Vizion politik kundër korrupsionit

    PËLLUMB NAKO

    Në shkrimin e një parlamentareje opozitare të para disa ditëve, flitet për luftën kundër korrupsionin mbi bazën e një vullneti politik të qartë, si një nga rrugët prej të cilave duhet të shpëtojë vendi. Ky opsion jepet në formën e një vizioni opozitar si zgjidhje e duhur për të, krahas disa instrumenteve ligjore me karakter fiskal. Vizioni i shprehur faktikisht duket korrekt, por në radhë të parë koncepti korrupsion duhet sqaruar në gjithë tërësinë e tij, në mënyrë që publiku i gjerë të dijë qartë se çfarë do të luftohet konkretisht. Kjo, sepse ka mjaft fenomene korruptive, të cilat në vendin tonë kanë fituar “të drejtën e qytetarisë” dhe kryhen si akte normale dhe nga ana tjetër ka fenomene korruptive, të cilat parashikohen nga Kodi Penal dhe dënohen me burgim. Dhe ajo që ndodh është fakti që një seri aktesh dhe veprimesh të padënueshme nga Kodi ynë Penal, janë burim ushqimi për ato të dënueshme penalisht. Në këtë mënyrë, duke diagnostikuar gjithë format korruptive që ekzistojnë, atëherë do të jetë më e thjeshtë për të kuptuar format, të cilat përfshijnë shtresa të ndryshme të piramidës sociale dhe krahas tyre mund të identifikohen edhe instrumentet e duhur si ligjorë dhe socialë. Pra, të mos mbetemi vetëm në aktet e dënuara penalisht.

    Në përgjithësi, fenomenet korruptive në shtresat e ulëta të piramidës sociale janë në formë mitmarrje sepse personat modestë ekonomikisht shpesh janë të detyruar “ta blejnë” shërbimin e ofruar nga administrata. Kjo e fundit, për shkaqe që tashmë dihen nga të gjithë, ka prijen për “të privatizuar” funksionin publik e për rrjedhim “ta shesë” atë. Ky akt dihet që automatikisht është i dënueshme me ligj. Ndaj edhe nëpër burgje ka mjaft punonjës të administratës të dënuar. Thënë me fjalë të tjera, ende në vendin tonë nuk është konsoliduar “shërbimi anonim i shtetit”, pra, shërbimi që shmang kontaktin me administratën. Për hir të së vërtetës, informatizimi i shumë shërbimeve administrative në shërbim të popullatës, megjithë vështirësitë dhe mangësitë në raport me implementimin e tyre, janë rruga e duhur drejt krijimit të një standardi ku minimizohet “blerja” e paligjshme e shërbimeve falas të shtetit. Sigurisht, kemi të bëjmë vetëm me një aspekt themelor sepse rregullimi i administratës ka një mal me punë për të bërë. Por kaq është shumë pak. Mjaft larg problemeve të vërteta.

    Ndryshe nga sa më sipër, në shtresat e larta, kryesisht politike, korrupsioni është i pranishëm edhe në formë të dënueshme penalisht, edhe jo të dënueshme. Megjithëse ndodh rëndom që këto të fundit dëmin social ta kenë akoma më të madh. Kjo do të thotë se korrupsioni me burim pushtetin ka forma, të cilat kërkojnë vullnet spartan, të çeliktë prej pushtetarëve që të mos infektojnë vendin. Ndërmjet një pushteti të korruptuar dhe klasave të larta ekonomikisht ka gjithmonë pakte që ligjërisht janë të vështira për t’u provuar. Kjo do të thotë se në radhë të parë është integriteti i pushtetarit. Dhe klasa jonë politike nuk duket në këtë nivel, madje mjaft larg. Kjo do të thotë se efektiviteti i kësaj lufte nuk lidhet thjesht me prodhime ligjesh, por në radhë të parë me përmbysje të thellë mendësie të formave qeverisëse, në mënyrën e të bërit politikë nga të gjitha krahët e saj. Dihet dhe është fakt që në mjaft vende të ngjashme me vendin tonë (për të mos qenë kritik, nuk po e fusim në shembull) korrupsioni më shumë se një fenomen i dënueshëm penal, është mënyrë qeverisjeje.

    Ashtu siç e prekëm edhe më lart, korrupsioni në formën e mitmarrjes perceptohet si i vetmi, por nuk është kështu. Nëse shihet me kujdes përbërja e të dënuarve që popullojnë burgjet, do të konstatohet me lehtësi se pjesa dërrmuese janë nga administrata dhe të dënuar për mitmarrje, kurse kohët e fundit edhe nivele të larta politike. Mitmarrja, pra, është karakteristikë e të gjitha shtresave të piramidës sociale të vendit tonë, por nëse shohim nenin tjetër të kodit penal, mjaft i afërt me korrupsionin, pra “ndikimi i paligjshëm”, kemi mjaft pak individë të dënuar. Por “ndikimi i paligjshëm” nuk mund të kryhet si vepër penale nga dikush që nuk ka pushtet.

    Më konkretisht, një zv.ministre u dënua për korrupsion sepse mori një shpërblim monetar për të punësuar dikë në administratë, kurse një ministër i rëndësishëm, madje luftëtar i korrupsionit, sipas medies ka punësuar një numër jo të vogël anëtarësh të familjes apo krushqi në poste kyçe të administratës. Mund të quhet ky akt trafik influence, i cili në vendet perëndimore ekziston si vepër penale dhe nuk presupozon si akt përfitimin monetar, por avantazhe dhe shërbime të çfarëdolloji nga ndikuesi abuzues me pushtetin? Sa raste të tilla abuzive dhe penalisht të padënueshme në vendin tonë mund të ketë në administratë? A ka pasur apo a ka edhe parlamentarë të opozitës që kanë bërë të njëjtën gjë? Po! Sepse një akt i tillë ka fituar imunitet dhe duket normal. Ministri që ka punësuar familjarët, sigurisht ka bërë kompromise me ministrat e tjerë, duke punësuar edhe ai si shkëmbim favoresh me atë që e ka ndihmuar. Një akt i tillë nuk ka në mes mitmarrjen, por dëmin social e ka mjaft të madh. Pa folur këtu për punësimin e militantëve. Madje, koncepti është aq i pranuar edhe nga opinioni publik saqë nuk janë pak ata që mendojnë se “fillimisht pushtetari duhet të bëjë për njerëzit e tij”. A është e gatshme klasa politike shqiptare të përmbysë këtë mentalitet kanceroz dhe të udhëheqë vendin drejt një kulture të re të bazuar mbi drejtësinë sociale të mundësive të barabarta për çdo individ? Shumë vështirë! Sigurisht do të ishte tepër e gjatë të trajtohej klientelizmi në aspektin ekonomik, i cili favorizon këtë apo atë sipërmarrës në raport me lidhjet e tij me qeverinë. Pra, sa afër është me të.

    Deri tani, në fakt, kemi folur për korrupsionin hard, dhe jo për atë soft, të lidhur me tregun e shitblerjeve politike apo të shpirtit të lirë. Një fakt, të cilin e kam prekur edhe në një shkrim tjetër: Akti i Komisionit parlamentar lidhur me inceneratorët nuk u miratua nga gjithë opozita. Një palë akuzon tjetrën. Kush është blerë? Ka korrupsion politik në këtë rast apo interesa ekonomike? A ka politikanë të opozitës, të cilët shesin votëbesimin e qytetarëve sepse nuk duan ta prishin me qeverinë pasi janë klientë të saj ekonomikë e për rrjedhim nuk kanë sjellje korrekt politike? Ky lloj korrupsioni nuk është i dënueshëm ligjërisht, por dëmin e ka katastrofik dhe nuk zgjidhet me ligj, por me personalitetin e njeriut politik. Është gati gjithë klasa politike ta përmbysë këtë mendësi? E vështirë. Shembuj të tillë ka të shumtë, sidomos nga kryebashkiaku i Tiranës.

    Në thelb, korrupsioni mbetet shumë i lidhur me pushtetin. Gjithçka duhet të fillojë që aty. Pra, nga vetja, ndryshe mbetet demagogji e radhës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Konferenca e Potsdamit dhe plani i Stalinit në caktimin e kufijve të Europës

    Lajmi i rradhës

    Hapja e negociatave, maratona e radhës drejt BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë