Në BE me Edi Ramën?!! Nein, Danke!

    DR.JORGJI KOTE

    Ditët e fundit, Kryeministri ynë “në detyrë” e ka justifikuar mosdorëheqjen se demek vetëm me atë Shqipëria anëtarësohet në BE! Këtë ai e pohoi edhe në fushatën e zgjedhjeve 2021 me sloganin “me Edin me PS-në drejt BE-së” që na rikujton parrullën “Me Enverin, me Partinë, socializmit do t’ia mbrijmë”! Mirëpo, kjo deklaratë që rreket t’i japë Ramës ekskluzivitetin e anëtarësimit në BE nuk ka këmbë ku të qëndrojë. Madje, ajo mbetet prapa sloganit monist që “Vetëm Partia e Punës i përfaqëson interesat e të gjithëve dhe mund të na çojë në socializëm”. Në fakt, ky slogan ishte më i vërtetë se ai i Edit sepse klasat e përmbysura dhe të burgosurit politikë nuk e donin socializmin, ndaj edhe nuk kishin se si ta ndërtonin atë. Ndërsa sot, Rama nuk ka asnjë të drejtë dhe pikën e besueshmërisë kur e heq vehten si flamurtar i anëtarësimit në BE! Proces që ka filluar mbi tre dekada më parë, kur ai “hante pilaf” si refugjat në Paris. Pastaj, ja shiheni, ende pa kaluar viti nga premtimi i tij i bujshëm për pasaportën europiane, në shkurt doli në editorial me Vuçiçin, humbësin e madh të 25 tetorit, duke dhënë viston, ndonëse pa ia kërkuar njeri për anëtarësimin gjysmak në BE.

    Ndërsa javën e kaluar doli hapur jo vetëm kundër Kushtetutës por edhe kundër  lirive të mëdha të BE-së, sidomos saj të lëvizjes dhe tubimit; duke kërcënuar si të ishte xhandar dhe prokuror monist protestuesit me sanksione penale, financiare dhe anti-njerëzore; ndërkohë, me paketën e Anti-Protestës, të cilën do ta kishte zili rregjimi monist në vitin 1990 injoron edhe parimin e prezumimit të pafajësisë me të cilin ka mbrojtur ditë e natë bashkëpuntorët e tij të ngushtë të përfshirë në afera dhe skandale të turpshme! Ndërsa policinë po e përdor si ushtri mercenarësh për të shtypur dhe përndjekur protestuesit paqësorë; kur sipas parimeve dhe praktikave më të mira të BE-së, ajo duhet të mbrojë dhe jo të sulmojë shtetasit e vet. Kësisoj, Rama i ka kthyer fasadat në fantazma dhe falanga dhune dhe krimi! Mirëpo,  nëse Rama është përpjekur pa sukses ta personalizojë përgjegjësinë e atyre që “hanë dardha prapa shpinës së tij”, edhe pse deri dje nuk linte fjalë pa i ngritur në qiell, ai kursesi nuk mund ta personalizojë dhe ta privatizojë anëtarësimin në BE dhe as ta përdorë si jelek shpëtimi, sidomos tani që nuk di ku të futë kokën. Për fatin e tij të keq, ashtu si në fushat e tjera, edhe në atë të integrimit, sidomos mbas shpërthimit të protestave masive paqësore, Rama e ka humbur davanë bashkë me besueshmërinë politike; edhe imazhi i tij publik ka rënë për tokë. Mirëpo tani është tepër vonë t‘i rivendosë ato, ca më pak me truke që u ka dalë boja apo edhe me pasqyrat besnike, të cilat janë thyer e janë bërë copë copë.

    Ai nuk e di se demarshet për anëtarësimin në BE nuk janë shfaqje, kulla dhe fasada, të cilat i ka patur dhe i ka aq për zemër. Po ashtu, me tuta, timon, tepsi, poture, benevrekë dhe atlete mund “të shkohet e shumta deri te Ura e Limuthit” por jo më tej, dhe ca më pak në Bruksel. Sepse integrimi Euro-Atlantik është proces historik mbarëpopullor  që ka filluar 36 vite më parë, edhe pse nëse jo i dështuar, ai është tejet i vonuar. Kështu, nëse vendeve “simotra” u janë dashur më pak se 15 vjet nga dorëzimi i kërkesës zyrtare deri te  anëtarësimi, nga viti 2009 kur ne e dorëzuam kërkesën përkatëse kanë kaluar 17 vite dhe ne jemi “ala te ura”, mbasi nuk kemi mbyllur as gjysmën e grupkapitujve! Ndaj, edhe sikur në vitin 2030 të anëtarësohemi, qoftë edhe gjysma gjysma siç po “duken bathët” kjo do të thotë 21 vite pas dorëzimit të kërkesës! Dhe për këtë vonesë rekord, “meritën” kryesore e ka natyrisht PS-ja dhe Edi Rama, se kanë gati 14 vite rresht në pushtet! Faktet dëshmojnë qartë se integrimi, me të mirat dhe të metat e tij është meritë gjithëpërfshirëse e popullit, shoqërisë shqiptare dhe e klasës politike dhe jo e një apo disa liderëve. Konkretisht, në Qershor 1991 ishin PPSH-ja e sapokthyer në PS  dhe PD-ja që realizuan anëtarësimin tonë në OSBE; më 1995, ishte PD-ja e cila me konsensusin e PS-së së atëhershme na anëtarësoi në Këshillin e Europës.

    Në vitin 1999, kur në pushtet ishte PS-ja me Nanon, Metën dhe Majkon  më shumë për meritë të luftës çlirimtare të Kosovës, BE-ja  na përfshiu në Procesin e Stabilizim– Asociimit. Po ashtu, gjatë kohës kur në pushtet ishin socialistët u zhvilluan dhe përfunduan bisedimet për atë Marrëveshje. Por ishte po PS-ja që e vonoi 2 vjet atë proces për shkak të grindjeve të brendshme dhe luftës për pushtet. Ndaj, edhe pse ajo Marrëveshje ishte gati për nënshkrim, për shkak të korrupsionit në rritje, BE-ja nuk pati besim te PS-ja dhe e shtyu nënshkrimin e saj për në Qershor 2006, mbasi u rikthye në pushtet PD-ja dhe Berisha. Ishte ky i fundit që në Prill 2009 dorëzoi në Pragë kërkesën zyrtare të anëtarësimit në BE. Po në Prill 2009, kur pushtetin e kishte PD-ja dhe me konsensusin e PS-së, Shqipëria u pranua në NATO, e cila mbetet arritja më e madhe e të gjithë kohrave. Gjithsesi, këto nuk ishin merita të njerit dhe tjetrit, por të sistemit dhe vullnetit popullor.

    Më tej, ndonëse Brukseli ishte gati të na jepte statusin kandidat për në BE në vitin 2011-2012, PS-ja dhe Rama  kundërshtuan për si të thuash “mustaqet e Çelos”, duke e vonuar edhe dy vite të tjera statusin e kandidatit. Ndërsa në Qershor 2013, pas fitores së tyre, socialistët dhe Rama e shtynë “me lezet” këtë status për në qershor 2014, vetëm e vetëm që të mos njihej si meritë e PD-së dhe e Berishës!

    Dhe prapë, Rama, ky  demek “flamurtar dhe garant i vetëm” i integrimit na  mbajti në ankth 10 vite tëtjera për shkak të difekteve dhe deficiteve demokratike, problemeve me Greqinë, etj derisa negociatat e anëtarësimit u çelën në tetor 2024.

    Sa për “rekordin” e çeljes së 6 grupkapitujve brenda 15 muajve, kjo është e vërtetë. Por, që të jemi realistë, siç e kanë konfirmuar Komisioni dhe Këshilli Europian, kjo nuk ishte për meritë të reformave dhe ca më pak të lidershipit tonë politik, por kryesisht për shkak të domosdoshmërisë gjeopolitike. Dihet se 10 vitet e fundit, BE-ja e kishte lënë zgjerimin mënjanë për shkak të lodhjes deri në alergji në vendet e saj dhe të mungesës së rezultateve nga vendet kandidate. Pa dyshim që aktori dhe faktori kryesor që e detyroi BE-në t’i rikthehej Zgjerimit dhe ridimensionimit të tij ishte agresioni rus kundër Ukrainës dhe rreziqet e tij për rajonin. Këtë të vërtetë e ka pohuar me ironi edhe vetë Rama kur në disa raste  ka “përgëzuar” Putinin se falë agresionit të tij, BE-ja “u zgjua” dhe e përshpejtoi këtë proces.

    Nga ana tjetër, anëtarësimi në BE nuk është thjesht hapje dhe mbyllje kapitujsh. Ajo është ana teknike që i takon kryesisht Komisionit Europian.  Ndërsa ana politike lidhet me zbatimin e reformave, sidomos me shtetin e të drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pikërisht këtu vazhdon të çalojë politika jone nën drejtimin e PS-së dhe Ramës. Ajo është problemi dhe pengesa jonë kryesore për objektivin madhor “Shqipëria në BE 2030”. Mirëpo, pa përparim në këto fusha, as që mund të mendohet ky anëtarësim, sikur edhe 100 vjet të jetë Rama Kryeministër. Këtë e bëri të qartë në Samitin e Procesit të Berlinit edhe Kancelari gjerman Merz, kur theksoi se suksesi do të vijë nga brenda jush, nga reformat dhe meritat në zbatimin e tyre. Gjeopolitika natyrisht ndihmon dhe lehëson punën, por përcaktuese mbeten reformat, dialogu me opozitën dhe grupet sociale, ku  qeveria dhe vetë Rama janë kundrapedal, duke ngritur blloqe të reja penguese.

    Nga ana tjetër, vendimi më i fundit i Këshillit të BE-së, krahas bonusve dhe stimujve materialë dhe financiarë  kur reformat përparojnë bën fjalë kryesisht për anëtarësim gjysmak, ekonomik, me kushte dhe “bishta”, pa veto dhe votë, pa komisionerë, prame “figurë por pa zë”, me klauzola mbrojtëse deri në 15 vite. Këto janë fakte te reja që e përgënjeshtrojnë  Ramën si lider i pashmangshëm për në BE.

    Ca më keq akoma, këto muajt e fundit pas shpërthimit të protestave paqësore popullore që po kthehen në revoltë kundër rregjimit të tij vërtet  antipopullor, jo vetëm kancelaritë, por gjithë bota po sheh fytyrën e vërtetë të Ramës, që edhe për anëtarësimin në BE po kthehet në pjesë mëkatare dhe jo në  zgjidhje reale të problemit. Protestat tona qytetare model dhe unikale edhe në Europë ia kanë çjerrë maskën, ia kanë shembur fasadën dhe ia kanë hequr zmalton kallajit të butaforisë së tij propagandistike. Çdo ditë që kalon po shihet qartë se populli jo vetëm nuk e do më, por ai e urren atë  për vdekje. As mandati i tij i katërt vjel(l)ur në Maj 2021 me plot truke dhe hile të njohura botërisht nuk mund të shërbejë më si tapi dhe gjethe fiku për arrogancën e pushtetit, mungesën totale të përgjegjësisë dhe mosqeverisjes. Ca më keq akoma se Rama nuk i ve fare fre gjuhës së drunjtë politike, siç bëjnë kolegët e tij europianë. Ndryshe nga kryeministrat e tjerë që e matin çdo fjalë që të mos kalojnë “sinoret” Rama çirret dhe sillet më keq se një monark absolut, që i pyesnin këshilltarët.

    Ndërsa Rama “vetë Zot dhe vetë Shkop”! Ndaj pengesë për ne për në BE nuk janë protestat dhe protestuesit, por Rama me qeverinë, me të 77 ministrat e tij në detyrë dhe të shkarkuar, me qindra drejtorë, me afera dhe skandale ulëritëse që janë nën hetim dhe të tjera që priten të fillojnë. Ndërkohë, tani që  edhe strategjia e re e Zgjerimit u miratua, përparimi drejt anëtarësimit nuk do të bëhet aforfe dhe ca më pak se Kryeministër është ende Edi Rama, por vetëm duke zbatuar “një për një” kriteret e njohura të Kopenhagenit të vitit 1993, detyrat e reja dhe të shumta të shtëpisë që na ka lënë Brukseli; me theks të veçantë te sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, krimit dhe korrupsionit. Pikërisht këtu po na “has sharra në gozhdë” mbasi sidomos Kapitujt 23/24 që për Brukselin janë “thelbi” demokratik, për Tiranën janë pika më e dobët ose “Thembra e Akilit”! Se aty janë problemet/pengesat më të mëdha, të cilat në vend që të zbuteshin dhe pakësoheshin janë shtuar e janë bërë më të mprehta me dosjet e njohura ulëritëse për BE-në. Dhe aty, ashtu siç e theksoi në vizitën e saj në Tiranë më 30 Shtator, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kancelari Merz ne Budva më 22 Tetor BEja nuk të fal, sado gjatë të qëndrojë Rama Kryeministër! Përfundimisht, në këtë fushë Rama do të mbahet mend si  shakaxhiu i integrimit; kur në takime dhe samite të ndryshme zbaviste të pranishmit me batuta, gallata, me martesa me Brukselin, me krushq dhe dhëndurë që prisnin nusen dhe të tjera shaka bajate dhe broçkulla si këto. Padyshim fundi i tij i turpshëm në humnerën politike si një lider joeuropian do të mbetet edhe menaxhimi mjeran i protestave në muajt e fundit. Aq sa byrosistët e dikurshëm na duken “lule” krahasuar me Ramën, Ballukun&co, se Rama Ramiz Alisë “nuk i vjen as te thoi”. Për pasojë, nga shakaxhi i dikurshëm, tani Rama mund të quhet Edi Drama  i integrimit europian.

    Ndaj,  kur disa, qoftë edhe në Bruksel ende besojnë se Shqipëria do të hyjë në BE me Edi Ramën, shumica, duke filluar nga gjermanët thonë me mirësjellje “Nein, Danke”! (Jo faleminderit) Ja pse, sidomos tani, pas rënies së “vëllait” të tij  në Beograd, një ogur tjetër ters për të, Rama bën mirë të merret me  fatin e vet të zi politik dhe jo me BE-në. A e patë se si liderët e saj nxituan të përgëzojnë Lëvizjen Studentore, fituesen historike të zgjedhjeve në Beograd, duke e harruar Vuçiçin e tyre  dhe shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e bashkëpunimit me ta. Doemos, se Vuçiç sot dhe Rama nesër i takojnë të kaluarës anti-europiane dështake dhe kriminale. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Oborri i shkollës “Kirili dhe Metodij” në Tetovë, vatër e narkomanëve; institucionet japin deklarata kundërthënëse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë