A e dinit se sasia e sheqerit që konsumoni çdo ditë mund të ketë ndikim serioz në shëndetin e trurit tuaj?
Një studim ka zbuluar se ata që konsumojnë sasi të mëdha sheqeri të shtuar kanë 33% më shumë gjasa të zhvillojnë demencë, përfshirë edhe sëmundjen e Alzheimerit.
Hulumtimi, i zhvilluar përgjatë shtatë vjetëve, përfshiu krahasimin e konsumit të përditshëm të sheqerit mes pjesëmarrësve. Rezultatet treguan se individët që konsumonin rreth 30.3 gramë sheqer të shtuar në ditë (sa një kënaçe standarde Coca-Cola), kishin ndjeshëm më shumë rrezik për sëmundjet neurodegjenerative krahasuar me ata që konsumonin vetëm 5.8 gramë në ditë.
Dr. Doug Brown nga Shoqata e Alzheimerit thekson:
“Ky studim e mbështet lidhjen gjithnjë e më të fortë midis konsumit të sheqerit dhe shfaqjes së sëmundjeve si Alzheimeri. Dhe ky efekt nuk vlen vetëm për ëmbëlsirat apo pijet e gazuara – të gjitha llojet e sheqerit të shtuar, përfshirë edhe lëngjet e frutave ‘të shëndetshme’, mund të kenë ndikim të dëmshëm.”
Përveç rrezikut për demencë, konsumi i lartë i sheqerit është i lidhur edhe me zhvillimin e diabetit të tipit 2, një tjetër faktor që ndikon në funksionin e trurit dhe rrit gjasat për çrregullime neurologjike, transmeton Telegrafi.
Sa është shumë?
Për ilustrim, një kënaçe standarde Coca-Cola (330ml) përmban rreth 35 gramë sheqer të shtuar, që përkthehet në më shumë se 7 lugë gjelle sheqer – më shumë se kufiri ditor i rekomanduar nga OBSH për një të rritur.
Çfarë mund të bëjmë?
– Lexoni etiketat e produkteve që konsumoni.
– Zëvendësoni pijet e ëmbla me ujë ose çaj pa sheqer.
– Konsumoni fruta në vend të lëngjeve të frutave.
– Reduktoni përdorimin e sheqerit në gatim dhe pije të përditshme.
Kujtesa është një dhuratë – mos e sakrifikoni për një kënaqësi të momentit.