FATOS ÇOÇOLI
Rritja e ndjeshme e numrit të turistëve të huaj në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka sjellë shtimin e prodhimit bujqësor për tregjet e uritura të brendshme. Turizmi po bëhet një nga faktorët më transformues të tregut ushqimor në Shqipëri. Me mbi 11.7 milionë vizitorë me pasaporta joshqiptare në vitin e kaluar, sipas INSTAT, dhe me shtim dyshifror të tyre në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sektori turistik jo vetëm që po jep para dhe vlerë të shtuar më shumë se eksportet e mallrave tona dhe ndërtimi, por gjithashtu po ndikon ndjeshëm në strukturën, vëllimin dhe sezonalitetin e kërkesës për prodhim bujqësor, veçanërisht në zonat bregdetare dhe ato me potencial të agroturizmit. Konsumi i ushqimit nga turistët ka disa veçori që ndikojnë drejtpërdrejt në zinxhirin ushqimor të vendit.
Konsumi i turistëve rritet shumë sidomos në muajt korrik– shtator në zonat turistike në bregdet dhe zonat e vizitueshme malore. Në disa pika, si Dhërmi, Sarandë, Velipojë, Shëngjin apo Theth, popullsia shumohet me 3 deri 6 herë, duke rritur ndjeshëm kërkesën për produkte të freskëta. Fokusi është kryesisht në ushqimet e freskëta dhe tradicionale, të kërkuara në restorante të profilizuara në gastronomi shqiptare. Sipas një studimi të fundit të “Altax”, gjatë muajve të sezonit turistik veror, konsumi total ushqimor në vend rritet me 10 deri 15 për qind, me përqendrim më të lartë në qarqet Vlorë, Durrës, Lezhë, Sarandë dhe Shkodër, ku rritja mund të jetë edhe 30 deri 50 për qind, krahasuar me muajt jashtë sezonit turistik veror.
Edhe pse Ministria e Bujqësisë u ka ardhur në ndihmë reale këto dy vitet e fundit, këto zona përballen me kapacitete të kufizuara logjistike dhe mungesë planifikimi të furnizimit, që sjell ngarkesë të rrjeteve tregtare lokale, shtim çmimesh të produkteve ushqimore gjatë sezonit veror dhe raste mungese furnizimi. Kjo rritje e menjëhershme krijon jo vetëm presione mbi ofertën dhe çmime më të larta, por edhe rrit rrezikun e deformimeve të tregjeve lokale në zonat bregdetare dhe ato turistike malore. Sidomos në ato zona ku nuk kemi rezervë prodhimi ose infrastrukturë për grumbullim të shpejtë të produkteve. Ministria e Bujqësisë këtë shtim të jashtëzakonshëm të numrit të turistëve për t’u ushqyer nuk mund ta përballojë e vetme.
Nuk duhet lënë vetëm në krijimin e logjistikave të duhura të magazinimit të produkteve bujqësore në kohën dhe sasinë e kërkuar. Ajo duhet ndihmuar me fonde emergjente për të shërbyer për kontratat paraprake të prodhuesve me hotelet dhe resortet turistike, për diversifikimin e burimeve të prodhimit bujqësor e blegtoral. Për shkak të numrit të madh të vizitorëve, kemi pasur raste të shumta ku pritësit e turistëve janë detyruar të zëvendësojnë produktet vendase me importe afatshkurtra, duke krijuar presion mbi bilancin tregtar dhe duke humbur vlerën e shtuar të mallrave bujqësore lokale. Ndihma, fondet dhe intensiteti i mbështetjes së sektorit bujqësor dhe blegtoral duhet të vijë nga të gjithë ne, nga e gjithë qeveria, por edhe mediat dhe opozita.
Jemi në një periudhë prove me ushqimin sa më cilësor e dinjitoz të turistëve dhe tërheqjen dhe imazhin e produkteve shqiptare nuk duhet ta humbim. Përpos rritjes së buxhetit të financimit direkt të sektorit bujqësor, nevojiten edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera si kryerja e studimeve të plota të tregut, për të identifikuar produktet me kërkesë të lartë nga turizmi. Ne duhet të shikojmë me përparësi nga respektimi i standardeve ndërkombëtare të cilësisë për produktet tona bujqësore, përmes certifikimeve “Global GAP”. Certifikime të tilla e rrisin reputacionin e produkteve tona, duke i bërë ato më konkurruese si në tregjet e eksportit, ashtu edhe në atë të turizmit në tregun e brendshëm. Ne duhet të inkurajojmë dhe përshtatim teknologjitë moderne bujqësore, për të përmirësuar rendimentin dhe cilësinë e produktit nëpërmjet sistemeve të avancuara dhe praktikave të zgjuara bujqësore, duke përdorur, pse jo, edhe informacionin satelitor.
Qeveria duhet të sigurojë para që Ministria e Bujqësisë të mbështesë fort dhe konkretisht investimet në industrinë agropërpunuese, për t’i shtuar vlerën ndjeshëm produkteve tona bujqësore. Shtimi i produkteve të përpunuara dhe të paketuara jo vetëm që ka potencial më të lartë eksporti, por gjithashtu plotëson kërkesat e turistëve të huaj që ushqehen tek ne. Kjo kohë e rritjes së fortë të sektorit turistik është kohë prove për të gjithë ne. Nuk duhet ta lëmë vetëm Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Duhet t’i qëndrojmë afër me fonde të shtuara, me kujdes dhe informacion të ndershëm për sigurinë ushqimore dhe jo alarme për të shitur lajme të rreme në rrjetet sociale.