Gabimet më të shpeshta që i dëmtojnë fëmijët pas divorcit

    Vendimi për t’u divorcuar nuk është i lehtë – as vetë procesi i divorcit. Kur mbizotëron dëshira për të lënduar ish-partnerin, shpesh janë pikërisht fëmijët ata që vuajnë më shumë

    Divorci ndryshon gjithçka, nga zakonet e përditshme, te ndjenjat që dikur ushqenit për partnerin. Dashurinë dhe afërsinë shpesh i zëvendësojnë frustrimi, zemërimi apo edhe urrejtja. Edhe pse shumica e prindërve e dinë se nuk duhet t’i ekspozojnë fëmijët ndaj një atmosfere toksike, në praktikë kjo ndodh shpesh.

    Shumë prindër pohojnë se mirëqenia e fëmijëve u vjen e para, por kur dëshira për t’u hakmarrë ndaj ish-partnerit bëhet më e fortë, pikërisht fëmijët janë ata që dëmtohen më shumë. Në vend që energjia të përqendrohet në mbështetje dhe dashuri ndaj tyre, ajo shpenzohet në konflikte dhe sjellje pasive-agresive.

    Gabimet më të shpeshta që i dëmtojnë fëmijët pas divorcit

    • Pengimi i kontaktit me prindin tjetër

    Të ndëshkosh ish-partnerin duke i mohuar fëmijës kontaktin me të, në fakt do të thotë të ndëshkosh vetë fëmijën. Ata i duan të dy prindërit dhe nuk e meritojnë të bëhen peng në lojën e hakmarrjes.

    • Shmangia e pagesës së alimentacionit

    Alimentacioni nuk është dhuratë për ish-partnerin, por mbështetje për fëmijën. Kur një prind refuzon ta paguajë, i dërgon fëmijës mesazhin se nuk është i vlefshëm për kujdesin më elementar dhe kjo lë plagë të thella emocionale.

    • Fyerjet ndaj ish-partnerit para fëmijës

    Fëmijët i duan të dy prindërit. Kur i detyroni të dëgjojnë ofendime, ata ndihen sikur duhet të zgjedhin anë, një formë e shantazhit emocional që rëndon psikikën e tyre,.

    • Sulmet ndaj familjes së ish-partnerit

    Gjyshërit, hallat, xhaxhallarët dhe kushërinjtë janë pjesë e rëndësishme e jetës së fëmijëve. Duke i detyruar të ndërpresin lidhjet me njërën anë të familjes, u hiqni ndjenjën e përkatësisë dhe sigurisë.

    • Krahasimet me prindin tjetër në mënyrë negative

    Shprehje si “Je si babai yt!” apo “Flet si nëna jote!” nuk janë të pafajshme, fëmijët i përjetojnë si fyerje. Në këtë mënyrë u dërgoni mesazhin se edhe ata vetë janë të padëshiruar.

    • Përdorimi i fëmijës si “spiuni”

    T’i kërkoni fëmijës të ju tregojë për jetën e ish-partnerit e vendos atë në pozitë të pamundur dhe i cenon ndjenjën e sigurisë. Fëmija ndihet i ndarë mes dy botëve dhe nën presion për të “tradhtuar” dikë që e do.

    • Fajësimi për kohën që kalon me prindin tjetër

    Nëse e doni fëmijën tuaj, duhet të doni që të jetë i lumtur, edhe kur është me prindin tjetër. Komentet përçmuese e bëjnë të ndihet në faj dhe e mësojnë se gëzimi me njërin prind do të thotë tradhti ndaj tjetrit.

    • Nevoja për të shmangur ish-partnerin duke neglizhuar fëmijën

    Nëse i shmangeni vetë fëmijëve vetëm për të mos u përballur me ish-partnerin, u dërgoni mesazhin se nuk ia vlejnë përpjekjes tuaj. Kjo godet fort vetëvlerësimin e tyre dhe krijon ndjenjë refuzimi.

    Fokusohuni te fëmijët, jo te konflikti

    Divorci është i dhimbshëm dhe emocionet janë të forta, por përgjegjësia prindërore mbetet e njëjtë: të duash, të mbrosh dhe të kujdesesh për fëmijët.

    Fiksimi me urrejtjen ndaj ish-partnerit vetëm sa thellon plagët. Hakmarrja më e mirë nuk është mohimi i dashurisë dhe mbështetjes, por ndërtimi i një jete të re dhe të shëndetshme, ku fëmijët rriten të sigurt, të dashur dhe të respektuar.

    Lajmi Paraprak

    Rreziku i sëmundjeve kronike rritet tek adoleshentët që përdorin tepër pajisjet elektronike?

    Lajmi i rradhës

    Galeria parazgjedhore në rrugë – kush qëndron pas biznesit të billboard-eve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë