Dibër, plane për të parandaluar erozionet!

    Pushteti vendor në Dibër së bashku me institucionet kompetente që merren me parandalimin e rreziqeve nga vërshimet, ortekët dhe erozionet dhe fatkeqësive natyrore në rajonin e Dibrës, në një takim të përbashkët biseduan dhe përcaktuan lokalitetet ku mund të paraqiten probleme gjatë vjeshtës dhe dimrit, me qëllim për parandalimin e problemeve duke marrë masa parandaluese.

    Në këtë takim u prezantuan Programet e të gjithë institucioneve që veprojnë në nivel lokal dhe u bë një koordinim i tyre, për një aktivitet më efektiv në terren. Duke marr parasysh se Dibra dhe rajoni kanë probleme sidomos me ortekët dhe erozionet u prezantuan edhe masa konkrete.

    Përfaqësuesi i Drejtorisë së Qendrës për shpëtim dhe Kriza në Dibër Arian Oboku, për gazetën Koha, tha se takimi ka qenë shumë efektiv, dhe ka dhënë rezultate. Ai shtoi se në takimin me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse kanë debatuar dhe koordinuar masat parandaluese kundër përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore.

    “Në takim morën pjesë përfaqësues të Komunës Dibër, Ndërmarrjes Publike Komunale ‘Standardi’, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stacionit Policor Dibër, Njësisë Zjarrfikëse Dibër dhe Kryqit të Kuq. Qëllimi kryesor i takimit ishte përgatitja dhe koordinimi i veprimeve për të parandaluar rreziqet që vijnë nga përmbytjet, ngricat dhe rrëshqitjet e dheut gjatë stinës së dimrit. Komuna Dibër theksoi nevojën për monitorim të vazhdueshëm, inspektime të rregullta, dhe masa konkrete për të siguruar mbrojtjen e banorëve dhe infrastrukturës së zonës”, tha Oboku.

    Sipas tij, është bërë identifikimi i zonave më të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, veçanërisht lagjja Varosh dhe fshati Kosovrast i Epërm. Oboku thotë se një debat ka patur edhe për gropën me diametër të madh në aksion rrugor Dibër – Mavrovë, për çka është dërguar kërkesë deri tek institucionet qendrore, për masat që ndërmerren për problemin në fjalë. Në takim është vendos të bëhet monitorimi i këtyre zonave dhe angazhimi për përmirësimin e infrastrukturës. Gjithashtu, u diskutuan masat për pastrimin e rrugëve dhe kanalizimeve, si dhe përgatitja e forcave emergjente për t’u përballur me situatat e papritura. Në konkluzat të këtij takimi thuhet se të gjithë përfaqësuesit të institucioneve kompetente kanë theksuar nevojën për një veprim të përbashkët dhe të koordinuar me qëllim për të siguruar një siguri për të gjithë banorët.

    Kur jemi tek ortekët, respektivisht rrëshqitjet e dheut, problemet kryesore janë në akset rrugore që lidhin Dibrën me Mavrovën dhe Strugë, por edhe me komunën rurale Qendër Zhupë. Rrëshqitjet e dheut por edhe gurëve, në të kaluarën kanë shkaktuar dëme materiale por ka patur edhe viktimë në aksin rrugor Dibër – Mavrovë.

    Një problem akut gjatë dimrit është edhe lokaliteti në Rekë të Poshtme, në të cilën kur ka borë ka edhe ortekë të mëdhenj të borës. Poashtu rajoni më perëndimor i vendit ka shumë problem edhe me erozionet. Ata sidomos janë prezent në disa fshatra të Dibër, siç janë Mogorçja, Kosovrasti i Epërm dhe Kosovrasti i Poshtëm. Një rrezik i madh për banorët të kësaj ane është edhe gropa e madhe me perimetër mbi 10 metro në afërsi të Urës së Melniçanit e cila assesi të sanohet dhe paraqet një rrezik potencial për pjesëmarrësit në komunikacion në rrugën Dibër-Rekë-Mavrovë.

    Lajmi Paraprak

    Borxhet në Gjykatë sërish vjetrohen për 10 vite

    Lajmi i rradhës

    Kur nuk keni sodë buke – Me çfarë mund ta zëvendësoni

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë