Qytetarët në RMV kanë gati 7.5 miliardë euro në banka

    Qytetarët në vend mbajnë gati 7.5 miliardë euro në banka, ndërsa kursimet po rriten pavarësisht sfidave ekonomike dhe inflacionit. Në të njëjtën kohë, borxhi i familjeve po rritet gjithashtu. Në shtator, kreditë e qytetarëve arritën afërsisht 4.93 miliardë euro. Kreditë konsumatore janë rreth 2.45 miliardë euro për të mbuluar nevojat e përditshme të jetesës , ndërsa kreditë për strehim janë rreth 1.9 miliardë euro.

    Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë dhe Banka Popullore, depozitat e qytetarëve janë rritur me 9.2 për qind në vit, ndërsa depozitat me afat janë rritur me 5.7 për qind. Sipas Bankës Popullore, në shtator totali i depozitave në sistemin bankar ishte 9.2 për qind më i lartë se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, aktiviteti i huadhënies u rrit me 14.1 për qind.

    Të dhënat nga Banka Popullore të publikuara me rastin e Ditës Botërore të Kursimeve – 31 tetor, tregojnë se totali i depozitave në sistemin bankar në shtator arriti në pothuajse 11.2 miliardë euro. Nga këto, depozitat e familjeve arritën në 7.51 miliardë euro, krahasuar me rreth 7.2 miliardë euro në fillim të vitit. Kjo përfaqëson një rritje prej afërsisht 310 milionë eurosh në nëntë muaj. Në të njëjtën kohë, statistikat tregojnë se edhe në kushte inflacioni, disa qytetarë arrijnë të lënë mënjanë fonde për një afat më të gjatë.

    Një pjesë e madhe e fondeve nuk janë në depozita afatshkurtra, por janë në llogari transaksionesh, gjë që tregon se ato përdoren për shpenzime rrjedhëse, fatura dhe mbijetesë të përditshme, si dhe pasqyrojnë fuqinë reale blerëse të popullsisë.

    Edhe pse shuma totale e depozitave është në rritje të vazhdueshme, ekonomistët theksojnë se këto shifra nuk e tregojnë pamjen reale për shumicën e qytetarëve. Pjesa më e madhe e kursimeve është në duart e një përqindjeje të vogël të popullsisë, ndërsa shumica e qytetarëve mezi mbulojnë shpenzimet aktuale mujore dhe kanë kursime minimale ose zero kursime.

    Nëse shuma totale do të ndahej midis rreth 1.83 milion banorëve, mesatarja do të ishte afërsisht 4,100 euro për banor. Megjithatë, kjo është vetëm një llogaritje matematikore dhe jo një pamje reale e kursimeve të qytetarëve. Depozitat përfshijnë edhe fondet në llogaritë e transaksioneve, depozitat pa afat dhe depozitat me afat, që do të thotë se nuk bëhet fjalë ekskluzivisht për kursime afatgjata.

    Pikërisht paratë e qytetarëve janë shtylla e bankave maqedonase, pasi ato përbëjnë pjesën më të madhe të depozitave totale në vend. “Në ekonominë tonë, depozitat apo kursimet janë burimi kryesor i financimit për aktivitetet bankare, përfshirë aktivitetin e kreditimit. Prandaj, lëvizjet në bazën e depozitave përcaktojnë edhe lëvizjet në kredi. Nga ana tjetër, përmes aktivitetit të kreditimit të drejtuar subjekteve ekonomike, ofrohet mbështetje kyçe për rritjen ekonomike”, theksojnë ekonomistët.

    Për më tepër theksojnë se sistemi bankar i Maqedonisë është stabil, dhe qytetarët qëndrojnë konsekuent ndaj kursimeve tradicionale apo kursejnë më shumë në banka dhe investojnë më pak në aksione. Kursimet, janë rritur edhe për faktin se është krijuar Fondi i Sigurimit të Depozitave që garanton pagesën deri në 30 mijë euro, me të çilin qytetarët ndjejnë garanci për paratë e tyre.

    Ndryshe, në vendet më të pasura, paratë zakonisht investohen në fonde të ndryshme në vend të kursimeve. Ekonomistët thonë se njerëzit tanë kursejnë jashtë fondeve për arsyen e thjeshtë të sigurisë. “Nuk bëhet fjalë për të ardhura apo fitime siç thonë në ekonomi, por ka të bëjë me sigurinë. Ato që disponojmë me më shumë para e shpërndajnë sigurinë me blerjen e patundshmërive, që jepen me qira apo përdorin pasurinë e paluajtshme për biznes. Nuk i besohet por edhe nuk njihet mjaftueshëm investimi në bursë dhe mendimi është se vlera e pronave të paluajtshme edhe me kalimin e krizës sërish do të vlejë”, shpjegojnë ekonomistët.

    Lajmi Paraprak

    Në Tetovë parkohet gjithandej!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë