Të arritura shumë të mira kanë treguar dy dikasteret përgjegjëse për grumbullimin e tatimit në vend. Administrata e të Ardhurave Publike ka shënuar rekord duke mbledhur 217 milionë euro taksa në muajin korrik.Drejtoresha Elena Petrova thotë se arkëtimi vjetor është rritur për 42 për qind, për shkak se disiplina e imponuar e pagesave ka qenë më efektive në krahasim me periudhën paraprake kur është “mbyllur njëri sy” ndaj debitorëve.
“Drejtoria për të Ardhura Publike duhet të kujtojë dhe këshillojë vazhdimisht debitorët dhe ne e bëmë këtë muajin e kaluar. Ne dërguam mesazhe përmes mediave dhe patëm takime në nivel kombëtar dhe vendor me kontabilistët dhe dhomat e tregtisë. Por ne dërguam edhe mesazhe të personalizuara te grupet e targetuara të tatimpaguesve, ku mesazhet përmbanin përmbajtje specifike për vetë tatimpaguesin”, thotë Petrova në një prononcim për Sitel.
Drejtoresha e DAP paralajmëroi analiza që do të mundësojnë në periudhën e ardhshme zgjerimin e bazës tatimore me aktivitete që deri më tani kanë fshehur të ardhura.
Rekord ka shënuar edhe Drejtoria doganore me 195 milionë euro të mbledhura në muajin korrik, ndërsa drejtori Boban Nikollovski thotë se i janë drejtuar “të gjithë subjekteve që për arsye të ndryshme kanë pasur borxhe në Dogana”. “E dyta është se kemi apeluar që të gjithë klientët t’i paguajnë borxhet për dhënien me qira të objekteve në pronësi të Drejtorisë doganore”, tha Nikollovski.
Gjithashtu të hyrat e realizuara nga Drejtoria doganore në tremujorin e parë të këtij viti ishin 28.7 miliardë denarë, që është për 1.9 miliard denarë ose 7 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të hyrat nga doganat në vitin 2023 janë rritur për 10.3 për qind në krahasim me vitin paraprak 2022 dhe kanë arritur në 9.1 miliardë denarë. Gjithsej të hyrat e mbledhura nga Drejtoria doganore në vitin 2023 janë 117.9 miliardë denarë, mjete të cilat derdhen në buxhet dhe janë një nga burimet kryesore për investime në shëndetësi, arsim, infrastrukturë etj. Doganat marrin pjesë me 43 për qind në të hyrat e përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë. Në ndërkohë nga DAP paralajmëruan se pritet një proces reformues lidhur me ridizajnimin e proceseve të biznesit dhe automatizimit dhe digjitalizimin e tyre, i cili do të ndryshojë mënyrën e llogaritjes së pagave dhe mbledhjes së taksave.
Drejtoresha e re e DAP, Elena Petrova bëri të ditur kohë më parë se nga pikëpamja e mbledhjes së të ardhurave tatimore, reforma do të thotë që të dhënat në Administratën Tatimore nuk do të vijnë si të dhëna historike, pas përfundimit të periudhës tatimore, por do të jenë të disponueshme në kohë reale, domethënë në kohën kur ndodhin transaksionet e tatueshme të biznesit.
Me këtë, kjo drejtori do të jetë në gjendje të ketë akses në kohë reale dhe të monitorojë rreziqet, devijimet në llogaritjen e detyrimeve tatimore dhe të mundësojë mbledhjen e shumës së saktë të tatimit në kohë reale, domethënë të mbledhë të ardhurat e sakta tatimore.
“Disponueshmëria e të dhënave në Administratën Tatimore në kohë reale, të cilat do të sigurohen nëpërmjet dixhitalizimit, do të mundësojnë edhe trajtimin e shpejtë të formave të ndryshme të mospagesës së taksave, të cilat, mund të variojnë nga gabime të paqëllimshme deri te abuzime të vetëdijshme dhe të qëllimshme dhe mashtrimet tatimore”, thonë nga DAP. /Koha/