Dueli ndërmjet dy Shkëndijave risjell kujtime nga vitet ’90, kur të dyja ekipet ishin ndër më të mirat e Ligës së Dytë, duke dhuruar ndeshje të paharrueshme për gjeneratat e vjetra, përcjell Nistori.
NDESHJA
Shkëndija vs Shkëndija Haraçinë
1/8 e finales së Kupës së Maqedonisë
Stadiumi i Qytetit, Tetovë
E mërkurë, 23 tetor, ora 14:00
Një duel historik rikthehet të mërkurën në Tetovë, ku Shkëndija do të përballet me Shkëndijën e Haraçinës në një ndeshje të vetme për të avancuar në çerekfinalet e Kupës së Maqedonisë. Ky takim risjell kujtime nga vitet ’90, kur të dyja ekipet ishin ndër më të mirat e Ligës së Dytë, duke dhuruar ndeshje të paharrueshme për gjeneratat e vjetra. Rivaliteti në fushë pritet të jetë i fortë, por jashtë saj atmosfera do të jetë festive, duke bashkuar dy ekipe vëllazërore. Shkëndija vjen në këtë ndeshje pas barazimit 0:0 me Tikveshin të dielën në Shtip, derisa në start të këtij edicioni të Kupës shënuam fitore bindëse 5:0 ndaj ekipit Jeni Maale nga Manastiri.
Shkëndija e Haraçinës pas ca viteve mos aktivitet është riaktivizuar disa vite më parë dhe aktualisht luan në Ligën e Tretë. Ekipi ka ambicie për t’u ngjitur në Ligën e Dytë, duke sjellë lojtarë me përvojë nga elita e futbollit vendor. Starti i aventurës së tyre në edicionin e sivjetshëm të Kupës ishte mbresëlënës, duke eliminuar Rabotniçkin me rezultatin 2:0 në fazën e mëparshme.
Skuadra
Pritet që rikthimi i Aleksander Trumçit të shtojë forcën e ekipit. Megjithatë, Stefan Kocev do të mungojë për shkak të pezullimit nga kartoni i kuq në ndeshjen me Sileksin, ndërsa Vane Kërstevski dhe Daouda Bamba mbeten jashtë për arsye dëmtimi.
Transmetimi
Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Shkëndijës në Youtube (Shkëndija Channel).
Ky duel pritet të sjellë një përballje emocionuese midis dy ekipeve, ndërsa Tetova do të shijojë një festë futbolli.