Ministria e Arsimit dhe Shkencës informoi se është në rrjedhë dorëzimi i teksteve shkollore dhe materialeve mësimore të miratuara dhe të botuara të cilat do të përdoren në shkollat fillore dhe të mesme në vitin shkollor 2024-2025. Konform dinamikës së përcaktuar, dorëzimi duhet të përmbyllet para ditës së parë të shkollës – 2 shtator, ndërsa për realizimin e planit është i nevojshëm bashkëpunimi dhe azhurnimi i të gjithë drejtorëve të shkollave, thonë nga MASh.
Në këtë drejtim ishte edhe mesazhi të cilin ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska sot ia referoi udhëheqësive të shkollave.
“Përgjegjësia juaj është që t’i pranoni tekstet shkollore në afatin të cilin me kohë i’u është treguar nga distributori. Jam e sigurt se secili prej jush ka kuadër të mjaftueshëm në dispozicion dhe mund ta kryeni me sukses angazhimin. Pres që të gjithë të jemi në krye të detyrës, me qëllim që të përgatitemi mirë për të pritur fillimin e vitit të ri shkollor”, thotë ministrja Janevska në mesazhin e saj për drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme.
Ministrja gjithashtu shtoi se distributorët nuk e kanë për obiligim të vijnë për herë të dytë apo të tretë në shkollë për dorëzimin e teksteve shkollore dhe për këtë arsye çdo justifikim i drejtorëve për shtyerjen e pranimit është i papranueshëm.
Ministrja tha se tani theksi do të vihet te tekstet shkollore të gjuhëve të huaja prej klasës së parë deri në të nëntën për të cilat procesi i miratimit ka filluar, mirëpo më tej është anuluar nga udhëheqësia paraprake e MASH-it dhe në rrjedhë është procedura e ankimimit, pas përfundimit të së cilës sërish do të publikohet shpallje publike në përputhje me rregulloret ligjore.