Taksa e sheshtë dhe rreziku i stabilitetit financiar

    PROF. DR. ARBEN MALAJ

    Taksë e sheshtë apo taksë progresive mbi të ardhurat personale (TAP) – është një nga dallimet thelbësore midis të djathtës dhe të majtës. Ajo vepron mbi të gjitha të ardhurat me të njëjtën përqindje. Partia Demokratike edhe për zgjedhjet parlamentare 2025 e paraqet taksën e sheshtë prej 10 për qind si zgjidhjen magjike për të gjitha problemet kritike që kanë ekonomia dhe buxheti. Por sa real është efekti “magjik” i taksës së sheshtë? Parimi bazë i taksës së sheshtë është që të gjithë, pavarësisht se sa fitojnë, paguajnë të njëjtën përqindje të taksës mbi të ardhurat e tyre. Edhe “trumpistët shqiptarë” mbrojnë dhe promovojnë me forcë se taksa e sheshtë është e lehtë për t’u kuptuar dhe zbatuar, zvogëlon mundësinë e evazionit fiskal dhe mund të stimulojë punën dhe investimet. Por a veprojnë këto efekte pozitive të izoluara nga kushtet e tjera? Aplikimi i taksës së sheshtë nga PD në 2009-2013 rezultoi një dështim i rrezikshëm për stabilitetin financiar. Për të fshehur rënien e të ardhurave buxhetore nga aplikimi i taksës së sheshtë 10 për qind pasi rënia e të ardhurave buxhetore nuk u kompensua nga një rritje ekonomike më e lartë, qeveria filloi mbledhjen e sforcuar të të ardhurave dhe aplikoi vonimin/bllokimin e pagesave nga thesari. Por, vonesat e pagesave dëmtojnë shëndetin financiar të bizneseve dhe stabilitetin financiar të ekonomisë.

    Niveli i shqetësimit/risqeve potenciale varet nga frekuenca dhe madhësia e vonesave. Nëse pagesat e vonuara janë të shpeshta, ato krijojnë kriza likuiditeti. Kjo, pasi vonesat mund të lënë bizneset dhe individët pa likuiditete. Kjo rrezikon aftësinë e tyre për të funksionuar, duke çuar i çuar deri në falimentim. Vonesat krijojnë rritje të kostove financiare sepse për të kompensuar mungesën e likuiditetit, bizneset mund të detyrohen të marrin kredi me norma interesi bankare të papërballueshme. Më të rëndat dhe më të rrezikshme janë kostot për bizneset ose individët që i drejtohen tregut të parasë me fajde. Vonesa në pagesa mund të shkaktojnë efekte domino. Mungesa e pagesave të rregullta mund të dekurajojë bizneset nga investimi dhe zgjerimi, duke ngadalësuar rritjen ekonomike. Ndërkohë, falimentimet e bizneseve çojnë në humbje vendesh pune dhe rritje të papunësisë, me pasoja negative sociale në rritje. Ky është momenti kur taksa e sheshtë e “vret ekonominë” dhe stabilitetin financiar. Një rezervë për uljen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe kostos së tyre të rritur, është ulja e përjashtimeve tatimore/ “shpenzimeve tatimore”. Të cilat përfshijnë uljet e taksave, përjashtimet, zbritjet ose shtyrjet. Madhësia e tyre në nivel global varion nga 3 deri në 5 për qind të PBB-së. Reduktimi i tyre gradual krijon të ardhura shtesë në buxhet. Politikëbërësit duhet të mbajnë parasysh se nëse ulja e taksës së sheshtë nuk kompensohet nga një rritje më e madhe ekonomike dhe një menaxhim më i mirë financiar, shteti do të mbledhë më pak para. Kjo mund të çojë në probleme/rreziqe të mëdha.

    Qeveria do të ketë më pak para për të financuar shërbime të rëndësishme si shëndetësia, arsimi dhe rrugët. Një rritje të deficitit buxhetor, pasi nëse shpenzimet buxhetore mbeten të njëjta ose rriten, ndërsa të ardhurat buxhetore bien, shteti do të ketë një “deficit/gropë” më të madhe në buxhet. Për të mbuluar këtë “boshllëk”, qeveria mund të detyrohet të marrë më shumë borxhe, duke përkeqësuar më tej stabilitetin financiar të vendit. Vonesat në pagesa e ngushtojnë lakun/krizën e borxhit te qafa e bizneseve private, kompanive publike, institucioneve publike dhe zinxhirit të shitjeve të paarkëtuara si për bizneset, edhe për individët. Ato do të rriten pasi qeveria mund të përpiqet të fshehë rënien e të ardhurave, duke vonuar ose ndaluar pagesat për bizneset, kompanitë dhe institucionet për një periudhë të konsiderueshme kohore. Kjo mund të rrezikojë falimentimin e bizneseve për shkak të mungesës së parave dhe duke shkaktuar një krizë të përgjithshme ekonomike. Institucionet financiare ndërkombëtare edhe për Shqipërinë rekomandojnë një administratë tatimore thellësisht e pavarur, profesionale dhe asnjanëse. Rekomandojnë modernizimin e sistemit tatimor, thjeshtimin e procedurave, trajnimin e stafit, uljen e kostos së mbledhjes së të ardhurave tatimore dhe luftë efektive kundër korrupsionit. Kërkohet zgjerimi i bazës tatimore nëpërmjet formalizimit të ekonomisë informale dhe eliminimin e përjashtimeve të panevojshme.

    Legjislacioni tatimor duhet të jetë sa më i qartë dhe sa më i thjeshtë në të kuptuar dhe të zbatuar nga taksambledhësit dhe taksapaguesit. Ndryshim i shpeshtë i legjislacionit tatimor, disa herë gjatë çdo viti tatimor, shpesh me akte normative dhe për interesa të dyshimta dhe jashtë paketave buxhetore, cenon sigurinë juridike, ushqen informalitetin dhe korrupsionin. Harmonizimi i politikave tatimore me direktivat dhe standardet ndërkombëtare duhet të jetë një prioritet i vazhdueshëm dhe jo një aksion formal. Në rritjen e kulturës së vetëpagimit të taksave, ndërgjegjësimit publik dhe rritjen e besimit në përdorimin e fondeve publike ka efekt ndikues të ndjeshëm.

    Bazuar në studime të thelluara dhe faktet në raste konkrete të aplikimit të mosthelluar të efekteve pro dhe kundër të taksës së sheshtë të ulët, ajo mund të dështojë për disa arsye kryesore, siç janë: thellim dhe rritje të pabarazisë sociale, sepse mund të godasë më shumë ata që kanë ardhur të ulëta; rënie e ardhur pasi nëse norma e saj është shumë e ulët dhe rrezikon stabilitetin financiar. Në varësi nga kompleksiteti i përgjithshëm i komplikuar; taksa e mund të mos jetë e sheshtë për të gjitha llojet e ekonomive. Duhet të mbajmë parasysh se nga cilësia e dobët e jetës, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës rurale, vullnetshmëria e pagimit të taksave do të vazhdojë e ulet, pasi është shumë i ulët morali i taksapaguesve për t’i vetëpaguar ato. Rreziku kryesor i uljes së taksës së sheshtë është rritja e borxhit, jo vetëm ai publik, por edhe e borxhit të kompanive publike e private dhe e individëve.

    Biznesi dhe individët mund të zbusin e efektin negativ të pagesave të vonuara duke marrë kredi, por interesi bankar është jo i lehtë. Prandaj ulja e taksë së sheshtë pa masa kompensuese mund të çojë në pak të ardhura për shtetin, rritjen e deficitit të buxhetit dhe akumulimit të borxhit publik. Një borxh i lartë kërcënon ekonominë dhe stabilitetin financiar. Hartimi i politikave tatimore duhet të bazohet në analizën e kujdesshme dhe nuk duhet të bazohet vetëm në përfitimet teorike. Taksa e sheshtë e ulët nuk është “plumbi i artë” për problemet tona të trashëguara, të vështira dhe sidomos për të ardhmen evropiane.

    * Ish-ministër i Financave dhe ish-ministër i Ekonomisë (1997-2005)

    /Gazeta Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “ShBA mund ta njohë Krimenë si territor rus”

    Lajmi i rradhës

    VLEN hedh poshtë çdo mundësi bashkëpunimi në zgjedhje me Taravarin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë