T’I THUASH “PO” NJË TJETRI! Ulen kurorëzimet, por jo ato me të huaj   

    Nëse numri i martesave vazhdon të jetë në rënie, përqindja e atyre ku njëri prej bashkëshortëve i përket një kombësie jo shqiptare mbetet thuajse e pandryshuar. Preferenca për një partner/partnere maqedonase, turke, boshnjake… apo “Të tjera” – kategoria e ESHS ku nuk saktësohet se për cilën kombësi bëhet fjalë, nuk ka ndryshuar. Për shembull në 2022 janë regjistruar kurorëzuar 3974 shqiptarë (meshkuj) prej të cilëve 135 kanë zgjedhur partnere me kombësi “Të tjera”, 24 me kombësi maqedonase, 11 turke, 8 boshnjake…, raporton gazeta Koha.

    Që e përkthyer në përqindje rezulton se rreth 4,7 për qind e numrit të përgjithshëm kanë zgjedhur një partnere joshqiptare, përqindje kjo e pandryshuar me vitet e kaluara. Por nga ana tjetër ajo që bie në sy është përqindja e vogël e fëmijëve të lindur nga martesat e përziera etnikisht. Nëse 6252 fëmijë evidentohen me atësi shqiptare, prej tyre vetëm 2.6 për qind kanë nënë të huaj. Kjo për shkak se pavarësisht shifrave të larta të martesave me kombësi “Tjetër”, kjo kategori ka numrin më të vogël të fëmijëve – 9. Më shumë ka fëmijë me nënë maqedonase (64), turke (52), boshnjake (17) rome (15).

    “Krahasuar me vitin 2012, në vitin 2022 kemi një rënie të numrit të martesave me 7.9 për qind dhe rritje të numrit të divorceve me 16.3 për qind ” konstatojnë nga ESHS. Por sa jetëgjatë janë kurorat me bashkëshorte apo bashkëshort të huaj tek shqiptarët ? Në vitin 2022 rreth 21 për qind e meshkujve shqiptarë rezultojnë të divorcuar (451). Shifrat më të larta janë divorcet nga partneret me kombësi “Tjetër” (79), ndërsa në divorc kanë përfunduar 358 martesa me partnere shqiptare, 3 me boshnjake… Sa i takon numrit të martesave të shqiptareve me joshqiptarë përqindja është shumë më e vogël, vetëm mbi 1.7 për qind e femrave me kombësi shqiptare janë kurorëzuar me maqedonas – 30, turq – 18 “Të tjerë” – 16…. shifra të ngjashme janë edhe divorcet që arrijnë deri në 5.5 për qind të divorceve me bashkëshort jo shqiptar. Nga ana tjetër rreth 7.5 për qind e fëmijëve me amësi shqiptare (nga gjithsej me 6577 fëmijë) kanë atësi jo shqiptare. Numri më i madh i fëmijëve, gjysma e fëmijëve me atësi joshqiptare janë evidentuar me atësi “Të panjohur” 290 . ndërsa 90 më atësi maqedonase, turke 74, boshnjake 14, rome 13…

    Në total, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i martesave të lidhura në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, është ulur me 1,6për qind dhe ka arritur në 12672. Nga ana tjetër numri i shkurorëzimeve në vitin 2023 shënoi një rritje prej 9,4për qind krahasuar me vitin 2022 dhe arriti në 1765 divorce. Sipas moshës, numri më i madh i divorceve ka ndodhur në grupmoshën 35 deri në 39 vjeç, nga të cilat 310 (ose 17.6 për qind te femrat dhe 295 ose 17.6 për qind te meshkujt). Sipas kohëzgjatjes së martesës, shumica e divorceve, 393 (ose 22.3 për qind) kanë ndodhur 5 deri në 9 vjet pas lidhjes së martesës.

    Lajmi Paraprak

    Ushqimi sipas moshës – Rregullat e arta për 20 dhe 30 vjeçarët

    Lajmi i rradhës

    Anemia – Si ta shmangni me ushqimet dhe produktet e duhura

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë