Asnjë linjë ndërkombëtare dhe fare pak linja vendore me tren. Apo thënë ndryshe, me tren mund të udhëtohet deri në Manastir, Gjevgjeli, Kumanovë dhe Veles, ndërsa me vite nuk ka tren as për Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Shtip apo Koçan. Kjo është gjendja aktuale e hekurudhave të Maqedonisë në ditët e sotme.
Së fundmi është problematizuar edhe ndërtimi i seksionit hekurudhor lindor të Korridorit 8, që duhet të rezultojë në lidhjen hekurudhore me Bullgarinë si anëtare e BE-së deri në vitin 2030.
Seksioni i parë nga Kumanova në Beljakovcë, ishte paralajmëruar se do të përfundojë këtë vit, me mbi 50 për qind progres, ndërsa pjesa e dytë nga Beljakovca deri në Kriva Pallankë ka mbi 20 për qind progres. Sfidë për shtetin tani është përfundimi apo jo i seksionit të tretë nga Kriva Pallanka deri në pikën kufitare Deve Bair, që është më kompleksi, për të cilin pritej të zgjidhet kontraktuesi pas shpalljes së procedurës së tenderit. Kohë më parë, ministri i transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se ekziston një dëshirë e kahershme për të ndërtuar një hekurudhë ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, por pyetja është se si, kur Bullgaria nuk është serioze për këtë projekt. Prandaj ai ka kërkuar që paratë të ridrejtohen në Korridorin 10.
Ai akuzoi Bullgarinë se nuk ka projekt për Korridorin 8 dhe kërkon që mjetet të ri dedikohen nga korridori tetë në korridorin dhjetë apo për ndërtimin e një traseje të shpejtë përgjatë Korridorit 10 dhe rehabilitimin e korridorit ekzistues 10. “Pra, nga Tabanoca në Gjevgjeli, nga kufiri me Serbinë deri në kufirin me Greqinë në mënyrë që trenat të mund të lëvizin në orën 100 deri në 120 kilometra në orë, rehabilitimi i hekurudhës ekzistuese, projekt që do të kushtojë 250 milionë euro”, thekson Nikollovski.
VENDIMI BAZOHET NË PROBLEM INXHINIERIK
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se Bullgaria po e politizon paralajmërimin e qeverisë për transferimin e mjeteve për ndërtimin e hekurudhës në Bullgari për nevoja të brendshme politike. Sipas tij vendimi bazohet në një problem thjesht inxhinierik, pasi nuk ka një projekt të qartë nga pala bullgare. “Më vjen keq që sërish për nevojat e tyre të brendshme politike po bëjnë politikë nga e gjithë kjo. Ky është një problem inxhinierik, nuk ka të bëjë me politikën. Ne duam të bëjmë Korridorin 8, unë jam i pari për të, por duhet bërë siç duhet. Është e papërgjegjshme të hysh në një aventurë në të cilën nuk e dimë nëse do të ketë një fund apo kur do të jetë fundi. Nuk duam që autostrada e re Ohër-Kërçovë të ndodhë pikërisht tani në këto 24 kilometra”, tha mes tjerash Mickoski. Për më tepër thekson se do të ishte çmenduri që qeveria të binte dakord me një projekt që përfundon në gjysmë tuneli në një rrugë qorre, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për ndryshim interesi, por si duhet të vendosen gjërat rrugë të drejtë. “Gjithashtu bëhet fjalë për një vlerë të projektit prej 560 milionë euro ku 360 milionë euro janë kredi që duhet të kthehet nga taksapaguesit në Maqedoni dhe 200 milionë euro janë grante evropiane apo para të taksapaguesve evropian. Sipas kontratës lehtësisht vlera e projektit mund të ikë në 750-800 milion euro”, argumenton kryeministri disa nga rreziqet e vazhdimit të kë tij projekti.
Sipas kryeministrit Mickoski, është fat që ndryshimi ka ndodhur, kështu që ende mund të parandalohet. Ai theksoi se projektin e kanë kërkuar nga pala bullgare, por nuk ekziston. Ai u kërkoi që ta përfundojnë në mënyrë që të jetë një vazhdimësi drejt Detit të Zi, siç e parashikon korridori strategjik, strategjik dhe për Aleancën e NATO-s nga Deti i Zi përmes Bullgarisë, nga vendi ynë, Shqipëria në Itali.
Në lidhje me synimin për riorientimin e mjeteve nga kredia nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga EIB që ka marrë qeveria e mëparshme, për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, e cila përfundon me tunel, ai pret mirëkuptim nga kreditorët.
SHQETËSIMI BULLGAR
Nga ana tjetër, Sofja zyrtare shprehu një dozë shqetësimi dhe theksoi se po ndjek deklaratat e politikanëve zyrtarë maqedonas që kanë për qëllim shkeljen e obligimeve ndërkombëtare për lidhjen e infrastrukturës. Shqetësimi i shtuar vjen pas njoftimeve se Shkupi do të kërkojë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që të devijojë paratë evropiane për ndërtimin e komponentit hekurudhor nga Korridori 8 në një linjë të shpejtë në Korridorin 10.
Në njoftimin e qeverisë bullgare thuhet se pikërisht Korridori 8 është një rrugë kyçe logjistike përgjatë krahut jugor të NATO-s që lidh detin e Zi dhe Adriatik. Për këtë arsye, ndërtimi i saj ka një rëndësi të madhe në momentin aktual gjeopolitik, prandaj refuzimi i ndërtimit të komponentëve kryesorë e dobëson sigurinë kolektive të aleancës së NATO-s, thuhet në njoftimin e Qeverisë bullgare.
Ata theksojnë se modernizimi dhe përfundimi i komponentit hekurudhor janë pjesë e programit kombëtar “Lidhja e transportit 2021-2027”. Në territorin bullgar, projekti është pjesë e modernizimit të linjës hekurudhore Sofje – Pernik – Radomir – Gueshevo – kufi me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, nuk ka lidhje të vendosur nga stacioni i Gueshevës me kufirin.
Në të kaluarën ishte vendosur që lidhja të bëhet në mes Gjueshevës dhe Kriva Pallankës dhe për këtë qëllim të ndërtohet një tunel kufitar me gjatësi të përgjithshme prej 2.368 m, nga të cilat 1.194.70 m janë në territorin e Bullgaria.
Qeveria bullgare në qëndrimin e saj shton se, falë përpjekjeve bullgare, Korridori 8 është përfshirë në fushëveprimin e korridorit evropian të transportit “Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor” si prioritet për BE-në. Në fund të vitit 2023, seksioni Kriva Pallankë – Deve Bair u caktua nga BE-ja si një nga gjashtë projektet kryesore të strategjisë “Global Portal” dhe u financuar me mbi 500 milionë euro grante dhe kredi. Modernizimi dhe kompletimi i komponentit hekurudhor të Korridorit 8 në territorin bullgar është pjesë e programit kombëtar “Transport Connectivity 2021 – 2027”.
Në ndërkohë drejtori i ri hekurudhës -infrastruktura, Sinisha Ivanovski alarmoi se në hekurudhën në drejtim të Bullgarisë janë bërë shtylla me struktura përforcuese që po shemben. Në një postim në Facebook, ai ndan përvojën e tij të vizitës së pjesës së dytë të hekurudhës drejt Bullgarisë, për të cilën thotë se ishte “befasuese dhe zhgënjyese”. “Duhej betonizuar një themel i skelës për një urë. Përpara betonimit, e gjithë struktura përforcuese u shkatërrua sikur të ishte nga gypi për pirjen e lëngjeve dhe jo nga shufra përforcuese me trashësi 28mm dhe 32mm”, thekson Ivanovski.
Për sfidat në ndërtimin e hekurudhë s në drejtim të Bullgarisë flete dhe fakti se nevojitet të ndërtohen 36 tunele dhe mbi 80 ura që kjo hekurudhë të bëhet funksionale. Vetëm në 23 kilometrat e seksionit të tretë duhet të ndërtohen 22 tunele dhe 52 ura. Seksioni i ndërtimit është i ndarë në tri pjesë. Dy seksionet e para prej 37 km dhe 33 km kanë filluar dhe sipas kontratave të nënshkruara, seksioni i parë duhet të përfundojë këtë vit dhe i dyti në tremujorin e parë të 2026.
Ekspertët e transportit të hekurudhave thonë se hekurudhat e shpejta janë në kuadër të strategjisë së BE-së për vitet 2030-2050. Ata besojnë se shumica e pasagjerëve duhet të udhëtojnë me hekurudha të tjera në distanca më të gjata deri në vitin 2050. Hekurudhat janë fitimprurëse nëse distancat e transportit janë nga 700 në 1000 km. Ato janë gjithashtu me kosto efektive në distanca më të shkurtra nëse keni njerëz që përdorin trena për dhe nga puna. Hekurudhat e shpejta nuk duhet të ndërtohen vetëm me fqinjët, por mund të ndërtohen edhe brenda vendit. Njëherësh ato nuk ndërtohen sepse janë shumë të shtrenjta.
Për më tepër vlerësohet se transporti hekurudhor është veçanërisht i rëndësishëm për vendet pa dalje në det, siç është Maqedonia, sepse shkëmbimi i madh ndërkombëtar i mallrave më së shumti bëhet përmes transportit ujor, i cili është më i liri kur llogaritet për njësi sasia e transportuar, i ndjekur nga hekurudha. Njëherësh performanca, konkurrueshmëria dhe përfitimi i kompanive varen drejtpërdrejt nga shuma e kostove të transportit. Vlerësohet se shkëmbimi ndërkombëtar i mallrave është veçanërisht i rëndësishëm për ekonominë e Maqedonisë, e cila është e hapur për tregjet e huaja dhe e cila në mënyrë strategjike ka për qëllim tërheqjen e investimeve të huaja dhe teknologjive të reja. /Koha/