Ekspertët besojnë se ka disa faktorë (shumë prej të cilëve ndoshta ende të panjohur) që së bashku ndikojnë në zhvillimin e një foshnje me autizëm. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë shkak të vetëm të njohur, por shumë gjëra veprojnë së bashku
Në diskutimin e faktorëve të rrezikut për autizëm, është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se ata nuk janë shkaktarë; këta janë faktorë që rrisin shanset që dikush të zhvillojë këtë gjendje.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), provat e disponueshme sugjerojnë se të kesh një vëlla ose motër me autizëm, kushtet gjenetike, komplikimet e lindjes dhe prindërit më të vjetër janë faktorë të njohur rreziku për autizëm.
Historia familjare
Nëse tashmë keni një fëmijë biologjik me autizëm, rritet rreziku që një fëmijë tjetër të ketë të njëjtën gjendje. Një studim i vitit 2019 zbuloi se ata me vëllezër e motra më të mëdhenj me autizëm të fëmijërisë kishin 17 herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin me autizëm në fëmijëri. Përveç kësaj, të afërmit në spektrin e autizmit u zbuluan se kishin shanse të rritura për diagnozë, duke sugjeruar një lidhje të fortë gjenetik, raporton siç raporton Perents portal.
X-i i brishtë është një gjendje gjenetike që shkakton kushte zhvillimi, duke përfshirë paaftësitë në të mësuar. Hulumtimet kanë treguar se ky është shkaku gjenetik më i zakonshëm i paaftësisë intelektuale dhe autizmit.
Një tjetër gjendje gjenetike e lidhur me autizmin është kompleksi i sklerozës tuberoze (TSC). Kjo gjendje shkakton formimin e tumoreve në organe të ndryshme, si truri, sytë dhe mushkëritë. Disa studime tregojnë se shkalla e autizmit tek fëmijët me TSC është deri në 40%.
Prindërit në moshë të shtyrë
Studimet kanë treguar se sa më i moshuar të jetë prindi, aq më i lartë është rreziku që fëmija të zhvillojë autizëm. Një studim i vitit 2016, i realizuar me më shumë se 30,000 fëmijë me autizëm, zbuloi se mosha e nënës mbi 40 vjeç dhe ajo e babait mbi 50 vjeç lidhen me rrezik të shtuar. Edhe mosha e ulët e nënës (nën 20 vjeç) rezultoi të jetë e lidhur me rrezik më të madh.
Faktorë të mundshëm rreziku për autizmin gjatë shtatzënisë
Përveç faktorëve të njohur të rrezikut, ekzistojnë disa teori të tjera që lidhen me mundësinë e shfaqjes së autizmit gjatë shtatzënisë. Edhe pse disa kërkime kanë gjetur lidhje të mundshme, nuk është e qartë nëse këta faktorë janë shkaktarë të drejtpërdrejtë.
Mungesa e vitaminave para lindjes
Një studim i vitit 2020 analizoi mungesën e hekurit gjatë shtatzënisë dhe zbuloi se marrja e pamjaftueshme e hekurit lidhej me rritjen e rrezikut për autizëm. Niveli i ulët i hekurit tek nëna është i lidhur me zhvillimin neurologjik dhe me çrregullime të tjera të trurit, ndaj nuk mendohet të jetë një faktor i pavarur rreziku për autizëm. Megjithatë, marrja e mjaftueshme e hekurit gjatë shtatzënisë është një mënyrë e thjeshtë për të mbrojtur zhvillimin e trurit të fetusit.
Një meta-analizë e vitit 2022 që përfshiu 10 studime tregoi se marrja e acidit folik (forma sintetike e folatit) në fazat e hershme të shtatzënisë reduktonte ndjeshëm rrezikun për autizëm. Marrja ditore prej 400 mikrogramësh (mcg) acid folik lidhet me uljen e rrezikut për autizëm. Rekomandohet që të gjitha gratë, edhe ato që nuk planifikojnë të mbesin shtatzënë, të marrin 400 deri 800 mcg folat/acid folik në ditë. Shumica e njerëzve marrin rreth 150 mcg nga ushqimet e pasuruara si buka dhe drithërat.
Ndotja e ajrit
Një studim i vitit 2022 tregoi se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë të tre trimestreve të shtatzënisë rrit rrezikun për autizëm, sidomos tek djemtë. Megjithatë, kjo shihet si një faktor rreziku për grupe të ndjeshme dhe jo si shkak i pavarur.
“Dëshmitë për faktorë ekologjikë gjatë shtatzënisë janë ende në fazat fillestare. Të gjitha hipotezat e mbështetura në të dhëna duhet të hetohen më tej, sepse asgjë nuk është vërtetuar si shkak i drejtpërdrejtë,” thotë M. Daniel Fallin, drejtor i Qendrës për Autizëm dhe Çrregullime Zhvillimore Wendy Klag në Shkollën e Shëndetit Publik “Johns Hopkins Bloomberg”.
Rritja e tepërt në peshë gjatë shtatzënisë
Një përmbledhje sistematike e vitit 2020 zbuloi se indeksi i lartë i masës trupore (BMI) dhe shtimi i tepërt në peshë gjatë shtatzënisë lidhen me rrezik më të lartë për autizëm tek fëmijët. Dyshohet se çrregullimi hormonal që shoqëron mbipeshën mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fetusit.
“Shkalla e obezitetit dhe e autizmit është rritur gjatë dekadave të fundit, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë të lidhura mes vete,” thotë dr. Ana Maria Wilms Floet, pediatre në Institutin Kennedy Krieger në Baltimore. Sidoqoftë, ndjekja e udhëzimeve për shtim të shëndetshëm në peshë mund të ndikojë pozitivisht në rrjedhën e shtatzënisë.
Diabeti gestacional
Një studim i vitit 2015 tregoi se diagnoza e diabetit gestacional deri në javën e 26-të të shtatzënisë rrit rrezikun për autizëm me 63%. Kjo do të thotë se për çdo 1.000 gra me diabet gestacional, rreth 7 mund të kenë fëmijë me autizëm. Dyshohet se ekspozimi ndaj niveleve të larta të sheqerit në gjak mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fetusit.
Po ashtu, një studim i vitit 2021 konfirmoi një lidhje të mundshme mes sheqerit të lartë në gjak gjatë shtatzënisë dhe rritjes së rrezikut për autizëm, sidomos kur niveli i sheqerit është shumë i lartë.
Interesant është fakti se të dhënat nuk treguan rritje të rrezikut për autizëm te fëmijët e prindërve me diabet tip 2 para shtatzënisë, ndoshta për shkak se ata përdornin mjekime për të mbajtur sheqerin në nivel.
Diabeti gestacional sjell rreziqe për fetusin, përfshirë lindjen e parakohshme, peshë të lartë në lindje dhe rrezik të shtuar për obezitet dhe diabet tip 2 më vonë. Për nënat, rreziku rritet për hipertension, preeklampsi dhe diabet tip 2.
Barnat
Hulumtimet kanë treguar një lidhje të mundshme mes disa barnave të përdorura gjatë shtatzënisë dhe rritjes së rrezikut për autizëm. P.sh., përdorimi i antidepresivëve të llojit SSRI (inhibitorë selektivë të rimarrjes së serotoninës) është shoqëruar me autizmin. Megjithatë, studiuesit sugjerojnë se ndoshta vetë depresioni i nënës është faktori i vërtetë i rrezikut, jo domosdoshmërisht barnat.
Gjithashtu, përdorimi i barnave kundër konvulsioneve, veçanërisht valproatit, lidhet me rritje të rrezikut për autizëm. Gratë që përdorin valproat duhet të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për zëvendësimin e mundshëm të terapisë, pasi ky ilaç nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë.
Intervali ndërmjet lindjeve
Sipas një studimi të publikuar në revistën e Akademisë Amerikane të Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë, shtatzënitë e ndara me një periudhë prej 2 deri në 5 vjet kanë rrezikun më të ulët për autizëm. Fëmijët e lindur më pak se 12 muaj pas një fëmije tjetër kishin 50% më shumë gjasa të merrnin një diagnozë për autizëm, ndërsa ata që ishin të konceptuar pas më shumë se 60 muajsh kishin 30% më shumë gjasa. Shkaqet nuk janë ende të qarta.
Gjithsesi, duhet mbajtur parasysh se rreziku për autizëm rritet edhe me moshën e të dy prindërve në momentin e konceptimit, dhe se pjelloria bie me kalimin e viteve. Prandaj, planifikimi i kohës për shtatzëni duhet bërë në konsultim me profesionistët e shëndetit. /Telegrafi/