Dibra vite me radhë ka qenë ndër qytet ku gjakdhuruesit kanë dhënë lëngun më të shtrenjtë – gjakun për të shpëtuar jetë njeriu. Gjatë viteve të kaluara në Dibër siç njoftojnë nga organizata komunale e Kryqit të Kuq është tejkaluar edhe plani vjetor për gjakdhurim i cili ka qenë 744 njësi gjaku.
Mirëpo sivjet ky plan vjetor për gjakdhurim është zvogëluar dhe plani vjetor është caktuar 600 njësi gjaku. Andaj nga Kryqi i Kuq komunal thonë se nga shtatori do të ketë edhe ligjërata me gjimnazistët që do të sensibilizojnë moshën e re për gjakdhurim dhe domethënien shëndetësore të gjakdhuruesit. Njëherit siç njoftojnë në këtë organizatë edhe aksionet për gjakdhurim janë reduktuar.
Sekretari i Kryqit të Kuq komunal në Dibër, Isni Telqiu thotë se migrimi ka ndikuar edhe në numrin e gjakdhuruesve në Dibër.
“Si në bizneset e ndryshme që veprojnë në qytet dhe në çdo sferë ashtu edhe në aspektin e gjakdhurimit ikja e të rinjve në migrim ka ndikuar në uljen e numrit të gjakdhuruesit vullnetar. Por njëherit është ulur edhe numri i popullsisë që normalisht nuk është si më parë kur ishte qyteti i mbushur për plotë. Ne do të insistojmë që të kemi më shumë të rinj që të japin lëngun e tyre më të shtrenjtë për të shpëtuar jetë njeriu. Nga shtatori do të realizojmë ligjërata të ndryshme me qëllim që gjimnazistët të njihen me dobitë e gjakdhurimit”, thotë sekretari i Kryqit të Kuq në Dibër Isni Telqiu.
Ai shton se duke marr parasysh se jemi në valën e temperaturave të larta, dhe pasi edhe në Kryqin e Kuq qendror ka gjak të mjaftueshëm për nevojat e qytetarëve, nuk kemi realizuar aksion për gjakdhurim që e kanë patur parasysh me plan programin e gjakdhurimit.
“Temperaturat ekstreme të larta na kanë detyruar të anulojmë aksionet për gjakdhurim, meqë dhe në organizatën qendrore ka gjak të mjaftueshëm. Kishim paraparë një aksion për këtë muaj por shkas janë temperaturat e larta që na detyruan të mos realizojmë një aksion të këtillë”, tha ai.
Sa i takon aksioneve për këtë vit kalendarik deri tani në Dibër janë realizuar 4 aksione për gjakdhurim. Në planprogramin vjetor të organizatës janë paraparë të organizohen 9 aksione të rregullta dhe dy të çrregullta, ndërsa plani vjetor është 600 njësi gjaku.
Njëherit sa i takon gjashtëmujorit të parë të vitit respektivisht gjatë katër aksionet të realizuara janë grumbulluar 290 njësi gjaku. Shpresojmë, thotë Telqiu, se me aksionet në vijim do të arrihet planprogrami për gjakdhurim të paraparë për këtë vit. Viteve të kaluara janë realizuar nga 12 aksione për gjakdhurim dhe me ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje është realizuar një aksion ku kanë patur mundësi edhe mërgimtaret të dhurojnë gjak.