Cila është më e shëndetshme: kafe e ftohtë apo e nxehtë?

    Pirja e kafesë është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë për miliona njerëz në mbarë botën – një zakon që nuk ofron vetëm energji, por edhe përfitime të shumta për shëndetin dhe mirëqenien mendore.

    Sipas një studimi të publikuar në revistën Journal of Psychopharmacology, kafeja nxit ndjenjat e mirësisë, miqësisë dhe lumturisë, duke përmirësuar disponimin dhe ndërveprimin social. Por përtej aspektit emocional, ajo është gjithashtu një burim i pasur i vitaminave B dhe K, riboflavinës, si dhe përmban rreth një mijë përbërës bimore bioaktivë, shumë prej të cilëve kanë efekte antiinflamatore dhe mbrojtëse për organizmin.

    Antioksidantët dhe dallimet mes kafesë së nxehtë dhe të ftohtë

    Një studim i publikuar në Scientific Reports zbuloi se kafeja e nxehtë përmban më shumë antioksidantë krahasuar me atë të ftohtën, që e bën më efektive në luftën kundër radikaleve të lira dhe plakjes qelizore.

    Antioksidantët janë përbërës të rëndësishëm që kontribuojnë në mbrojtjen e zemrës, forcimin e sistemit imunitar dhe përmirësimin e funksioneve kognitive.

    Nga ana tjetër, kafeja e ftohtë, ka aciditet më të ulët dhe një shije më të butë, duke e bërë më të përshtatshme për ata që vuajnë nga ndjeshmëri në stomak ose refluks gastrik.

    Pavarësisht temperaturës, vlera e pH-së së të dyja formave të kafesë është e ngjashme, duke luhatur nga 4.85 në 5.13, por përthithja dhe reagimi i trupit mund të ndryshojë, transmeton Telegrafi.

    Cilën të zgjedhim? Varet nga trupi, preferenca dhe koha e ditës

    ▪ Për më shumë përfitime shëndetësore dhe antioksidantë: zgjidhni kafenë e nxehtë.

    ▪ Për ata me stomak të ndjeshëm ose që duan një alternativë më të butë gjatë ditës së nxehtë: kafe e ftohtë është më e lehtë për tretje.

    ▪ Në mëngjes, një kafe e nxehtë mund të nxisë qarkullimin dhe të zgjojë sistemin nervor.

    ▪ Në pasdite, kafeja e ftohtë mund të jetë më freskuese dhe më e lehtë për trupin.

    Në fund të ditës, të dyja llojet ofrojnë përfitime të vlefshme, dhe zgjedhja më e mirë është ajo që i përshtatet trupit tuaj dhe mënyrës suaj të jetesës. Çelësi është gjithmonë: konsumi i moderuar. 

    Lajmi Paraprak

    Pse ShBA-ja po tërhiqet nga negociatat Ukrainë-Rusi?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë