Vetëvrasja e një nëne

    PËLLUMB NAKO 

    Dhuna në familje e shkaktoi edhe një viktimë. Menjëherë pas ngjarjes, reagimet ishin të shumta dhe ndërmjet tyre, pena dhe figura femërore të njohura në mbarë vendin. Nuk mund të rrinte pas edhe niveli politik femëror pa shprehur indinjatën ndaj një krimi të kësaj natyre dhe si zakonisht, njëzëri u kërkua dënimi më i ashpër për bashkëshortin kriminel të viktimës.

    Në themel të të gjithë qëndrimeve mbetet ligji dhe dënimi. Ashtu si dhe profili i opinionit publik shqiptar, i cili karakterizohet nga reagimi emotiv dhe jo i qëndrueshëm ndaj ngjarjeve të tilla të rënda, edhe institucionet e vendit më së shumti kënaqen duke dhënë dënimin e merituar për autorin. Si gjithmonë dominon ndëshkimi i fajit, por mungon një punë paraprirëse e qëndrueshme, hap pas hapi në vazhdimësi e institucioneve dhe e organizmave shoqërorë në mënyrë të integruar, për të diagnostikuar deri në detaj të gjithë fenomenin të dhunës në shoqërinë shqiptare.

    Natyrshëm ky diagnostikim do të shoqërohej më pas me ndërmarrje hapash ligjorë, institucionalë dhe shoqëror për të parandaluar fenomenin. Nuk është i mjaftueshëm vetëm Kodi Penal i cili dënon dhunën, sado i ashpër qoftë ai, me gjithë përmirësimet e dukshme që ka pësuar. Një kontekst i tillë do të thotë që nëse ligji dënon ashpër dhunën në familje ndaj gruas dhe të miturit, dënohet vetëm maja e ajsbergut të asaj që ndodh realisht brenda familjes shqiptare.

    Sepse vetëm dhuna është e dënueshme, megjithëse ajo gjithmonë paraprihet nga një mori sjelljesh agresive, presionesh dhe fenomenesh të tjera më të rënda arkaike gjysmëfeudale, ende me plotfuqishmëri në shumë familje shqiptare. Shkëlqimi i femrave politikane, i disa shtresave intelektuale apo edhe i atyre të ashtuquajtura nëpër portale VIP nuk përbëjnë shkëlqimin e shoqërisë sonë, sepse problemi është thelbësor. Ai qëndron ende i fortë, i vendosur mbi një trashëgimi marrëdhëniesh gjysmëfeudale që ndikojnë jo vetëm në anashkalimin e ligjeve moderne të shtetit, por kanë më tepër forcë se vetë ato.

    Nëse organet e pushtetit ligjor si policia dhe mjaft organizma të tjerë shoqërorë u bëjnë thirrje grave për të denoncuar dhunën që pësojnë brenda familjeve të tyre, traditat feudale ndërfamiljare, si pushtet paralel me atë ligjor, gjejnë forcën jo vetëm të ndalojnë denoncimet e rasteve të dhunës, por gratë të japin edhe konsensusin e tyre për një situatë të tillë. Nëse një individ dhunohet në rrugë, për shkak të saj ai ndjen frikë dhe modifikon lëvizjet që bën në përditshmëri, duke shmangur vendin ku u dhunua. Sigurinë ai e gjen brenda mureve të shtëpisë. Kurse në rastin e femrës, situata paraqitet katastrofike.

    Ajo e pëson dhunën pikërisht në vendin që duhet të ishte më i sigurt për të dhe nga individi që duhet ta siguronte më shumë, pra nga bashkëshorti në banesë. Dhuna ndaj saj në fakt është skllavërim dhe ky skllavërim është një proces, i cili ka filluar për të që më parë dhe jo thjesht kur shoqërohet me dhunë. Siç u citua pak më lartë, dhuna fizike është kulmi i një marrëdhënieje të shtrembëruar, që ka filluar që nga koha kur ajo ka qenë në familjen e saj. Që një grua të ketë kurajën për të luftuar dhunën e bashkëshortit apo bashkëjetuesit apo partnerit, duhet në radhë të parë të jetë e lirë dhe sidomos e zhveshur nga nevoja. Këto dy fjalë nuk janë propagandë boshe.

    Gjithmonë është nevoja, ajo që e detyron gruan shqiptare të suportojë dhunën familjare, një nevojë kjo sidomos me natyrë ekonomike. Dhe kur një individ vepron nën shtrëngimin e nevojës, ai nuk është më individ i lirë. Dhe gruaja shqiptare pavarësisht nga propaganda hipokrite e femrave politikane dhe e të tjerave si ato që e kanë të zgjidhur çdo problem ekonomik, mbetet individi me mungesën më të madhe të lirisë në shoqërinë shqiptare. Më konkretisht: Nëse në Shqipëri shihet me vëmendje e drejta e pronës, megjithëse bëhet fjalë për një legjislacion modern, ai zbehet dhe zhvishet në themelet e tij për shkak të së drejtës zakonore, e cila funksionin si një ligj paralel me atë administrativ.

    Është e drejta zakonore feudale në Shqipëri, ajo që nëpërmjet një dhune okulte, e cila në të shumtën e rasteve gjen konsensus nga gratë e familjeve tradicionale shqiptare, u jep ligjeve që normojnë pasurinë private një formë thuajse në përputhje me të drejtën zakonore. Sipas kësaj të fundit, femra është “derë e botës” e për rrjedhim ajo zhvishet nga prona familjare. Ndërkohë ligji modern bazohet mbi kryefamiljarin dhe kur ky i fundit ndjek të drejtën zakonore, natyrshëm ushtron trysni mbi femrat e familjes e për rrjedhim ndodh mjaft shpesh që këto të fundit t’ia “dhurojnë vullnetarisht” pjesën e tyre babait ose vëllezërve dhe po ashtu të heqin dorë edhe nga trashëgimia. Nëse e drejta moderne mbi pronën private në Shqipëri funksionon mbi bazën e detyrimit ligjor, ajo zakonore bazohet mbi bindjen e brendshme e për rrjedhim mbetet ende shumë e fortë, aq sa të drejtën moderne ia nënshtron asaj zakonore.

    Sipas Dhomës Kombëtare të Noterisë, të paraqitur në Podcast-in e një gazetareje mjaft të njohur, rezulton se gjatë tri viteve të fundit kanë hequr dorë vullnetarisht nga pronësia 583 vajza dhe gra si dhe 795 të tjera kanë hequr dorë nga trashëgimia. Duket qartë që në shoqërinë tonë është mjaft i dukshëm fenomeni, ku presioni familjar apo ai i ambientit ku jetohet, bëjnë shpesh që zbatimi i ligjeve moderne të shtetit të kryhet në përputhje me normat zakonore. Dhe për këto të fundit si garant funksionimi mbetet gjithmonë presioni si formë e dhunës. Pra, bëhet fjalë për një lloj dhune e paevidentuar si shqetësim publik. Rastet e mësipërme janë ilustrimi më i qartë.

    Pra, dhuna më e madhe ndaj gruas shqiptare fillon pikërisht te pasuria. Mungesa e saj e ndrydh atë në vetvete dhe e mban në kufijtë e skllavërisë dhe nuk e ndihmon të ndërtojë jetën e pavarur. Por dhuna ekonomike nuk përfundon këtu. Të zhveshura nga prona, vajzat e familjeve patriarkale shkojnë te bashkëshorti i ardhshëm, i cili ka probabilitet shumë më të madh për të pasur mirëqenie ekonomike krahasuar me të. Por kur vjen momenti për një divorc të mundshëm, Dhoma Kombëtare e Noterisë konstaton një tjetër formë dhunë.

    Të shtrënguara nga bashkëshortët e tyre, janë të shumta gratë të cilat heqin dorë nga pasuria e përfituar nga martesa. Dhe kur Dhoma Kombëtare e Noterëve konstaton se 95 për qind e tokës bujqësore është e regjistruar në emër të kryefamiljarit pa saktësuar të qartë bashkëpronarët, fenomeni merr përmasa ende më kritike. E njëjta gjë edhe në rastet e legalizimeve ku megjithëse kërkohet certifikata familjare, kjo e fundit praktikisht neglizhohet.

    Shihet qartë që dhuna fizike mbi gruan në familje është e pamundur të luftohet me efikasitet në një kohë kur e drejta zakonore shqiptare mbi pronën, deformon të drejtën moderne, duke e kthyer gruan në një skllave në mungesë të mjeteve jetike për të qenë minamalisht e lirë. Para se ta mbrojë nga dhuna, shoqëria shqiptare duhet t’i japë gruas të drejtën për të qenë e lirë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Studimi: Uji në shishe përmban mesatarisht çerek milion copa nanoplastikë të padukshme!

    Lajmi i rradhës

    Pasi u qortua nga ambasadori holandez, Ali Ahmeti doli me kundër teza

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë