Buka e misrit – Pse vlen kaq shumë për organizmin

    Shumë e dashur në tryezat tona, si një ndër gatimet më të vjetra, tradicionale shqiptare, Buka e Misrit mbetet mes ushqimeve më të preferuara edhe sot.

    Buka e Misrit është krejt e mirë, jo vetëm për shijen e lehtë që ka por edhe për vlerat e panumërta ushqimore e mirëbërëse për organizmin e njeriut.

    Buka e misrit është një thesar sa i përket vlerave të çmuara. Ajo përmban kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, acid folik, vitamina, A, B-6 dhe B12.

    Buka e misrit ndihmon në mbajtjen konstante në nivelit të kolesterolit në gjak ndërsa ndihmon gjithashtu në uljen e nivelit të yndyrnave.

    Ajo është një burim i vërtetë i vitaminave dhe proteinave duke shërbyer pozitivisht për mirëfunksionimin e organizmin të njeriut.

    Pse mbetet gjithmonë e kërkuar

    Vërtet buka e misrit është një recetë e njohur tipike shqiptare por shija e saj ndër vite ka magjepsur turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë, nga alpet e ftohta deri në jugun e klimës së butë.

    E ngrohtë, e thekur me djathë e shëllirë, me salcë të freskët kosi, me gjizë e vaj ulliri apo përshesh me gjel deti, buka e misrit është pjesë e padiskutueshme e ndër më të mirave që mund të ofrojë çdo restorant shqiptar në menunë e tij.

    Receta e gjysheve për gatimin e bukës së misrit

    Por e përgatitur në shtëpi, sipas recetës së vjetër së gjysheve tona, e duke huazuar edhe pak dashurinë e mjeshtërinë e tyre për gatimin, buka e misrit është edhe më fantastike e më e freskët gjithashtu, duke ofruar të njëjtën shije ashtu si dikur.

    Receta që AgroWeb.org sjell sot për bukën e misrit është receta e vjetër e gjysheve dhe stërgjysheve tona, e cila siç është e lehtë në përgatitje, është e lehtë edhe në shije.

    Përbërësit

    1 kg miell misri
    700 ml ujë i ngrohtë
    3 lugë vaj ulliri
    1 lugë gjellë kripë

    Përgatitja e bukës së misrit në shtëpi

    Në një enë të pastër hedhim 1 kg miell misri bashkë me pak vaj ulliri. Më pas shtojmë pak ujë të ngrohtë, por më parë sigurohemi që të mos jetë i përvëluar.

    Sipas traditës së gjysheve tona, ngrohtësia e ujit duhet të jetë e përballueshme aq sa ta durojmë nëse e provojmë me gishtin e vogël të dorës.

    Pasi kemi hedhur ujin në enën ku kemi miellin e misrit dhe vajin e ullirit, hedhim dhe një lugë gjelle kripë dhe i përzjejmë me një lugë druri.

    Më pas shtojmë pjesën tjetër të ujit të ngrohtë dhe vijojmë të përziejmë derisa të kemi një masë të njëtrajtshme.

    Në vijim, masën e përftuar e shtrojmë në tavë apo në një tepsi të vogël, të cilën më parë e kemi lyer me vaj ulliri.

    Pasi hedhim masën në tavë dhe e hapin në mënyrë të njëtrajtshme, lyejmë me një furçë me pak vaj ulliri edhe pjesën e sipërme.

    Tavën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë celcius për 40 minuta. Kur piqet, buka e misrit merr një ngjyrë të artë, të praruar me disa nuanca portokalli të errët.//AgroWeb

    Lajmi Paraprak

    Kosova në tellallët rusë dhe nevoja për strategji efikase

    Lajmi i rradhës

    Si mund të shpëtohet gjuha shqipe nga rreziqet e globalizmit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë