Mos e mbuloni karrocën e foshnjës – edhe pëlhura më e hollë rrit temperaturën!

    Edhe qëllimi i mirë mund të sjellë pasoja të rënda. Mos e rrezikoni fëmijën duke e mbuluar karrocën në ditët e nxehta të verës

    Çdo vit, me ardhjen e ditëve të ngrohta, pamja është e njëjtë nëpër rrugë: prindërit mbulojnë karrocat e foshnjave me pëlhura, shami, me qëllimin e mirë për t’i mbrojtur nga dielli. Por pa e ditur, me këtë veprim, ata mund t’i vënë fëmijët e tyre në rrezik serioz.

    Pse mbulimi i karrocave me materiale të papërshtatshme është i rrezikshëm?

    Pediatrja Svante Norgren nga Spitali i Fëmijëve “Astrid Lindgren” në Stokholm shpjegon se edhe pëlhura më e hollë, si gaza pambuku, mund ta rrisë temperaturën brenda karrocës dhe pengon qarkullimin e lirë të ajrit.

    Një testim ka treguar se në një ditë të ngrohtë, pas vetëm 30 minutash, temperatura në një karrocë të mbuluar ka arritur deri në 34°C. Për ta kuptuar më mirë, mendoni këtë krahasim: nëse jashtë janë 25°C, brenda karrocës së mbuluar me një pëlhurë të zakonshme, temperatura mund të arrijë deri në 40°C.

    Trupi i foshnjës nuk mund të rregullojë temperaturën përmes djersitjes

    Ndryshe nga të rriturit, të cilët e ulin temperaturën e trupit përmes djersitjes, foshnjat nuk kanë këtë aftësi. Për pasojë, temperatura e tyre trupore rritet dhe ndodh mbinxehja, që mund të çojë në goditje nga nxehtësia, dëmtime të sistemit nervor qendror, dëmtime në tru apo madje edhe vdekje, transmeton Telegrafi.

    Këshilla të rëndësishme për ditët e nxehta të verës:

    ▪ Mos mbuloni karrocën me pëlhura të improvizuara. Përdorni vetëm mbulesa të dedikuara për karroca, të cilat lejojnë qarkullimin e ajrit.
    ▪ Shmangni daljet në ambiente të hapura nga ora 10:00 deri në 16:00–17:00.
    ▪ Mos i vendosni kapuç fëmijës në ditët e nxehta, shumica e nxehtësisë largohet për mes kokës.
    ▪ Vishni fëmijën me rroba të lehta, të çelëta dhe që e lënë lëkurën të marrë frymë.
    ▪ Mos i vishni çorape – këmbët ndihmojnë në ftohjen e trupit.
    ▪ Sigurohuni që fëmija të pijë mjaftueshëm lëngje.

    Këshilla nga pediatrja dr. Giovanna Armano

    Idealja do të ishte që fëmijët të mos ekspozohen fare në diell të drejtpërdrejtë nga ora 10 apo 11 deri në 17. Ata mund të lahen ose të freskohen disa herë në ditë për ta përballuar më lehtë vapën.

    Nëse qëndrojnë brenda, hapësirat duhet të jenë të ajrosura mirë dhe, nëse është e mundur, të klimatuara. Klima nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë, në vend të saj, ajrosja natyrale dhe përdorimi i ventilatorëve janë alternativa të dobishme. Kini kujdes që temperatura brenda të mos jetë shumë më e ulët sesa ajo jashtë, pasi kjo nuk është e shëndetshme.

    Shfrytëzoni çdo mundësi për ta mbajtur fëmijën jashtë në hije, nën pemë si pishat apo në kopshte të mbuluara me tendë.

    Lajmi Paraprak

    Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh

    Lajmi i rradhës

    Po përsëritet historia? Ministri i Jashtëm polak krahason Putinin me Brezhnjevin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë