Kriza e Alta Bankës, e shkaktuar nga zhvillimet në sektorin bankar të Serbisë dhe e reflektuar drejtpërdrejt në Maqedoninë e Veriut, ka hapur një front të ri përplasjesh politike mes pushtetit dhe opozitës. Përplasja vjen në një periudhë kur Alta Banka në Manastir është vendosur nën administrim të përkohshëm nga Banka Popullore, pas heqjes së licencës së funksionimit të bankës mëmë në Serbi. Megjithëse autoritetet monetare këmbëngulin se banka në Maqedoninë e Veriut është financiarisht e qëndrueshme, kufizimet në tërheqjen e mjeteve kanë shkaktuar pasiguri te një pjesë e klientëve.
LSDM: MICKOSKI DHE SLLAVESKI TË MBAJNË PËRGJEGJËSI
Nga LSDM akuzojnë drejtpërdrejt kryeministrin Mickoski dhe guvernatorin Sllaveski për lejimin e hyrjes së kapitalit serb në sektorin bankar të vendit. Sipas opozitës, Qeveria hapi rrugën për marrjen e ish-Stopanska Bankës së Manastirit nga Alta Banka e Beogradit, ndërsa Banka Popullore dha pëlqimin për transaksionin, pavarësisht paralajmërimeve që, sipas socialdemokratëve, ishin bërë shumë muaj më parë. “E gjithë përgjegjësia për Alta Bankën bie mbi Hristijan Mickoskin dhe Trajko Sllaveskin. Ata e sollën bankën e Vuçiqit në Maqedoni, ndërsa tani qytetarët nuk mund të arrijnë deri te paratë dhe kursimet e tyre”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare pretendon se qytetarët që varen nga ndihma sociale, pensionet dhe të ardhurat e tyre mujore janë vendosur në një situatë të rëndë financiare për shkak të kufizimeve në qasjen te mjetet bankare. Sipas LSDM-së, mbyllja e sporteleve dhe pritjet pranë bankomatëve kanë vështirësuar sigurimin e parave për ushqim, barna dhe pagesën e faturave. Socialdemokratët pretendojnë gjithashtu se qytetarët po përballen me kufizime, ndërsa kompanive u është mundësuar transferimi i lirë i mjeteve.
LSDM shkon edhe më tej, duke e cilësuar rastin si aferë të dyshuar financiare që, sipas saj, lidhet me struktura politike dhe biznesore në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Partia pretendon se Alta Banka ka shërbyer për pastrim parash në interes të qarqeve të afërta me Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe VMRO-DPMNE-në.
VMRO: PAS FUSHATËS SË LSDM-SË FSHIHEN INTERESA BIZNESORE
Në kundërpërgjigje, VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në dhe kryetarin e saj Venko Filipçe se prej muajsh po e politizojnë çështjen e Alta Bankës, duke krijuar mosbesim ndaj institucionit financiar. Sipas partisë në pushtet, pretendimet e opozitës për ndikimin e të ashtuquajturës “botë serbe” janë pjesë e një fushate politike, pas së cilës dyshohet se qëndrojnë interesa private ekonomike. “Filipçe dhe LSDM, përmes presionit ndaj Bankës Popullore dhe Alta Bankës, po krijojnë terren që një biznesmen i afërt me ta ta blejë bankën me çmim të ulët”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE.
Partia në pushtet pretendon se përhapja e panikut mund të ndikojë negativisht në reputacionin dhe pozitën e bankës në treg, duke krijuar kushte për një ndryshim të mundshëm të pronësisë me çmim më të favorshëm për investitorë të caktuar. VMRO-DPMNE i lidh këto pretendime me qarqe biznesore që, sipas saj, janë të afërta me Filipçen dhe familjen e ish-kryeministrit Zoran Zaev. Megjithatë, në reagimin partiak nuk identifikohet biznesmeni që pretendohet se synon blerjen e bankës dhe nuk paraqiten prova që do ta dëshmonin një marrëveshje të tillë.
Nga VMRO-DPMNE kritikojnë edhe sekretarin e përgjithshëm të LSDM-së, Aleksandar Dimitrijeviq, për kërkesën e tij lidhur me pagesën e pensioneve përmes Alta Bankës. Sipas partisë në pushtet, një kërkesë e tillë përbën vepër penale sipas nenit 315 të Kodit Penal, pretendim që mbetet akuzë partiake dhe jo konstatim gjyqësor. “Qytetarët duhet të jenë të qetë. Përderisa Mickoski është kryeministër dhe VMRO-DPMNE është në pushtet, do të ketë paga dhe pensione, ndërsa bankat nuk do të falimentojnë”, thuhet në reagimin e partisë.
BANKA NË SERBI HUMB LICENCËN, NË MANASTIR VENDOSEN ADMINISTRATORË
Kriza mori përmasa të reja më 1 nëntor, kur Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi administrim të përkohshëm në Alta Banka SHA Manastir, pas vendimit të autoriteteve serbe për heqjen e licencës së Alta Bankës së Beogradit dhe konstatimit të kushteve për fillimin e procedurës së falimentimit.
Banka serbe zotëronte 95.336 për qind të kapitalit të bankës në Manastir. Pas zhvillimeve në Beograd, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut tërhoqi pëlqimin për pjesëmarrjen e kualifikuar të aksionarit serb dhe emëroi tre administratorë për drejtimin e përkohshëm të institucionit financiar. Masa është paraparë të zgjasë deri në tre muaj, me synimin për të mbrojtur pasurinë e bankës, depozituesit dhe kreditorët, si dhe për të krijuar kushte për një ndryshim të mundshëm të pronësisë.
Banka Popullore ka theksuar se heqja e licencës së institucionit në Serbi nuk nënkupton automatikisht falimentimin e bankës në Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, Alta Banka në Manastir vazhdon të jetë likuide, e kapitalizuar mirë dhe nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë.
Guvernatori Trajko Sllaveski ka mbrojtur vendimin për dhënien e pëlqimit për hyrjen e kapitalit serb në strukturën pronësore të ish-Stopanska Bankës së Manastirit. Sipas tij, banka kishte qenë në gjendje të vështirë financiare dhe për vite me radhë ishte mbajtur nën mbikëqyrje intensive, ndërsa hyrja e investitorit të ri ishte vlerësuar si mundësi për vazhdimësinë e funksionimit të saj.
NGA 5 NËNTORI, TËRHEQJE DERI NË 20 MIJË DENARË
Ndryshe, nga sot (5 nëntor), qytetarët që kanë llogari pagesore në Alta bankë SHA Manastir, ndërsa nuk kanë kartela pagesore, do të mund t’i tërheqin paratë e tyre në sportelet e filialit kryesor në bankën në Manastir, informoi Banka Popullore. Për këtë qëllim, do të hapen disa sportele në adresën rr. “Dobrivoe Radosavleviq”, nr. 21, të dedikuara për pagesa me para në dorë, sidomos për pensionistët dhe pranuesit e ndihmës sociale, të cilët i marrin paratë përmes llogarive në banka. Qytetarët do të mund të tërheqin më së shjmti 20.000 denarë, sa është vlera e lejuar për tërheqjen në periudhë prej dy javëve.
Nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, 7 nëntor, filiali do të punojë në dy turne, me qëllim që t’ju shërbejë sa më shumë klientëve. Pagesa do të kryhet gjatë didsa ditëve, sipas një orari paraprakisht të përcaktuuar. Qytetarët do të marrin SMS mesazhe me informacion për ditën dhe orën kur duhet të shkojnë në filial.
Banka Popullore u bën thirrje qytetarëve që t’u përmbahen afateve kohore të pranuara dhe të mos vijnë në filial para orarit të caktuar ose në ditët kur nuk janë thirrur, me qëllim që të shmangen turmat dhe pritjet më të gjata. Për ata që nuk do të jenë në gjendje të vijnë në orarin e caktuar, do të caktohen termine shtesë. Sportelet do të jenë të destinuara ekskluzivisht për tërheqje parash dhe nuk do të kryhen lloje të tjera transaksionesh. Po bëhen edhe përgatitje për hapjen e sporteleve për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale në qytete të tjera të vendit, për të cilat Banka Popullore do të japë informacione shtesë.
Banka Popullore ka vendosur një administrim tremujor në Alta Banka SHA Manastir për shkak të rrethanave që mund të kërcënojnë seriozisht aftësinë e saj paguese, gjegjësisht aftësinë për të mbuluar detyrimet e saj.
Me vendimin e miratuar më 1 si administratorë nëntor janë emëruar Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska, të cilët do të marrin përsipër përgjegjësitë e Bordit të Menaxhimit dhe të Mbikëqyrjes, si dhe të Asamblesë së aksionarëve, me përjashtim të vendimmarrjes për rritjen e kapitalit. Andovski është autorizuar posaçërisht të nënshkruajë vendimet gjatë periudhës së administrimit. Administratorët kanë një periudhë prej 21 ditësh për të përcaktuar situatën e përgjithshme në bankë dhe për të paraqitur një raport në Bordin ekzekutiv të Bankës Kombëtare. Gjatë periudhës tremujore, ata do të kontrollojnë gjithashtu pagesën e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative, të cilat mund të realizohen vetëm me miratimin e tyre. /Koha/




