Kasami për deklaratat e Ahmetit për “vëllavrasje”: deklarata të rrezikshme

    Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami / Fotografia: Nistori

    Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot ka folur për deklaratat e kryetarit të BDI-së për çështjen e rivotimit. I pyetur nga Nistori se çfarë mendon për deklaratat e Ahmetit i cili tha se “vendimi i KShZ-së për rivotim, mund të çojë në vëllavrasje”, Kasami tha se këto janë deklarata serioze dhe të rrezikshme. Ai gjithashtu tha se VLEN nuk është e interesuar për konflikt në mes shqiptarëve, shkruan Nistori.

    “Është një deklaratë shumë serioze, një deklaratë shumë e rrezikshme. Aliu ka ditur në momente të caktuara që të jep deklarata të tilla, tani po del që edhe në të kaluarën , konkretisht në vitin 2008, ka qenë e dakorduar mes Aliut dhe Menduhit që sot janë bashkë, që të ketë vëllavrasje. Ne si koalicion VLEN nuk jemi të interesuar për asnjëlloj krize dhe konflikti, apo mos të themi të një situate pak më të rëndë”, tha mes tjerash Kasami.

    Ndërsa në lidhje me rivotimin, Kasami tha se pret që gjithçka të shkojë siç duhet, duke shtuar se nuk pret asnjë incident.

    Ndryshe, ditë më parë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë një mbledhje të partisë së tij në Tetovë, në lidhje me vendimin e KShZ-së që në disa vendvotime të ketë rivotim, ai tha se kjo mund të shkaktojë vëllavrasje. Ahmeti tha se vendimi i KShZ-së është sjellë me marrëveshje politike në mes partive tjera.

    “Fronti Europian ka fituar zgjedhjet më 8 maj 2024. Fitorja e Frontit është vulosur më 8 maj. Të gjitha akrobacionet politike, marrëveshjet e fshehta nëpër podrume janë të papranueshme dhe janë të dënueshme. Sepse përbëjnë hap pas. Dhe asnjë hap pas nuk duhet të tolerohet por të gjitha palët duhet të reflektojnë. Ne i dimë të gjitha në detaje marrëveshjet në podrumet e kuqe, marrëveshjet politike, dhe në të ardhmen do të dalim në detaje për të gjitha marrëveshjet ku do t’i demaskojmë në opinion”, theksoi Ali Ahmeti.

    Theksojmë që të mërkurën (22 maj) do të ketë rivotim në një vendvotim në njësinë e gjashtë zgjedhore dhe në pesë vendvotime në njësinë e pestë zgjedhore. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    ADRA: me bletari merren vetëm gratë e vendeve rurale

    Lajmi i rradhës

    Sasho Mijallkov për tre ditë do të lirohet nga burgu

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë