Kuajt shpesh shihen duke u endur ose duke kullotur në parqe, trotuare dhe rrugë të zonave urbane, ku prania e tyre nuk është e përshtatshme. Ndonëse kjo dukuri është bërë pothuajse e zakonshme, një incident i pazakontë gjatë Maratonës së Shkupit ka ngjallur shqetësim të madh, shkruan Prizma, përcjell Nistori.
Fotografia e një pele që solli në jetë një mëz në mes të rrugës, në komunën e Karposhit, u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Ngjarja riktheu vëmendjen te një problem i kahershëm dhe i përditshëm – prania e kafshëve të mëdha shtëpiake në hapësirat urbane.
Kafshët dëmtojnë vazot dekorative dhe elemente të tjera të hapësirave publike, ndërsa lëvizja e tyre në rrugë pengon qarkullimin dhe përbën rrezik për sigurinë në trafik. Për më tepër, prania e tyre pranë qytetarëve mund të shkaktojë shqetësim, pasi sjellja e kafshëve mund të jetë e paparashikueshme dhe, në rrethana të caktuara, të çojë në lëndime.
Nga ana tjetër, kullotja në parqe dhe lëvizja mes automjeteve në rrugët e qytetit rrezikojnë edhe mirëqenien e vetë kafshëve. Lindja e një mëzi në mes të rrugës është vetëm një nga shembujt më ekstremë të mungesës së kujdesit dhe neglizhencës ndaj kuajve.
Kompetenca të ndërthurura mes institucioneve

Për largimin e pelës dhe mëzit nga rruga u desh ndërhyrja e disa institucioneve.
Në Karposh, ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji. Banorët prej kohësh ankohen për praninë e kuajve që kullosin në parqe dhe lëvizin lirshëm nëpër rrugë.
Ndërkohë, karrocat e tërhequra nga kuajt janë një pamje e zakonshme në pjesë të tjera të Shkupit, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Kjo tregon se problemi nuk po trajtohet në mënyrë parandaluese dhe sistematike. Institucionet zakonisht reagojnë vetëm pas denoncimeve të qytetarëve ose kur ndodhin incidente. Madje, edhe në raste të tilla, ndërhyrjet shpesh shoqërohen me vështirësi.
Rasti i pelës dhe mëzit në Karposh nxori në pah mangësitë sistemike dhe mungesën e mekanizmave të qartë institucionalë për trajtimin e situatave të tilla.
Sipas procedurave, të parët që duhet të ndërhyjnë janë inspektorët komunalë, në këtë rast ata të Komunës së Karposhit.
Siç konfirmoi komuna për BIRN-in, gjatë incidentit ishte i pranishëm një inspektor komunal, i cili përpiloi procesverbalin e një inspektimi të jashtëzakonshëm dhe ia dorëzoi Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Megjithatë, këtu u shfaq pengesa e parë. Agjencia nuk kishte në dispozicion mjetet dhe pajisjet e nevojshme për kapjen dhe transportimin e kafshëve.
Deri para disa vitesh, këtë detyrë e kryente një ndërmarrje komunale e Shkupit, ndërsa më pas, për një periudhë të shkurtër, përgjegjësinë e mori Ndërmarrja Publike „Lajka”, e cila merret kryesisht me trajtimin e qenve endacakë.
Megjithatë, „Lajka” refuzoi të merrej me kafshët e mëdha, ndërsa automjeti që ndërmarrja përdorte për transportimin e tyre tashmë është jashtë funksionit.
Për këtë arsye, AUV-ja u detyrua të kërkonte ndihmë nga Kopshti Zoologjik i Shkupit, i cili është nën kompetencën e Qytetit të Shkupit.
“Pelën e vendosëm në pjesën e pasme të furgonit, ndërsa mëzin u detyruam ta mbanim në prehër, në pjesën e përparme”, deklaroi për BIRN-in Sasho Pancev, një nga kujdestarët me përvojë të Kopshtit Zoologjik të Shkupit.
Strehimi i kafshëve mbetet problem

Pas largimit të pelës dhe mëzit nga rruga, sfida e radhës ishte gjetja e një vendi të sigurt për strehimin e tyre.
Pancev shpjegoi se rreth dhjetë vjet më parë kishte pasur disa raste kur kuajt e larguar nga hapësirat publike ishin strehuar në Kopshtin Zoologjik të Shkupit.
Megjithatë, kjo praktikë është ndërprerë prej kohësh.
Sipas tij, pronarët joformalë të kafshëve kishin mësuar se ku strehoheshin kuajt dhe paraqiteshin në Kopshtin Zoologjik, ku hynin në debate me punonjësit dhe i fyenin ata.
Për të shmangur situata të ngjashme, vendndodhja ku aktualisht po strehohen pela dhe mëzi nuk bëhet publike.
Nga AUV-ja konfirmuan për BIRN-in se kafshët ndodhen në një vend të sigurt dhe po marrin kujdesin e nevojshëm.
Agjencia bëri të ditur se pelës dhe mëzit u është ofruar kujdes veterinar dhe se aktualisht po mbahen në një stallë që përmbush kërkesat ligjore për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve.
Megjithatë, kjo mbetet një zgjidhje e përkohshme, pasi AUV-ja nuk disponon ambiente të përhershme për strehimin e kafshëve të tilla.
Pikërisht mungesa e një hapësire të përshtatshme përbën një nga sfidat më të mëdha në raste të ngjashme.
Edhe kur Agjencia i sekuestron kafshët për shkak të keqtrajtimit ose kushteve të papërshtatshme të mbajtjes, ajo detyrohet të kërkojë zgjidhje të improvizuara, pasi nuk ekziston një objekt i posaçëm për strehimin e tyre.
“Për secilin rast kërkohet dhe gjendet një zgjidhje e përshtatshme, në varësi të rrethanave”, sqaruan nga AUV-ja.
Nga Agjencia theksuan se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve, të cilat, sipas ekspertëve, janë vonuar të paktën gjashtë vjet, parashikojnë ndërtimin e një qendre të posaçme për kujdesin, strehimin dhe ndërmjetësimin në procesin e gjetjes së pronarëve të rinj për kafshët e braktisura dhe ato pa strehë.
Ndëshkimi i pronarëve mbetet i vështirë
Nga Komuna e Karposhit sqarojnë se kompetencat e tyre kufizohen në mundësinë e shqiptimit të gjobave ndaj pronarëve të kuajve.
Megjithatë, në rastin konkret, përgjegjësinë për zhvillimin e procedurës e ka marrë Qyteti i Shkupit.
“Në përputhje me Vendimin për Rendin Komunal të Qytetit të Shkupit, inspektorët komunalë të Qytetit kanë ndërmarrë veprime lidhur me këtë rast dhe aktualisht po zhvillohet procedurë ndaj një personi të panjohur”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Por pikërisht në këtë fazë zakonisht paraqiten vështirësi të tjera.
Pronarët e kuajve shpesh nuk posedojnë dokumente identifikimi, ndërsa pronësia mbi kafshët nuk është e regjistruar zyrtarisht. Kjo e vështirëson identifikimin e personave përgjegjës dhe shqiptimin e sanksioneve.
Ashtu si shumë kuaj të tjerë që enden nëpër hapësirat urbane, edhe pela e gjetur në Karposh nuk kishte mikroçip identifikues, përmes të cilit mund të përcaktoheshin të dhënat e pronarit.
Nga Komuna e Karposhit shpjeguan për BIRN-in se, për shkak të vështirësive në identifikimin e pronarëve, raste të tilla u kalohen Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Këto institucione kanë kompetenca për të ndërmarrë masa të mëtejshme, përfshirë edhe sekuestrimin e kafshëve nga pronarët e tyre.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, BIRN-i nuk kishte marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me kompetencat konkrete të institucionit dhe numrin e personave të gjobitur për shkelje që kanë të bëjnë me mbajtjen e papërgjegjshme të kuajve.
Rreth dhjetë ditë pas incidentit, gjendja shëndetësore e pelës dhe e mëzit të porsalindur ishte stabilizuar dhe po përmirësohej, konfirmoi për BIRN-in inspektorja e AUV-së, Tanja Ololovska-Ristevska.
“Pela ishte shumë e frikësuar dhe e traumatizuar nga lindja. Ishte aq e shqetësuar, saqë nuk e lejonte mëzin të pinte qumësht”, deklaroi inspektorja.




