XHEVAT MUSTAFA
Prej shumë vitesh edhe në mediat dhe rrjetet sociale në vendin tonë, nga publicistë, studiues, neuro-psikologë, politikanë… është bërë krahasimi mes Sindromit pak ditësh të Stokholmit dhe nënshtrimit apo skllavërimit rreth 47-vjeçar të shumicës së popullit tonë gjatë diktaturës komuniste si dhe gjatë 22 viteve të qeverisjes nga Partia Socialiste, me qeveri të kryesuara nga Vilson Ahmeti, Ylli Bufi, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta, Edi Rama… E përbashkëta gjendet dhe shprehet në faktin dhe praktikën kohëgjatë apo më të shkurtër të bashkëjetesës mes skllavit dhe padronit, mes qytetarit të thjeshtë dhe pushtetarit autokrat e diktator, mes viktimës dhe keqbërësit të tij, mes hajdutit dhe të vjedhurit, mes idealistit dhe naivit kohëgjatë dhe mashtruesit profesionist dhe të pandreqshëm, mes të mirës dhe të keqes…! Për të qenë sa më i besueshëm dhe më bindës për kërkesën se sidomos pas masakrës dhe maskaradës zgjedhore të 11 majit 2025 dhe “fitores” së mandatit të katërt nga Rama-parti-qeveria, të paktën në vendin tonë e për popullin tonë, nuk ka përse të vazhdojë të përdoret termi “Sindromi i Stokholmit” dhe përse të mos zëvendësohet me termin “Sindromi i Shqipërisë”, po përcjell një informacion shkencor-vulgarizues për termin e parë, atë suedez.
SI LINDI E HYRI NË HISTORI “SINDROMI I STOKHOLMIT” DHE CILAT JANË SIMPTOMAT KRYESORE TË TIJ?
Në gusht 1973, katër punonjës të Sveriges Kreditbank në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, u mbajtën peng në një kasafortë të madhe të bankës për gjashtë ditë. Gjatë përplasjes, një lidhje në dukje tepër e rrezikshme për jetën e pengjeve, e panatyrshme dhe e papajtueshme, midis njërës nga femrat peng dhe rrëmbyesit pati një afeksion shpirtëror apo një start dashurie. Gjatë një bisede telefonike me Kryeministrin suedez Olof Palme, ajo deklaroi se i besonte plotësisht rrëmbyesve të saj, por kishte frikë se do të vdiste në një sulm të policisë në ndërtesë.
Pavarësisht se mbaheshin kundër vullnetit të tyre në një situatë kërcënuese për jetën, këta individë krijuan marrëdhënie pozitive me rrëmbyesit e tyre. Ata madje i ndihmuan të paguanin avokatët e tyre, pasi u kapën. Psikologët që kanë studiuar sindromin besojnë se lidhja krijohet fillimisht kur një rrëmbyes kërcënon jetën e një pengu apo grupi pengjesh dhe më pas zgjedh të mos vrasë asnjërin. Lehtësimi i pengut me heqjen e kërcënimit me vdekje mund të përkthehet apo të interpretohet në ndjenja mirënjohjeje e më të forta shpirtërore ndaj rrëmbyesit që i fali jetën. Siç dëshmon incidenti i grabitjes së bankës në Stokholm, duhen vetëm disa ditë që kjo lidhje të forcohet, pasi dëshira e viktimës për të mbijetuar e mposht dëshirën për të urryer personin që krijoi situatën dhe i rrezikoi jetën. Instinkti i mbijetesës është në qendër të “Sindromit së Stokholmit”. Viktimat jetojnë në varësi të detyruar dhe interpretojnë akte të rralla ose të vogla mirësie në mes të kushteve të tmerrshme si trajtim të mirë. Ata shpesh bëhen tejet vigjilentë ndaj nevojave dhe kërkesave të rrëmbyesve të tyre, duke krijuar lidhje psikologjike midis lumturisë së rrëmbyesve dhe lumturisë së tyre.
Në të vërtetë, sindromi karakterizohet jo vetëm nga një lidhje pozitive midis pengut dhe rrëmbyesit, por edhe nga një qëndrim negativ i pengut ndaj autoriteteve që kërcënojnë marrëdhënien peng-rrëmbyes. Dikush që ka “Sindromin e Stokholmit” mund të ketë ndjenja konfuze ndaj dhunuesit, duke përfshirë: dashuri, simpati, empati, dëshirë për t’i mbrojtur ata… Pas abuzimit ose mbajtjes në robëri, ata mund të kenë gjithashtu shumë simptoma të tjera, duke përfshirë: mohim, tërheqje sociale, ndjenja kronike të tensionit, ndjenja të boshllëkut, ndjenjat e mungesës së besimit dhe shpresës, depresion, ankth, pagjumësi, pafuqi; varësi e tepruar nga eprorët e të tjerët, me të cilët kanë raporte pune ose jete, humbje e interesit për veprimtari aktive… Nuk kërkon vramendje apo stërmundim kujtese për t’u bindur se këto simptoma i kanë pasur dhe i kanë edhe sot e kësaj dite dhe nuk dihet se deri kur, edhe shumica e shqiptarëve, akoma të gjallë e akoma në Shqipëri.
SINDROMI 80-VJEÇAR I SHQIPËRISË DHE SHQIPTARËVE…
Faktet që ne si shumicë jemi bartës apo përhapës të “Sindromit të Stokholmit” janë të moçme e fare të freskëta, të shumta sa nuk numërohen dot për të pasur një statistikë të saktë. Ashtu si pengjet e Stokholmit, ne si shumicë populli, veçanërisht në masë ata “të majtë” janë të dashuruar marrëzisht dhe përjetësisht me diktatorët dhe persekutorët e tyre, që i kanë trajtuar për një jetë të tërë si skllevër apo kavie për eksperimente politike, sociale, ekonomike…! Nënkuptueshëm, edhe me grabitësit e djersës dhe gjakut të tyre me rrugë e forma korrupsioni, me “përdhunuesit moralë e fizikë”, me prokurorët dhe gjyqtarët, kuadrot e policisë e të ish-Sigurimit famëkeq enverist, që i kanë dënuar me spiunime dhe akuza të pabaza për një fjalë shpirti dhe goje…! Apo, që për motive krejt politike dhe paranojë për mbijetesën e tyre sa më të gjatë në pushtet, u kanë vrarë, burgosur e internuar gjyshër, baballarë e nëna, xhaxhallarë e dajallarë…! Kjo bashkëjetesë rreth 80- vjeçare mes persekutorëve dhe viktimave shpreh lidhjen dhe ngjashmëritë e drama-tragjedive 80-vjeçare të shumicës së shqiptarëve me dramën 6-ditore të autorëve, përjetuesve dhe mbartësve të “Sindromit të Stokholmit”.
Sipas meje, në parim, të jesh sot enverist dhe edramist, “i majtë shqiptar”, edhe kur kryetari i partisë dhe kryeministri i qeverisë së saj të ka fyer, duke të quajtur “çyryk”, “gjysmak” apo partinë e parë e ka quajtur “bordello”, shpreh besnikëri dhe partishmëri të verbër apo të çmendur. Apo, se je shumë tepër dhe shumë më gjatë në kohë, deri përjetësisht, i prekur nga “Sindromi i Stokholmit”! Për më tepër e më keq, ndaj një partie që të ka mashtruar e trajtuar kafshërisht për 80 vite me radhë dhe pa ndjerë e shprehur pendesë dhe ndjesë. Edhe kali, mushka, pela, gomari, qeni, macja… kur e dinë se në cilin krah kanë një gjarpër a rrezik, nuk e harrojnë nga mund t’u vijë e keqja dhe shpejt ndërrojnë drejtim e rrugë… Ndërsa shumica e shqiptarëve “të majtë” kanë mbi 80 vjet që shkojnë e votojnë në një krah politik, si kope për një parti, që me qeveritë e saj, njëra më e paaftë dhe më e korruptuar se tjetra, u ka nxirë jetën dhe Shqipërinë, që e ka katandisur vendin në një azil të madh pleqsh, duke lënë prindërit pa fëmijë e pa përkujdesjen e tyre, pa nuset dhe burrat e tyre; gjyshërit pa nipër e mbesa…
Një e keqe tjetër e jona, e lidhur edhe me simptomat kryesore të “Sindromit të Stokholmit” dhe mbështetëse e kërkesës për ta zëvendësuar me “Sindromin e Shqipërisë”, është se plot shqiptarëve, jo vetëm që ua kanë shpëlarë trutë Enver Hoxha dhe Edi Rama, por ua ka ënda të qëndrojnë si skllevër të lirë, të palidhur me pranga në duar dhe zinxhirë në këmbë si ata të lashtësisë; të ngujuem kafeneve dhe pijetoreve, stolave të lulishteve, ekraneve të televizorëve…, me nga një gotë rakie sade ose me një filxhan kafeje përpara, duke bërë akademikun edhe në politikë, duke anatemuar apo kryqëzuar Sali Berishën dhe qeverisjen e tij vetëm 12-vjeçare dhe duke ia “harruar” dhe falur të gjitha gjëmat që kanë përjetuar për rreth 70 vjet PKSH-PPSH-PSSH dhe qeverive të saj…! Edhe të verbrit plotësisht nga të dy sytë e kanë parë dhe e shikojnë se pas 1990- tës, sidomos pas 2013-ës, jemi pushtuar nga brigadat e neoenverizmit, për afro 20 vjet në formën e edramizmit. Kjo është në aleancë politike, ordinere, kriminale, që duket sheshit me çetat, brigadat, bandat e prodhuesve e të trafikantëve të drogave; me tufat e të korruptuarve, të oligarkëve, “investitorëve strategjikë”, patronazhistëve, sorosistëve…!
Njëherazi është edhe një aleancë apo realitet që nuk mbulohet dot me gjethet e fiqve dhe të degëve të kanabisit të gjithë Shqipërisë… Të gjithë janë pjella të një “nëne”, të “qumështit, brumit dhe bukës” së duarve të saj të përgjakura, më së shumti me gjak shqiptar, viktima të saj e të “bijve dhe bijave” të saj…! Njëri më shumë se tjetri pa ndjeshmëri, dhembshuri, përgjegjshmëri… njerëzore e kombëtare! Nga sa u shpreh më sipër, kam bindjen se “Sindromi i Stokholmit” është tejet i vjetruar dhe konsumuar si kohë; tejet minor për nga përmasat e gjëmave e të viktimave të vdekura e të gjalla në krahasim me “Sindromin e Shqipërisë e të shqiptarëve”! Atëherë, mund të kemi të drejtë të mendojmë dhe shprehim pyetjen: cili variant mbetet më i sakti dhe më “popullori”? Apo, për tolerancë, konsensus dhe respekt të së drejtës së autorit të variantit të parë, mund t’i bashkojmë dhe të pranojmë variantin e dytë, “Sindromi i Stokholmit dhe i Shqipërisë”./Panorama