Verbëria morale e Donald Trump

    Sead Zimeri, filozof / Dizajni dhe fotografia: Nistori, Veron Luma

    Kur shumica e njerëzve marrin vendime, ata nuk kufizohen vetëm në zgjedhjen më praktike ose të levërdishme për ta—ata peshojnë edhe pasojat morale. Një vendim që shpërfill moralin nuk është thjesht një çështje gabimi personal, por një akt i dënueshëm, që justifikon kritikë, qortim dhe madje edhe rezistencë.

    Zakonisht, një vendimmarrje fillon me pyetjen: “Si mund ta arrij qëllimin tim?” Kjo është një qasje instrumentale, e cila shqyrton mënyrat më efikase për të realizuar një plan. Por reflektimi i mirëfilltë kërkon më shumë se kaq. Ai pyet: “A është e drejtë?” “A mund ta justifikoj para atyre që preken nga ky vendim?” Me fjalë të tjera, çdo vendimmarrje e përgjegjshme duhet të kalojë edhe përmes filtrit moral.

    Por pse është morali kaq i rëndësishëm? Sepse ai është themeli i bashkëjetesës. Kur injorohet, nuk krijon thjesht pakënaqësi—mund të shkelë të drejtat, liritë, dinjitetin dhe vetë ekzistencën e të tjerëve. Një botë ku njerëzit veprojnë pa konsideratë morale është një botë në të cilën forca zëvendëson të drejtën, dhe konflikti bëhet i pashmangshëm.

    Dimensioni moral i marrjes së vendimeve

    Në mënyrë të natyrshme, shumica e njerëzve e marrin moralin parasysh kur reflektojnë mbi veprimet e tyre. Ky është themeli i respektit të ndërsjellë dhe i njohjes së vlerave të përbashkëta. Kur dikush e shpërfill moralin—nuk shqetësohet nëse dëmton të tjerët—e konsiderojmë të lig, apo edhe të rrezikshëm.

    Nga ana tjetër, dikush që injoron moralin me vetëdije trajtohet si një ngacmues ose bullizues. Edhe pse mund të shkaktojë frikë, rrallëherë fiton respekt. Ai shihet si një rrezik për shoqërinë, sepse nuk njeh kufij moralë që do ta frenonin nga dëmtimi i të tjerëve.

    Në të kundërt, një person moralisht i ndërgjegjshëm e kupton se një shoqëri e drejtë dhe funksionale mbështetet mbi moralin. Nëse një qytetar, pavarësisht se ka mundësi, refuzon të paguajë taksa, ai saboton me vetëdije burimet që financojnë të mirën e përbashkët. Një pronar që injoron masat e sigurisë, një punëdhënës që paguan rroga qesharake apo një pedagog që shfrytëzon autoritetin për favore seksuale—këto janë shembuj të shpërfilljes morale.

    Sigurisht, ka rrethana të jashtëzakonshme—si mbijetesa—kur normat morale mund të tejkalohen. Shumica e njerëzve, për shembull, e justifikojnë vrasjen në vetëmbrojtje. Por në jetën e përditshme, presim që të rriturit të veprojnë me ndërgjegje morale. Dhe shumica e bëjnë këtë, sepse kanë zhvilluar një ndjeshmëri etike, pavarësisht prejardhjes, edukimit apo gjinisë.

    Një pjesë e mirë e njerëzve i brendësojnë normat morale përmes kulturës, zakoneve ose traditave: edhe turpi e nderi luajnë rolin e tyre. Kuptohet, traditat mund të fosilizojnë norma të vjetra që nuk përputhen më me moralin bashkëkohor, ndaj një qasje më reflektuese është gjithnjë e këshillueshme. Gjithsesi, edhe në nivel zakonesh rutinore, shumica i bëjnë të vetat pritshmëritë bazë morale.

    Trump dhe forca e pastër e pushtetit

    Jo të gjithë politikanët që shpërfillin normat morale janë të njëjtë. Disa—si Vladimir Putin ose Benjamin Netanyahu—i kuptojnë mirë kufijtë moralë, por i shpërfillin kur i leverdis. Si cinikë, ata e dinë se po bëjnë diçka të gabuar, por përpiqen ta justifikojnë ose ta fshehin.

    Por ekziston një kategori tjetër: njerëz që nuk janë as të ndërgjegjshëm (vetëdijshëm) për moralin. Ata nuk e hedhin poshtë atë në mënyrë të paramenduar—thjesht nuk e perceptojnë. Mund të jenë inteligjentë e dinakë, por gjykimi moral u mungon krejtësisht. Koncepte si “dinjitet,” “të drejta” ose “autonomi” nuk hynë fare në fushëpamjen e tyre. Donald Trump, sipas mendimit tim, është një prej tyre.

    Ai nuk e sheh moralin si një fushë ku duhet të lundrojë. Kur njerëzit bëjnë diçka të gabuar, ata zakonisht përpiqen ta justifikojnë apo maskojnë. Trump, përkundrazi, nuk shfaq asnjë shqetësim për këtë. Ai flet dhe vepron sikur aspekti moral i një çështjeje nuk ekziston fare, si të ishin thjesht çështje transaksionesh. Ai nuk e kupton as gjuhën morale, as domethënien që ajo ka për qënien njerëzore, gjë që del qartë nga trajtimi i miqve më të vjetër dhe më të ngushtë të Amerikës. Kanadaja po goditet me tarifa dhe taksa ndëshkuese, ndërsa Bashkimin Evropian, ai e cilësoi “një mizori.” Mes miqsh nuk flitet dhe nuk veprohet kështu.

    Kjo lidhet drejtpërdrejt me konceptin mbi pushtetin si një forcë e zhveshur nga kufizimet morale. Ai nuk e sheh pushtetin si diçka që duhet legjitimuar—thjesht si një instrument që duhet përdorur. “Nëse mund ta bëj, pse të mos e bëj?” Kjo është logjika e tij. Vetëm qëllimi arsyeton mjetin. Nëse ka mjetet për të ndërtuar një mur, pse të mos e ndërtojë? Nëse mund të bombardojë një vend, pse të mos e bëjë?

    Edhe liderët më të fortë apo ambiciozë e ndiejnë nevojën për të justifikuar veprimet e tyre. Ata përballen me dilema morale, kërkojnë arsyetime, ose përpiqen të shpëtojnë fytyrën. Trump nuk shfaq as këtë luftë të brendshme. Nuk është se e sheh moralin si një pengesë—thjesht nuk e sheh fare.

    Kjo u duk qartë kur foli për palestinezët në Gazë:

    “S’besoj se palestinezët duhet të kthehen në Gazë. Gaza nuk është vend për të jetuar. Nëse do të kishin një alternativë, sigurisht që s’do të donin të ktheheshin në Gaza.”

    Për një njeri me ndërgjegje morale, një deklaratë e tillë është tronditëse. Kjo deklaratë shpërfill krejtësisht lidhjet historike, kulturore dhe emocionale të palestinezëve me vendin e tyre. Nuk merr parasysh parimin moral se njerëzit kanë të drejtë të jetojnë në vendin e tyre—edhe nëse ai është rrënuar—dhe shpërfill se dëbimi i detyruar, spastrimi etnik, është krim sipas së drejtës ndërkombëtare.

    Por Trump nuk i shpërfill këto konsiderata nga ndonjë keqdashje e vetëdijshme; ai thjesht duket i pavetëdijshëm për to. Mendimi i tij është tërësisht amoral: nëse Gaza është rrënuar, pse të mos zhvendosësh njerëzit? Ai nuk e kupton përmasën e shkeljes morale të kësaj pikepamjeje.

    Por ky absurditet i një plaku matuf nuk është aq shqetësues sa “spin doctors”-at e tij, bashkë me mediat e “guximshme” dhe gazetarët, që kontribuojnë në normalizimin e kësaj çmendurie duke e mbuluar me një tis pozitiv: “Trump do ta kthejë Gazën në ‘Rivierën e Lindjes së Mesme’.” Ata që e manipulojnë Trump-in e dinë se ai është i verbër ndaj moralit dhe e shfrytëzojnë këtë boshllëk për ta shtyrë drejt politikave më të pamëshirshme. Nuk është vetëm papërgjegjshmëria e tij që e bën të rrezikshëm, por fakti se ai mund të bëhet një instrument i verbër në duart e atyre që dinë të shfrytëzojnë verbërinë e tij morale.

    Rreziku i verbërisë Moralef

    Nëse një individ me verbëri morale drejton një biznes të vogël, mund të dëmtojë disa punonjës ose bashkëpunëtorë, por pasojat mbeten më të kufizuara. Kur një njeri i tillë bëhet presidenti i vendit më të fuqishëm në botë, dëmet rriten frikshëm në shkallë globale.

    Trump nuk është thjesht një lider që bën gabime morale. Ai është një lider që nuk i kupton fare gabimet dhe shkeljet morale. Dhe kjo e bën më të rrezikshëm se ata që veprojnë me qëllim të keq. Një diktator që e kupton moralin, por e injoron, të paktën e di se çfarë bën. Një lider që nuk e sheh moralin fare, është i pakontrollueshëm, është si shoferi që nuk sheh shenjat e stop-it—do të vazhdojë tutje, i pavetëdijshëm për rrezikun dhe rregullat që shkel.

    Në një botë ku normat morale përcaktojnë kushtet e mundësisë së bashkëekzistencës, një lider që nuk kupton dhe rrjedhimisht shpërfill moralin nuk është thjesht i matrapaz—ai është një kërcënim ekzistencial.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Zvarritet sërish mbërritja e terapisë biologjike në Onkologji: pacientët në pritje

    Lajmi i rradhës

    Ministri Andonovski nën hetim: babai këshilltar i Mickoskit, vëllai në krye të shërbimeve sekrete

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë