Urim Hasipi
Janë me dhjetëra institucione shtetërore që janë të disperzuara në njësi rajonale ose drejtori në Tetovë. Mbi 80 përqind e tyre pothausje janë të mbyllur për gazetarët e Tetovës dhe jo vetëm. Kjo, në vete shton dyshimet tona se këta institucione në mënyrë të sinkronizuar injorojnë thirrjet e gazetarëve për të qenë më transparent lidhur me punën e tyre. Kjo, na shton dyshimet se kemi të bëjmë me një “marrëveshje të heshtur”, në mes të këtyre institucioneve shtetërore që nuk janë në kompetencë të komunës, por nën kompetencë të qeverisë, ministrive apo drejtorive që selitë qendrore i kanë në Shkup. Për shembull, për lexuesit dhe shikuesit e rajonit të Tetovës, mungojnë lajmet që kanë të bëjnë me punën e Entit Shtetëror i Statistikave – njësia rajonale në Tetovë, Njësinë Rajonale të Ministrisë së Financave, Kadastra, Qendra për Punë Sociale, Posta e Tetovës, Agjencioni për Ushqim dhe Veterinari, Inspektoriati i Tregut dhe Punës, Muzeu i Tetovës, Njësia Rajonale për menaxhim me ujrat, Drejtoria për Menaxhim me Hapësirat Banesore, policia pyjore, Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe Pensional dhe jo vetëm.
Ka edhe shumë institucione tjera, që më herë pas here kuptojmë se egzistojnë edhe në Tetovë por në raste të rralla, kur ka ndonjë promovim dhe sërish dyert mbyllen për gazetarët nga këta institucione. Prandaj, ngrej shqtetësimin tim, se pse mungon ky komunikim mes këtyre institucioneve dhe mediave. Me të drejtë mund të ketë edhe dyshime se çka fshehin këta drejtori nga opinioni.
Nga ana tjetër, këta institucione, për fat të keq, edhe nëse tentohet që të merret ndonjë opinion, procedurat janë të mundimshme, sepse duhet leje nga qendra për të dhënë deklaratë. Kjo, dukshëm e bën më të vështirë edhe raportimin për këto institucione, ndërsa të mos harrojmë se roli i këtyre institucioneve është shumë i madh për kualitetin e jetës së qytetarëve të Tetovës.
Këta institucione janë përgjegjëse për cilësinë e ushqimit, për mënyrën e implementimit të ndarjes së ndihmës sociale, për numrin e të punësuarve, për nivelin e korrupsionit, për implementimin e ligjeve në fuqi e kështu me rradhë. Të mos, harrojmë këta institucione kanë me dhjetëra të punësuar, ndërsa të njejtit paguhen nga taksat e qytetarëve të Tetovës. Disa herë ky shqetësim është përcjellur edhe nëpër instanca qendrore por rezultati mbetet i njejtë, dyert e këtyre institucioneve janë të mbyllura. Kjo dukuri duhet që të ndërpritet dhe këta institucione të jenë më të hapura si për gazetarë poashtu edhe për qytetarë.
Sepse, nëse janë të mbyllura për gazetarët këto institucione, atëherë mund t`a imagjinojmë se sa vështirë e kanë qytetarët që të arrijnë të realizojnë të drejtat e tyre të garanatuara me kushtetutë dhe me ligje. Në këtë drejtim edhe gazetarët duhet të jenë më insistues ndaj këtyre institucioneve që të rritet transparenca dhe llogaridhënia.
Fundja, institucionet janë për qytetarët dhe ekzistenca e tyre është kryekëput për qytetarët dhe nuk është pronë private e drejtuesve të atyre institucioneve.
*Urim Hasipi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistorin. Të drejtat e botimit i kanë Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.