Të gjitha rrugët çojnë në…

    EDMOND TUPJA

    Ndonëse, rreth pas një muaji, do të jem bërë treçerekshekullor, më kujtohet fare mirë shprehja e dikurshme “Të gjitha rrugët çojnë në Moskë”: Ishte koha kur e kishim grurë me Bashkimin Sovjetik, kokën e kampit të atëhershëm socialist. Në vendin tonë – këtë e mësova më vonë – fill pas Çlirimit më 28  apo 29 nëntor 1944 dhe deri në vitin 1948, ishte përdorur gjysmë heshturazi shprehja “Të gjitha rrugët çojnë në Beograd”, sepse, që me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, ideja e udhëheqjes serbe, me qitje të largët, kishte qenë kthimi i vendin tonë në një republikë të shtatë të  Jugosllavisë.

    Mirëpo, nga përplasja ideologjike e Titos me Stalinin, përfitoi Enver Hoxha dhe, natyrisht, deri në vitin 1961, “të gjitha rrugët çonin në Moskë”, d.m.th. gjithçka, po vërtet gjithçka – politikë, ekonomi, arsim, shkencë, art e kulturë, ushtri, polici, drejtësi etj., etj., madje deri në mënyrën e të veshurit –,  gjithçka, pra, u konceptua, u planifikua, u realizua e funksionoi sipas modeleve dhe direktivave të Moskës; madje, parulla në fjalë nisi të shoqërohej përherë e më shpesh me parullën “Miqësia, garancia!”.

    Mirëpo, ja që Hrushovi na doli tradhtar ose, më saktë, revizionist, dhe Bashkimi Sovjetik, nga vendi i parë komunist, i Leninit e i Stalinit, në mbarë botën, na u kthye befas në vend socialimperialist, të paktën sipas Enver Hoxhës, i cili, me t’u lidhur me Kinën e Mao Ce Dunit, la gati haptas të kuptohej se “të gjitha rrugët çonin në Pekin”! Madje, asokohe një rapsod shqiptar i këndoi si vijon dyshes Mao /Enver: “Dy luanë ka sot bota / Një Azia, një Evropa”! Ndërkohë, parulla “Miqësia, garancia!” vazhdonte të kishte kuptim, aq më tepër që Kina e Mao Ce Dunit nuk i kursente kreditë e saj për “vëllezërit shqiptarë”, kredi që shpesh ua falte.

    Pastaj, thuajse dy dekada më vonë, kur Kina Popullore u afrua me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa u konsultuar paraprakisht me Enver Hoxhën, të gjitha rrugët që e çonin gjithmonë diku Shqipërinë e vogël, këtë “zë të së vërtetës” marksiste-leniniste, këtë “fanar të pashuar” të socializmit në Evropë, pra, të gjitha rrugët në fjalë u mbyllën për t’i ngujuar shqiptarët “marksistë-leninistë” 24 karat në 28 000 kilometrat e tyre katrore. Megjithatë, rrugët në fjalë tanimë çonin ekskluzivisht në uritjen sistematike të popullit që ushqehej me tallon, që mendonte me tallon, që zgjaste radhët e tij që pa gdhirë para bulmetoreve, ushqimoreve etj., etj., por jo para nevojtoreve.

    Rrjedhimisht e për pasojë krejt të pashmangshme, parulla “Miqësia, garancia!” u zhduk nga qarkullimi për t’u zëvendësuar me parrullën “Ndërtojmë socializmin duke u mbështetur në forcat tona”, çka u shoqërua me një “vigjilencë revolucionare” të paparë, falë së cilës u rrit krenarisht numri i të burgosurve dhe i të internuarve politikë, si edhe numri i të rinjve që orvateshin të arratiseshin nga atdheu i tyre i izoluar nga bota, i izoluar nga liria, i izoluar nga e ardhmja, por nën udhëheqjen e përgjakur të një përbindëshi diktatorial paranojak me emrin Enver Hoxha.

    Më në fund, erdhi korriku i vitit 1990 me dyndjen e “paligjshme” të një numri të rinjsh guximtarë që u futën në disa ambasada; erdhi gjithashtu marsi i vitit 1991, kur mijëra të rinj shqiptarë u kacavarën anijeve dhe zbarkuan në Bari të Italisë. Rrugët kësaj here nuk çonin më as në Beograd, as në Moskë, as në Pekin, as në burg dhe as në internim, por drejt një ëndrre lumturie farfuritëse.

    Po aktualisht ku çojnë rrugët në fjalë? Kjo pyetje është thjesht retorike, sepse të gjithë jemi dëshmitarë që ato i shpien bashkatdhetarët tanë kudo në mbarë botën, atje ku ka punë, shpresë për një të ardhme më të denjë për ata. Këto rrugë qeveria aktuale (pa “h” kjo fjalë midis shkronjave “u” dhe “a”) po i zgjat e po i zgjeron, falë politikave të saj të mbrapshta, në mënyrë që moshat e reja, madje edhe të mesmet, të largohen, të mërgohen, të harrohen anembanë botës së globalizuar në mënyrë që Shqipëria të kthehet në një “shprehje gjeografike” shterpë, madje, edhe më keq, në një përrallë të tipit “Na ishte një herë, diku në Ballkan, një Shqipëri që u zhduk pa nam e pa nishan!” ose “Na ishte një herë një Shqipëri, e cila, e shndërruar në qyqe, u shtrëngua të shkonte e t’i pillte vezët e saj kudo që gjente fole zogjsh të tjerë, një Shqipëri e dhjerë dhe përmjerrë aq sa, në muzeun e Historisë, erë mut do të bjerë!” Për rrjedhojë, edhe përgjegjësve të kësaj përdhosjeje, të gjithëve pa përjashtim, shpirti të njëjtën erë ka nisur t’u bjerë, pavarësisht se sahanlëpirësit e tyre kjo erë në orgazmë do t’i shpjerë!

    Ah, për pak mend harrova: shprehja “Të gjitha rrugët çojnë në…” është rivlerësuar maksimalisht në Republikën Zhelane të Shqipërisë që kur kjo është kanabizuar dhe, sidomos, kokainizuar nën regjimin feudalosocialist të Edi Ramës, sepse me të drejtë narkotrafikantët e lumturuar shqiptarë mund ta plotësojnë atë duke i shtuar në fund vetëm një fjalë: “Të gjitha rrugët në Shqipëri çojnë… çojnë në… Kolumbi”! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    “Rusia dhe Serbia faktorë destabilizues në Ballkan”

    Lajmi i rradhës

    Njeriu i afërt i Vuçiqit e pranon se UDB-a ka vrarë Jusuf Gërvallën

    Lajme tjera

    Padija si shëmti

    Monika Stafa Njerëzit përgjithësisht e vënë në dyshim më së shumti nëse arti e ka aftësinë për të…
    Më tepër

    Vota e krizës

    Klodi Leka Vota është mekanizëm demokratik përmes të cilit populli kushteton rendin shoqëror ekzistues, si shprehje e vullnetit…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë