Banorët të komunës Dibër plot pas 5 viteve nga vendimi i Këshillit, kanë mundësinë të përdorin emrat e ri të rrugëve edhe në dokumentet siç janë letërnjoftimet, pasaportat dhe dokumentet e tjerë. Poashtu tani do të vendosen edhe tabelat në rrugët e Dibrës me emrat të ri të rrugëve.
Këtë për gazetën KOHA e deklaroi kryetari i Këshillit të komunës Fuat Spahiu i cili shtoi se vendimi i Këshilli të komunës i vitit 2019 definitivisht fillon të zbatohet, me që ka marrë dritë jeshile edhe nga institucionet qendrore.
Në një prononcim për gazetën KOHA, Spahiu thotë se vendimi është dashtë të startoj para zgjedhjeve, por MPB dhe institucionet e tjera kanë informuar pushtetin vendor se për shkak të ndryshimit të emrave të rrugëve, zbatimi do të jetë pas zgjedhjeve parlamentare. “Pas vendimit në vitin 2019, lista ka marrë aprovim edhe nga Qeveria e mëparshme, pastaj edhe nga institucioni Regjistri Qendror dhe institucionet e tjera kompetente. Është një vendim objektiv sepse emrat e ri i votuan të gjithë këshilltarët të asaj kohe, pa marrë parasysh cilës parti politike i takojnë. Tani jemi shumë të kënaqur për ndryshimin e emrave të rrugëve me që deri tani dibranët ishin të detyruar të përdorin shumë emra të cilët faktikisht nuk ishin të dëshirueshëm për ne. Kaloi koha e sistemit monist jugosllav dhe ne si dibranë ishim të detyruar të përdorim këta emërime komuniste”, tha për gazetën KOHA, kryetari i Këshillit, Fuat Spahiu.
Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka ka përshëndetur zyrtarizimin e emrave të ri të rrugëve dhe ka shtuar se pushteti vendor i Dibrës ka marrë të gjithë aktivitetet në përputhje me ligjet e vendit dhe normalisht tani ka arritur koha që rrugët e Dibrës t’i kenë emrat të cilët i takojnë asaj.
“Shumë shpejt në rrugët do të vendosen edhe tabelat metalike me emrat e ri të rrugëve”, ka thënë Duka para anëtarëve të Këshillit komunal të Dibrës.
Një prononcim për gazetën KOHA dha edhe kryetari i atëhershëm i Këshillit, Bashkim Mashkulli.
“I nisëm procedurat për ndryshimin e emrave të rrugëve në përputhje me ligjet e vendit. Votuan të gjithë këshilltarët, respektivisht të 15, nga të gjithë partitë politike dhe tani kemi emrat e ri. Ishin shumë emra të ish sistemit komunist për rrugët e Dibrës. Ajo nuk duroheshe nga dibranët. Në fund erdhi edhe fitorja e madhe dhe tani kemi edhe emrat e dëshiruar e jo ato të komunizmit, siç ishin – Velko Vlahoviç, Edvard Kardel, ARM, 22 dhjetori e tjerë”, thotë Mashkulli i cili potencon se së shpejti beson se do të tejkalohet edhe problemi teknik i 10 emrave të tjerë, me që 90 për qind i emrave është miratuar.
Ai shton se tani Dibra ka emrat të iluministëve dibran dhe mbarshqiptar .
Kur jemi te ndryshimi i emrave nga fillimi i pluralizmit pothuajse të gjithë Këshillat komunal sjellnin vendime për ndryshime. Qysh në vitet e 90- ta, Këshilli komunal i parë pluralist dhe kryetari i atëhershëm tani i ndjerë Qemal Xhafa, miratuan listën e emrave të ri, por nga pushteti vendor nuk morën përkrahje. Kështu ndodhi edhe me Këshillat komunal të mëvonshëm. Tani pas miratimit nga Regjistri Qendror dhe institucionet e tjera, dibranët përshëndetën këtë vendim të sjellur në vitin 2019 e të zyrtarizuar në 2024.