Kallëzim penal deri te Antikorrupsioni për zv.ministrin Nazim Bushi

    Aleanca për Shqiptarët sot ka dërguar kallëzim deri te Antikorrupsioni kundër zëvendësministrit të brendshëm Nazim Bushi për dyshime për korrupsion. Bëhet fjalë për rastin në të cilën Nazim Bushi bashkë me anëtarët e familjes së tij ka qëndruar në një nga hotelet më të shtrenjta në Stamboll. Qëndrimi ka zgjatur disa ditë në një suitë ku nata kushton rreth 20 mijë euro.

    “Njoftojmë opinionin se, sot, Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kallëzim për dyshime për korrupsion kundër Nazim Bushit, Zëvendës-Ministër i Punëve të Brendshme. Kallëzimi është ngritur në lidhje me qëndrimin e Nazim Bushit në një hotel luksoz të Stambollit në muajin tetor 2020, qëndrim ky që kap vlerë prej dhjetëra mijëra euro, por që janë paguar nga persona të panjohur sipas Zëvendës-Ministrit, gjë që përbën një dhuratë që bie në kundërshtim me rregulloret pozitive”, potencojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

    Ndërkaq, zëvendësministri Nazim Bushi, ka theksuar se bëhet fjalë për udhëtim privat për shkaqe shëndetësore, që ishte planifikuar para se të bëhej zëvendësministër. “Bëhet fjalë për udhëtim privat para tre viteve, i planifikuar tre-katër muaj para se të bëhem zëvendësministër. Ishim në Turqi për intervenim mjekësor për një anëtar të familjes në ‘Koç Hospital’. Në apartamentin e hotelit kemi qëndruar më shumë persona, ishim mysafirë të dy miqve familjar që janë kujdesur për akomodimin. Nuk e di se kush e ka paguar llogarinë dhe sa kushton nata, por shuma prej 20.000 euro është e tepruar”, tha Nazim Bushi.

    Lajmi Paraprak

    Digjet një kazino në “Gjorçe Petrov”

    Lajmi i rradhës

    Përmbyllet gjysmëvjetori i parë në shkollat e RMV-së me shumë probleme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë