Pesë vite më parë grilat e vendosur nga qeveria e Gruevskit, që fortifikonin godinën e qeverisë u hoqën me vendim të ish-kryeministrit Zoran Zaev, me arsyetimin se ekzekutivi në atë kohë do të jetë më pranë qytetarëve dhe më i hapur për ta.
Por Qeveria e re me të marr detyrën vendosi që të rikthejë gardhin.
“Qeveria e re vendosi ti rikthej kangjellat e hekurta në muret rrethuese të qeverisë, të cilat qeveria e kaluar e Zaevit i hoqi, por qeveria e Mickoskit do ti rivendos”, shkruan Alsat.
Në seancën e Qeverisë u kërkua nga Shërbimi për çështjet e përgjithshme dhe të përbashkëta që të fillojë një procedurë për kthimin e gardhit, i cili që nga viti 2019 kur u hoq është deponuar në objektin e kazermës “Ilinden”.
Arkitekti Betim Zeqiri tha se nuk ka rëndësi aspekti material se sa izolimi i institucioneve me qytetarët. Sipas tij, në kuadër të projektit Shkupi 2014 është shëmtuar shpirti arkitekturor i kryeqytetit, ku janë vendosur fasadat barok, objekte të pakuptimta por edhe grilat e qeverisë.
“Vendosja e gardhit e ka simbolikën që dikush do të mbrohet nga tjetri, por në këtë rast mendoj se nuk duhet ti frikësohemi këtyre barrierave fizike. Më të ashpra janë barrierat abstrakte që na kanë krijuar si mbyllja në vetvete dhe mbytja në mito dhe korrupsion… Në fillim me heqjen e gardhit kishte një simbolikë të demokratizimit, ndërsa tani rikthimi në gjendjen e mëparshme”, tha Betim Zeqiri, Arkitekt.
Pas gardhit në atë kohë kishin mbetur vetëm shtyllat me granit të bardhë, heqja e të cilave ishte paralajmëruar nga qeveria e atëhershme do të kushtonte shumë.
Gardhi metalik i hequr më pas u njoftua se do të shndërrohej në diçka tjetër, si tenda apo stola, por mbeti në depot e ushtrisë.
Gardhi 2,5 metra i lartë përreth godinës së qeverisë u vendos në vitin 2015, kur ndërtesa mori një fasadë të re barok. Kostoja e atëhershme e tyre ishte rreth 700 mijë euro. /Alsat/