Në një intervistë me psikologen Ajnure Selmanin, kemi pasur mundësinë të diskutojmë në thellësi mbi qasjet dhe metodat efektive që ajo përdor për të mbështetur zhvillimin e fëmijëve me aftësi ndryshe në fushat e komunikimit dhe mësimit. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe përvojë të pasur në terapinë e fëmijëve, psikologia ndanë për Nistorin teknikat që kanë treguar rezultate të suksesshme në ndihmën për të zhvilluar aftësitë e tyre, si dhe rolin e rëndësishëm të përfshirjes së prindërve në këtë proces transformues. Kjo bisedë ndihmon të kuptojmë më mirë se si mund të krijohet një ambient mbështetës dhe gjithëpërfshirës për fëmijët dhe familjet e tyre.

Përgatiti: Sumeja Hamzi, psikologe
- Cilat janë metodat më efektive që përdorni për të mbështetur zhvillimin e fëmijëve me aftësi ndryshe në fushat e komunikimit dhe mësimit?
Ajnure Selmani: puna me fëmijët kërkon durim, kreativitet dhe një kuptim të thellë të nevojave dhe aftësive unike të fëmijës. Tek cdo fëmijë përdoret një kombinim metodash pasi rezultati është më i shpejtë dhe më efikas. Disa nga metodat që kanë treguar më shumë rezultat gjatë punës time më fëmijët me aftësi ndryshe dhe jo vetem në fushat e komunikimit dhe mësimit janë:
Terapia ABA – e cila është një metodë e njohur që përdor teknika të ndryshme për të mësuar dhe forcimin e sjelljeve pozitive, duke ndihmuar fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre të komunikimit, të mësuarit dhe të ndërveprimit social.
Terapia e lojës – është një ndër metodat që unë si terapste e praktikoj më së shumti. Terapia e lojës është një nga metodat më efektive për të mbështetur zhvillimin e fëmijëve me aftësi të ndryshme, përfshirë ato me autizëm, çrregullime të zhvillimit dhe vështirësi të tjera komunikimi. Ajo përdoret për të zhvilluar aftësi të ndryshme të fëmijës në mënyrë të natyrshme, duke krijuar një ambient të sigurt dhe të këndshëm, ku fëmija mund të mësojë dhe të zhvillohet përmes lojës.
CBT – është e dobishme për fëmijët që janë në gjendje të kuptojnë dhe të komunikojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre, dhe është më shumë e fokusuara në trajtimin e shqetësimeve emocionale si ankthi ose depresioni. Përdorimi i aktiviteteve dhe teknikave vizuale mund të e bëjë CBT më të aksesueshme për fëmijët.
Terapia Psikoedukative – e cila më së shumti fokusohet në ndihmën për fëmijët dhe prindërit që të kuptojnë më mirë çrregullimet dhe aftësitë e fëmijës, duke u siguruar që ata të kenë mbështetje dhe strategji për t’u përballur me sfidat e përditshme. Përdorimi i mësimeve dhe strategjive për përmirësimin e aftësive të të mësuarit dhe zhvillimit të fëmijës.
- Si mund t’i përfshijmë prindërit në procesin e terapisë dhe mësimit të fëmijëve të tyre dhe cilat janë strategjitë më të mira për t’i mbështetur ata?
Ajnure Selmani: përfshirja e prindërve në terapi është e patjetërsueshme dhe shumë frytdhanëse. Prindërit janë partnerët më të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës dhe mbështetja e tyre mund të ndihmojë në rezultate sa më të shpejta dhe pozitive tek fëmija dhe e kundërta të sjell vështirësi në realizimin e terapisë dhe regres tek fëmija. Diçka me të cilën fillon edhe vet përfshirja e prindërve në gjithë këtë proces është:
Komunikimi – komunikimi i rregullt me prindërit mbi përparimin e fëmijës, strategjitë që përdoren në terapi, dhe gjithashtu shpërndarja e informacioneve dhe burimeve që mund të ndihmojnë prindërit në punën e tyre të përditshme me fëmijët.
Edukimi dhe trajnimi i prindërve – mundësia që prindërit të edukohen dhe të marin trajnime shtesë mbi procesine e terapisë si të tërë ndihmon prindërit të përfshihen në një mënyrë më të profesionalizuar. Edukimi dhe trajnimi mund të kryhet në forma të ndryshme si nëpërmjet seminareve të organizuara, punëtorive të ndryshme, videove sensibilizuese dhe educative, ofrim i literaturave të ndryshme mbi procesin e terapisë… Edukimi i prindërve rreth rëndësisë së krijimit të një mjedisi të strukturuar dhe të parashikueshëm për fëmijën, dhe si mund të përshtaten aktivitete të mësimit dhe lojës në mjedisin shtëpiak. Kjo mund të përfshijë përdorimin e grafikëve vizualë, kalendarëve të aktiviteteve dhe materialeve mbështetëse vizuale për fëmijën.
Përfshirja e prindërve në terapi – ofrimi i udhëzimeve për prindërit në mënyrën si të përdorin përforcimin pozitiv në shtëpi, si të nxisin komunikimin tek fëmijët, si të menaxhojnë sjelljen e tyre, si të përdorin aktivitete të ndryshme duke i ndihmuar ata të shohin rezultatet pozitive të aktiviteteve të përditshme që janë të drejtuara nga strategjitë e mësimit. Vlen të theksohet se gjithmonë puna e prindërve në shtepi me fëmijët duhet të jetë ne vazhdim mbi vëzhgimin e terapistit apo ndonjë profesionisti tjetër.

- A ka mundësi për përdorimin e teknologjive ose aplikacioneve që ndihmojnë fëmijët me aftësi ndryshe të zhvillojnë aftësi të reja dhe të përmisojnë shkathtësitë e tyre ?
Ajnure Selmani: po, ka mundësi për përdorimin e teknologjive dhe aplikacioneve që ndihmojnë fëmijët me aftësi të ndryshme të zhvillojnë aftësi të reja dhe të përmirësojnë shkathtësitë e tyre. Teknologjia dhe aplikacionet mund të ofrojnë mundësi të reja dhe inovative për mësim, zhvillim të aftësive sociale, përmirësimin e komunikimit dhe të shkathtësive motorike, si dhe ndihmojnë në menaxhimin e emocioneve. Çdo fëmijë është unik dhe ka nevojat e veta të veçanta, prandaj përdorimi i teknologjisë dhe aplikacioneve duhet të përshtatet me aftësitë, interesat dhe sfidat e fëmijës në mënyrë që të ofrojë mbështetje efektive. Varësisht rastit që po trajtohet ashtu edhe zgjidhet përdorimi i teknologjisë dhe aplikacioneve të ndryshme tek fëmijët, disa fëmijë mund të kenë nevoja për aplikacione që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive motorike, ndërsa të tjerë mund të kenë nevojë për mbështetje në komunikim ose aftësi sociale dhe të tretë që nuk ka hapsirë për tu përdorur teknologjitë e ndryshme. Teknologjia mund të jetë shumë efektive në disa raste mirepo është gjithashtu e rëndësishme që prindërit dhe profesionistët vazhdimisht të monitorojnë përdorimin e saj.
- Si mund të monitorohet progresi i fëmijës gjatë terapisë dhe si mund të përshtaten objektivat në bazë të nevojave të tij/saj specifike?
Ajnure Selmani: monitorimi i progresit dhe përshtatja e objektivave të terapive për fëmijët me aftësi të ndryshme është një proces i vazhdueshëm dhe dinamik që kërkon vëmendje të vazhdueshme, vlerësime të rregullta dhe një qasje të personalizuar. Ky proces duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, profesionistët dhe mësuesit, për të siguruar që terapitë të jenë sa më efektive dhe që objektivat të mbeten të arritshëm dhe të përshtatshëm për nevojat specifike të fëmijës.
- Si mund t’i mbështesim prindërit në krijimin e një rutine të përditshme për fëmijën që ndihmon në zhvillimin e aftësive të tij?
Ajnure Selmani: fëmijët me aftësi ndryshe pëlqejnë dhe kanë nevojë për rutinën më shumë se fëmijët tjerë. Pra, rutinat më të mira janë ato rutina që ju përshtaten familjes dhe fëmijës si dhe do ta bëjnë jetën e tyre të përditshme më të lehtë. Rutinat efektive gjithashtu përgjithësisht ndajnë 3 veçori kryesore:
Të planifikuara mirë
Të rregullta
Të parashikueshme
Fillimisht fillohet me një bisedë dhe shpjegim tek prindërit mbi rëndësinë e krijimit të një rutine tek fëmija i tyre. Krijimi i një rutine i ndihmon fëmijët të mësojnë dhe të rriten. Veprimet e përditshme si veshja, larja e duarve dhe përgatitja për ditën janë mundësi të pasura për të mbështetur mësimin dhe zhvillimin e fëmijës. Rutinat ndërtojnë vetëbesimin, kuriozitetin, aftësitë sociale, vetëkontrollin, aftësitë e komunikimit dhe mbështesin zhvillimin e fëmijës në shumë aspekte tjera. Më pas jepen instruksione dhe mund te bashkpunohet dhe të krijohet një rutinë efikase për fëmijën. Fillimisht që një rutinë të jetë efikase duhet të përmbaj disa komponenta si orare të strukturuara, aktivitete sociale dhe komunikuese, aktivitete fizike brenda ditës, detyra për vetkujdesin e fëmijës… Rutinat vizuale si zakonisht krijohen nëpërmjet mbështetjeve vizuale (përdorimi i kartelave vizuale ose tabelave me imazhe) dhe para cdo veprimi, sjellje, detyre, udhëzimi apo aktiviteti të caktuar i tregohet karta vizuale dhe më pas realizohet i njejti. Përdorimi i ngjyrave dhe simboleve të ndryshme për aktivitete të caktuara mund t’i ndihmojë fëmijët të identifikojnë më lehtë çfarë do të ndodhë dhe kur.
- Cilat janë shenjat që prindërit duhet të vërejnë nëse trajtimi po jep rezultate pozitive dhe si mund të komunikojmë më mirë me ju për të përshtatur qasjen e trajtimit sipas nevojave të fëmijës ?
Ajnure Selmani: progressi apo rezultatet pozitive tek fëmija nuk shihen menjëherë për këtë na duhet kohë në terapi dhe bashkpunim i rregullt me prindërit. Progressi te cdo fëmijë është individual dhe te cdo fëmijë vjen në mënyra dhe forma të ndryshme. Prindërit janë ato të cilët të parët hetojnë cdo rezultat pozitiv tek fëmija qoftë edhe minimal disa nga shenjat që fëmija ka progress në terapi janë: duke filluar nga rritja e pavarësisë, përmirësimi i aftësive motorike te fëmija, përmirësimi i aftësive sociale dhe komunikuese, përqëndrim, koncentrim dhe vëmendje më të lartë, menaxhim më i mirë i emocioneve… ndërsa sa i përket komunikimit me neve si terapist është shumë e rëndësishme që komunikimi me prindërit apo kujdestarët e fëmijëve të jetë i vazhdueshëm dhe i rregullt, përdorimi i formave të komunikimit më të tjeshta dhe sa më të kuptueshme për prindërit mbi sqarimin e hapave në procesin e trajtimit., krijim i planeve të përbashkëta…
Një fëmijë është si një flutur në erë. Disa mund të fluturojnë më lartë se të tjerat, por secila fluturon më së miri që mundet. Pse duhet krahasuar njëra me tjetrën? Secila është e veçantë, secila është e ndryshme. Secila është e bukur.
