Vëllavrasja për pronën

    MIRANDA RIRA

    Kur akoma ishin pa hequr dritat nga pema e Vitit të Ri 2024, zona e “Freskut” në Tiranë tronditet nga një krim monstruoz në familje, ku vëllai 63-vjeçar shkon për vizitë te vëllai i tij 68-vjeçar L.C. dhe ende pa pirë kafet, vëllai i vogël vret me pistoletë vëllain më të madh e më pas vret edhe veten. Viti i Ri u kthye në një mort për të dyja familjet, si për agresorin, ashtu edhe për familjen e viktimës. 2 vëllezër që vriten vitin 2024 për një pronë në fshatin e tyre të lindjes, e cila mbeti e paprekur në Tërbaç të Bulqizës, por 2 vëllezërit mbetën të mbuluar me gjak, viktima të padrejtësisë së kohës dhe mungesës së ligjit.

    Vëllavrasja është aq e lashtë sa edhe njerëzimi. Në shkrimet e shenjta biblike, dy vëllezërit Kaini dhe Abeli, njëri bujk dhe tjetri bari, i bënin blatime Perëndisë, por Zotit i pëlqeu më shumë sakrifica e vëllait të vogël. Për shkak të xhelozisë, vëllai i madh Kaini e çon në fushë dhe më pas e ther me thikë vëllain e tij të vogël, Abel. Dhe Perëndia e pyet: – Kain, ku është vëllai yt? Kaini i përgjigjet: “Nuk e di, nuk jam unë roja i vëllait tim”. Perëndia që kishte parë gjithçka, i thotë: Çfarë ke bërë? Gjaku i vëllait tënd që ka rënë mbi duart e tua, po thërret nga toka. Prandaj, ti do të mallkohesh nga toka dhe ajo s’do të të japë ty asnjë të mirë.

    Vëllavrasja apo fratecidi (nga latinishtja frater-cide), zë numrin e parë të vrasje të kryera në marrëdhëniet familjare, krahasuar me raportet e tjera familjare, babë e bir, grua-burrë, motër-motër, etj.. Feminicidi (vrasja e grave) kryesisht për shkaqe xhelozie dhe fratercidi (vrasja e vëllait), kryesisht për shkaqe prone, përbëjnë 2 nga raportet familjare më shqetësuese, ku krimi bën kërdinë. Nëse u referohemi të dhënave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, sektori i statistikave, të dhënat janë amorfe, ta paketogorizuara e raste të paskeduara, që lidhen vetëm me vëllavrasjen, por konceptohen si krime kundër pronës siç janë edhe vjedhjet e banesave, të automjeteve etj..

    Duke trajtuar familicidin dhe natyrën e vrasjeve brenda familjes, në këto 3 dekada në vendin tonë, mbi 8000 vrasje u përkasin vrasjeve të ndodhura për shkak të pronës. E parë në këtë kontekst, më shumë se një problem social, vëllavrasja është një drame e madhe shoqërore, për shkak të një ligji famëkeq mbi pronën, të njohur si ligji 7501, i datës 19 korrik 1991.

    Në nenin 2 dhe 3 të këtij ligji shkruhej: Neni 2: “Shteti u jep tokë personave juridike a fizikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë mbi sipërfaqen e tokës dhe gjithë të drejtat që përmbahen në këtë ligj.

    Neni 3: Toka bujqësore u jepet në pronësi ose në përdorim personave juridikë a fizike, vendës pa shpërblim.

    Neni 5/a: Komisionet e tokave të fshatrave dorëzojnë dokumentacionin e ndarjes së tokës në seksionin e kadastrës së rrethit.

    Neni 8: Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave fizikë a juridikë, nuk u njihet madhësia e mëparshme as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit. Neni 10: Toka që kalon në pronësi a në përdorim, regjistrohet në Kadastër”.

    Mjaftojnë vetëm këto nene të para të këtij ligji me 8 faqe gjithsej, për të bërë lëmsh gjithë Kadastrën në Shqipëri dhe për të lënë pas konflikte pafund midis familjarëve, gjyqe pafund midis pronarëve dhe ish-pronarëve, si edhe vdekje dhe vëllavrasje, ndikimin e së cilës e kemi edhe sot 33 vite më pas. Situata u bë edhe më alarmante kur ish-kreu i Kadastrës Artan Lame, para pak kohësh deklaroi se vetëm 10 për qind e regjistrave të pasurive janë të rregullta dhe gjithë regjistrat e tjerë kadastralë janë dëmtuar, ku rezultojnë rreth 13,000 faqe bosh.

    Imagjinoni gjithë katrahurën e kryer me pronat në këto 3 dekada, kur vetë ai që duhet të ishte garanti i pronës dhe pronësisë, pohon hapur për një kolaps total të pronës dhe titujve të pronësisë. Në rrethana të tilla, shqiptarët nuk kanë më as besim te zbatimi i ligjit, as tek reforma e re në drejtësi, as te sistemi i drejtësisë, por te vetëgjyqësia. Gjendja psiko-sociale e rënduar, një konflikt prone i zvarritur prej vitesh, ia ka shtyrë jo pak shqiptarë të vetëflijohen duke kryer vëllavrasje dhe më pas edhe vrasje, vetëvrasje. Disa syresh në ete drejtën e vet mendojnë se prona është e shenjtë dhe arsyetojnë se për të janë gati të japin edhe jetën. Kështu, logjika humbet peshën e saj duke i lënë vendin të pandërgjegjshmes dhe irracionales, aq sa dikush arrin të eliminojë edhe vëllain e tij e më pas si edhe veten.

    Nëse shohim të drejtën dokësore shqiptare, aty do të vëmë re se një nga veçoritë thelbësore është institucioni i trashëgimisë. Në Shqipëri ishte zakoni që askush nuk përjashtohej nga e drejta e trashëgimisë. Një gjë e tillë pengonte përqendrimin dhe favorizonte copëzimin e vazhdueshëm të pronave. Ky copëzim pasqyrohej edhe në lëmin e pushtetit dhe autoritetit. Sipas saj, qoftë familja, qoftë principata drejtoheshin në bazë të parimit të bashkëqeverisjes.

    Tek shqiptarët, si drejtim i ekonomisë familjare, realizohej nëpërmjet bashkëpjesëmarrjes së të gjithë vëllezërve. Kështu, Principatën e Balshjave, në gjysmën e II të shekullit të XIV, e qeverisnin njëherësh 3 vëllezër, Strazimiri, Gjergji dhe Balsha II. Vëllezërit, Lekë e Pal ishin në krye të Dukagjinëve të Lezhës. Apo 3 vëllezërit, Gjin, Stoje dhe Teodor drejtonin Principatën Muzakaj. Asnjë vendim që kishte të bënte me principatën nuk mund të merrej në mënyrë të njëanshme vetëm nga njëri vëlla, edhe pse vëllai i madh kishte të drejtën e parebirnisë. Vëllai i madh, gëzonte privilegjin e moshës, i takonte të zotëronte administrimin tradicional të familjes, që nuk ishte thjesht dhe vetëm prona e familjes, por vazhdimësia e saj. Por forma e bashkëqeverisjes së pronës nxiste shpesh grindje e rivalitet midis tyre.

    Kështu, në vitet ’70 të shekullit të XIV, vëllai më i madh i familjes Muzaka, Gjini, administronte zotërimet më të hershme të familjes në malësitë e Oparit, ndërkohë që vëllezërit më të vegjël qeverisnin vende më të buta e më pjellore të Myzeqesë e të fushës së Korçës. Por qendra shpirtërore e principatës ishte aty ku ishin edhe vatrat e varret e të pareve të tyre, prandaj njeriu ka një lidhje shpirtërore me pronën e tij, lidhje e cila me kalimin e viteve bëhet edhe më fortë. Kjo shpjegon edhe faktin, kur shkaqe të vëllavrasjes bëhen edhe pronat, të cilat ndodhen diku në një fshat a zonë të largët të vendit.

    Lidhja shpirtërore e fortë me familjen, me fëmijërinë, me tokën e të parëve e fetishizon pronën aq sa individi është gati të marrë jetë dhe të japë jetën e tij për të. Koncepti klasik liberal mbi pronën ishte i tillë, saqë prona ishte në themel të teorisë së tyre. Liria ishte themeli i një demokracie liberale, por prona ishte fryma e kësaj demokracie, prandaj ithtari John Locke shkruante se njeriu jo vetëm lind i lirë, por ai lind me pronë. Kjo sigurisht në kuptimin metaforik, pasi prona shikohej si një e drejtë natyrore e individit, ku ai që është i lindur/pajisur me pronë, edhe vdes me të.

    Profesori i ligjit të Berkley Law School Hanoch Dagan, argumenton se prona është një nga institucionet më të pushtetshme të një shoqërie. Fuqizimi mbi pronën, pasuron vetëvendosjen e njerëzve, të cilët duhet të jenë gjithnjë vigjilentë mbi pronën e tyre. Prona ngrihet mbi parime shpirtërore, të cilat duhet t’i garantoje ligji. Po në një vend ku fryma e ligjit është e dobët, si mund të garantohet legjitimiteti i pronarit mbi pronën? Në një vend ku një ligj famëkeq si ligji 7501 ka bërë çarçaf pronat, duke ia marrë pronat pronarit dhe duke ia regjistruar tjetrit që ka qenë pa pronë, si mund të respektohet e drejta e pronës? Kur qindra e mijëra dosje për pronat i ka zënë pluhuri i kohës së këtyre 30 viteve, nëpër raftet e gjykatave. Përtej retorikes boshe të politikës s e këtyre 30 viteve, për sa kohë do të jetë ende në frymë e në fuqi ligji famëkeq 7501, do të kemi në vazhdimësi krime kundër pronës dhe padyshim, edhe vëllavrasje. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    LEN: prej sot do ta bojkotojmë Kuvendin

    Lajmi i rradhës

    I hapën profile denigruese në TikTok, nëna e katër fëmijëve i jep fund jetës

    Lajme tjera

    Luftë dhe shpresë

    DITMIR BUSHATI “Ukrainasit janë të gatshëm të japin jetën për perspektivën europiane. Ne duam që ata të jetojnë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë