Gazetare
Blerona Jakupi Zylbeari
Terreni ka nxjerrë disa ndryshime të projektit / Sejdiu: jemi të fokusuar që të realizohet sa më shpejtë dhe sa më mirë!
Ditë më parë disa banorë të fshatit Zhelinë shprehën pakënaqësitë e tyre në lidhje me ndërtimin e bulevardit në këtë fshat. Të njëjtit akuzuan se bulevardi nuk po realizohej ashtu siç ishte projektuar, duke vënë theksin tek rrjeti i kanalizimit, që siç thanë, po ndërtohet vetëm në një anë të rrugës, dhe jo në të dyja anët siç e parasheh projekti.
Në një prononcim për Nistorin, kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, sqaroi se projekti ka nxjerrë disa ndryshime të imponuara për shkak të terrenit, por shtoi që janë të fokusuar që bulevardi të realizohet sa më shpejtë dhe sa më mirë.
“Kemi qenë të detyruar diçka të ndryshojmë, p.sh dikundi jemi detyruar të përshtatemi me terrenin, por edhe ky sugjerim i ndryshimit të projektit ka qenë me sugjerimet e projektantëve, inxhinierëve të komunikacionit dhe të mbikqyrësit që është duke e ndjekur këtë projekt. Pjesa e parë ka pak më shumë vështirësi për shkak të pozicionit që ka, kurse pjesa e dytë do të jetë pak më e lehtë për shkak të pozitës më të rrafshët dhe për realizuesin ajo paraqet realizim më të lehtë. Nuk është e vërtetë që nuk ka mbikqyrës sepse nuk mund të hapësh një projekt kaq të rëndësishëm pa mbikqyrje dhe pa i plotësuar të gjitha kushtet e prokurimit publik dhe kushtet që i kërkon ligji” – deklaroi Sejdiu, duke iu përgjigjigjur banorëve që kishin dyshime në lidhje me mbikqyrësit.
Sa i përket mungesës së pllakës informuese e cila duhet t’i njoftojë qytetarët se si do të duket investimi final dhe e cila është obligative me ligj, Sejdiu e cilëson lëshim teknik.
“Pllaka informuese ka qenë lëshim teknik i kompanisë, duhet të vendoset dhe ne e kemi porositur dhe do të vendoset sa më shpejtë të jetë e mundur” – u shpreh Sejdiu.
Ndryshe, ky bulevard ka një gjatësi prej 500 metrash, kërkesa për ndërtimin e tij dhe premtimet për realizim kanë qenë të vazhdueshme për vite me radhë. /Nistori/