QEMAL ÇEJKU
Jam në merak nëse realisht studentët zgjodhën degët prioritare në këtë fillimviti të ri akademik, se përsa i përket numrit të tyre, e shohim gjithmonë në rënie (20% më pak studentë në 10 universitetet kryesore publike dhe gjysma e kuotave bosh). Nismat e pastudiuara e të papilotuara kanë dështuar shumë shpejt në gjithë këto vite që eksperimentohet në sistemin arsimor. Kjo ndodh sepse kjo qeveri është fokusuar te produkti për ta përdorur si ‘show’ i radhës, edhe pse rrënjët ka kohë që janë zbuluar nga vetë sistemi
Degët e mësuesisë janë drejt mbylljes dhe nuk pranohen të ndiqen nga studentët, edhe pse u thuhet që nëse do studiojnë për mësuesi do kenë 40 mijë lekë në muaj shpërblim (i kanë marrë apo jo nuk dihet, por mendoj që jo). Nëse nuk rregulloni statusin e mësuesit të dashur pusht(etarë), shpërblimin e merituar monetar dhe jo vetëm, jo me kushtin nëse je apo jo drejtues, rënia do të vazhdojë në pikiatë. Nuk ka arsim pa kushte normale në shkollë, pa kabinete për secilën lëndë.
Nuk ka shkallë të mirëfilltë hierarkie nëse mësuesi nuk pret nxënësit në kabinet, por bën sorollatje dhe ecejake me një regjistër nga klasa në klasë si brigadier pa llogaritur edhe mjetet (ato pak që ka) që duhet t’i marrë me vete. Është emergjencë rregullimi i marrëdhënies mësues-nxënës dhe marrja parasysh e meritokracisë për secilin nxënës, që nëse nuk kalon klasën, t’i jepet një mundësi në shkollën verore, por nëse nuk kalon provimin, përsërit klasën. Duhet komunikim efektiv drejtues-mësues, mësues-prindër si hallka vendimtare të zhvillimit dhe rivendosjes së normalitetit në sistemin arsimor.
Këto dhe shumë të tjera do ta lartësojnë figurën e mësuesit, ashtu siç kanë misionin e tyre të edukimit. Të mos mbetet mësuesi duke bërë kurse si rruga e vetme e mbijetesës; sot mësuesi pasi mbaron punën, sorollatet nga qendra në qendër apo në shtëpi për kurse e trajnime. Jo, të nderuar, mësimi zhvillohet në shkollë, trajnimi bëhet në universitete e jo te kolegët tuaj, të cilët kanë lidhje qeveritare apo kanë përfituar nga kaosi administrativ. Sot në të gjitha institucionet arsimore e jo vetëm, ka filluar marrja e të dhënave personale për llogari të zgjedhjeve politike, me lloj-lloj formash. Në arsim përveç drejtuesve, kanë ngritur një armatë elektorale me mësues koordinatorë, oficerë dhe lloj-lloj forme. Kjo jo vetëm e largon nxënësin nga shkolla publike, por edhe jashtë vendit.
Tre janë faktorët që mund të zhvillojmë arsimin:
-Infrastruktura në të gjitha shkollat e vendit të jetë funksionale, (të heqim dorë nga shkollat klasike lindore), me kabinete, transport lokal, ushqim dhe siguri reale.
-Kurrikul e dalë nga ekspertët, duke qenë në frymën e kulturës e traditës sonë arsimore, tekste shkollore të mirëhartuara me eksperiencën e autorëve vendës e jo vetëm.
-Statusi i mësuesve, ai ekonomik e profesional, (të bëhet profesion i kërkuar nga studentët ekselentë), trajnim i vazhdueshëm i mësuesve për gjatë gjithë ushtrimit të profesionit, vendosjen e IT në programet universitare, si faktori themelor i ecjes para.
Rekomandime do të kishte me qindra nga ekspertë të tjerë, por në fund do të ishin disa rekomandime me vlerë, që qeveria duhet të ulet me institucionet e ekspertët për të bërë një strategji reale me afate e plan pune jo thjesht për fushatë. Nëse jo, vazhdoni e u merrni studentëve votën, shpirtin, sepse profesionin ua keni masakruar. /Panorama/