Këshilli i BE-së merr vendim për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës

    Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

    Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.

    Me të përfundojnë të gjitha proceset legjislative.

    Pasi të hyjë në fuqi – gjë që pritet të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së – vendimi do të fillojë të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

    “Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit e Serbisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

    Procedurat për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe nisën në vazhdën e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti.

    Me heqjen e vizave për qytetarët me pasaporta të Kosovës, qytetarët që posedonin vetëm dokumente të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë – e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd – mbetën të vetmit në rajon që u duheshin viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

    Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta në nëntor të vitit të kaluar.

    Parlamenti Evropian votoi për këtë çështje në prill të këtij viti.

    Këto vendime nxitën reagime nga Qeveria e Kosovës.

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha në nëntor të vitit 2023 se “njohja e këtyre dokumenteve e minon integrimin e komunitetit serb” dhe “i dëmton përpjekjet tona të kahershme [për integrimin e serbëve]”.

    Kosova nuk i njeh pasaportat në fjalë dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    AUV largon nga tregu 8.7 tonë ushqim të pasigurt

    Lajmi i rradhës

    Dëmet nga rrezet ultraviolet në lëkurë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë