyer me ushtritë e tyre dhe me vendimet e Fuqive të Mëdha nga Kongresi i Berlinit, rreth 147 vjet më parë, më 13 qershor 1878, deri në Konferencën e Londrës, më 30 maj 1913 apo rreth 112 vjet më parë. Natyrisht, kjo as mund të mendohet dhe as mund të shpresohet dhe pritet prej tyre. Sepse atyre u intereson që në Tiranë, në Prishtinë, Shkup e Tetovë, në Podgoricë dhe Ulqin… partitë shqiptare, kryesitë dhe pushtetarët e tyre… të vazhdojnë si qëmoti, të mendojnë dhe punojnë vetëm për përfitimet e tyre ngushtësisht individuale, familjare, klanore, partiake…!
Domethënë, pa u kujtuar për t’i vënë trutë në punë dhe ujët në zjarr për jetët, hallet e shumta, të mirën dhe interesin e shumicës së shqiptarëve! Prandaj, na mbetet si Shqipëri e si Kosovë, si komb të bëjmë tejet të vështirën për kokat shqiptare, që të ndërrojmë mend, mendësi, vese, egoizëm, ligësi, trashëgimi vetëshkatërruese…, duke mos pasur më apo këtej e tutje si parësor apo mbi gjithçka, interesin ngushtësisht vetjak e familjar, edhe mbi lagjen, fshatin, qytetin, Shqipërinë, kombin…! Për më tepër e më keq, për periudha të gjata kohore e kemi treguar dhe turpëruar vetveten edhe si popull që i ngre dhe mban perandorë, mbretër, sulltanë, pashallarë, agallarë, pushtetarë, diktatorë… mbi trupin e vet, që i do edhe më shumë se veten, që u puth duart me gjak shqiptarësh dhe u thur këngë, kur meritonin dhe meritojnë përbuzje, urrejtje, mallkime zemrash dhe plumbin në lule të ballit ose thikën sa më thellë në zemër! Prandaj, duke kapërdirë jo lehtë turp e dhimbje, mund të thuhet se edhe armiqtë fqinj e më të largët kanë gjetur në këtë “vend shqiponjash” shesh e kanë bërë përshesh! Po kështu, për të keqen tonë si popull e si vend, kemi pandehur, vlerësuar dhe nderuar shumë gjatë në kohë disa antishqiptarë për atdhetarë të mëdhenj e në të kundërtën, disa shqiptarë me zemra e vepra i kemi urryer dhe luftuar si mercenarë! Ferrin ku na kanë gremisur pushtetarët e plotpushtetshëm si sulltanë, perandorë, mbretër… e kemi pandehur, mburrur, mbrojtur, kënduar, pikturuar, fotografuar, filmëzuar… si parajsë.
Gjithashtu, kam opinionin subjektiv se ne si popull kemi edhe të keqen që u lënë hapësirë të gjerë e mundësi të shumta të njerëzve fare të rëndomtë e me dëftesa dhe diploma të dyshimta apo të blera, të zënë poste të lartë partiakë, qeveritarë dhe shtetërorë. Edhe të bëjnë profesorin apo të barabartin në biseda e debate me specialistë të njohur, me diploma dhe doktoratura universitetesh shqiptare e ndërkombëtare, me stiva të larta me artikuj studimorë e shkencorë, me libra e me çmime apo dekorata mendjeje dhe djerse të ndershme. Plot shqiptarë nga ky “brumë me grurë serb, turk, rus, grek, amerikan… do të vazhdojnë avazin e moçëm apo traditën e lashtë të skllavit, vasalit, servilit duke vënë mbi gjithçka rehatinë e prapanicave të tyre në “fronet e artë” të posteve e të pushtetit si dhe pandalshmërinë, deri në frymën e fundit, të përfitimeve të tyre të çdo mënyre, ngjyre dhe ere….! Në vargun e gjatë të gjëmave të kryera me mendje, shpirtra dhe duar shqiptare, pa u kthyer shumë prapa në kohë, mund të kujtojmë ato që na ranë si rrufe mbi koka pas 8 nëntorit 1941, kur Enver Hoxha, sipas orientimeve të “vëllezërve të tij jugosllave” dhe “sovjetikë” e lidhi Shqipërinë pas “qerreve” të Jugosllavisë e të Bashkimit Sovjetik si dhe pas “trenave” dhe “tankeve” të ish-kampit socialist! Pas 29 nëntorit 1944 është përfolur se shifra e viktimave të vrarë me vendime formale nga gjase “gjykatat popullore”, për më tepër e më keq, shumica nxjerrë dhe arkivuar pas ekzekutimeve të “armiqve të partisë e të popullit”, është ose e njëjtë, ose edhe më e madhe se e dëshmorëve, heronjve të popullit dhe viktimave të rastësishme nga ushtritë pushtuese italiane dhe gjermane!
Edhe pas 1990-ës, sidomos në demonstratat popullore në dhjetor 1990-22 mars 1992; gjatë trafiqeve me emigrantë për në Itali, qindra shqiptarë, edhe gra e fëmijë janë hedhur në dete nga bandat e trafikantëve! Është e vështirë, thuajse e pamundur të nxirret shifra e vërtetë e viktimave shqiptare nga duar po shqiptare gjatë revoltave masive të 1997-ës në Vlorë dhe disa qytete të tjera të Jugut, deri në Elbasan dhe Cërrik; gjatë sherreve dhe konflikteve për motive pronash dhe trafiqe drogash. . Ka më shumë gjasa që edhe shifra e viktimave shqiptare po nga duar shqiptare më 1997-2025, të jetë më e madhe se ajo e të vrarëve në luftimet me ushtritë italiane e gjermane! Në këto kushte, kur prej shumë dhjetëra vitesh, pa apo me dashje, kemi menduar dhe vepruar si armiqtë më të mëdhenj të vetvetes, jemi shumë të vonuar dhe është urgjente të rishikohet dhe rishkruhet historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, katranosur me duar e këmbë, turko-serbogreko-ruse.. nga Enver Hoxha dhe gjase historianët e tij në varre apo akoma në mjedise të Akademive të Shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë. Në mbyllje, duke u rikthyer tek titulli, do të na duhen qindra e mijëra vjet nëse presim nga fqinjët fare të afërt si dhe nga “miqtë” dhe “aleatët” e largët të na duan më shumë e më me sinqeritet se sa duhet të duam ne shqiptarët veten, familjet, Shqipërinë, Kombin…! /Panorama/