Shkëndija – Shkupi, përmbyllja e sezonit, mysafirët, protesta e Ballistëve (Video/Foto)

    Foto: Lirim Shabani

    Gazetar: Lirim Shabani

    Zyrtarisht, Shkëndija e Tetovës u shpall kampione e sezonit 2020/2021 të Ligës së Parë Futbollistike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    Përballja e sotme me Shkupin përfundoi baras, pra 1-1. Shkëndija kaloi në epërsi në minutën e 41-të me golin e Besart Ibraimit, i cili shënoi për të 24-tën herë në këtë sezon, duke u bërë lojtari më i suksesshëm i këtij sezoni, njofton Nistori. Shkupi barazoi në pjesën e dytë, përkatësisht në minutën e 58-të me golin e Ali Adem.

    Foto: Lirim Shabani

    Dëshpëruese, tifozët e Shkëndijës nuk u lejuan që të jenë të pranishëm në tribuna, por Ballistët u kujdesën që përkrahjen e tyre ta ofrojnë me anë të festës në rrugët e qytetit dhe para stadiumit, ku ishte vendosur një ekran i madh nëpërmjet të cilit tifozët shikuan 90 minuta të lojës së fundit për këtë sezon.

    Brenda stadiumit ishte një numër shumë i vogël shikuesish, kryesisht familjarë të lojtarëve, por u panë edhe disa figura të njohura për publikun.

    Të pranishëm për ta shikuar Shkëndijën dhe Shkupin, përkrah udhëheqësve të Ecologut, Nazif e Lazim Destani, ishin edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, Artan Hoxha, si dhe zëvendëskryeministri Artan Grubi.

    Në 15 minutat e fundit të përballjes, në tribunën “Marshin Beqiri” u futën Ballistët të cilët dhuruan spektakël në formë proteste. Me brohoritjet e tyre kundër Federatës së Futbollit të RMV-së, shprehën mospajtimin e tyre që nuk u lejuan të jenë të pranishëm në stadium përgjatë 90 minutave të ndeshjes. Ata ndezën tymosëse, brohoritën për Shkëndijën dhe thumbuan Shkupin.

    Kjo situatë bëri që gjyqtarët ta ndërpresin përkohësisht lojën. Më pastaj, Ballistët u larguan nga tribuna dhe loja vazhdoi me disa mundësi nga të dyja ekipet, por pa shënuar gol.

    Shkëndijën e presin garat europiane për kualifikim në Champions League. /Nistori/  

    Lajmi Paraprak

    Melankolia e ndrydhur në muzgun e jetës angleze

    Lajmi i rradhës

    Ushqimi me çmimet më të larta në shtatë vitet e fundit – po vjen valë çmimesh në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë