LSDM: çfarë i mbetet Mickoskit? Identiteti është i ruajtur

    LSDM-ja opozitare e akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se po përballet me mesazhe të drejtpërdrejta nga Brukseli për ndryshimet kushtetuese, ndërsa sipas partisë, qëndrimet e tij të mëparshme për Marrëveshjen e Prespës dhe integrimin evropian tashmë po përplasen me realitetin politik. Në një komunikatë të publikuar këtë mëngjes, LSDM-ja i referohet takimit të Mickoskit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke thënë se kryeministri e ka cilësuar takimin si të rëndësishëm, por nuk është pajtuar me mesazhet për ndryshimet kushtetuese. “E quan takimin kyç. Mesazhet për ndryshimet kushtetuese nuk i pëlqejnë. Von der Leyen tha qartë: në tavolinë qëndron ndryshimi i Kushtetutës. Dhe theksoi: Evropa ju pret me identitetin tuaj dhe me gjuhën tuaj”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

    Sipas partisë opozitare, kjo është e njëjta tezë që, siç thonë, Mickoski më herët e kishte paraqitur si “tradhti”. “Kjo është e njëjta fjali që Mickoski e shiste si tradhti. Kurrë Maqedonia e Veriut. Shfuqizimi i Marrëveshjes së Prespës. Rikthimi i emrit. Pastaj Marrëveshja e Prespës u bë kryevepër”, deklaron LSDM-ja.

    Partia i referohet edhe qëndrimit të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, e cila, sipas LSDM-së, ka deklaruar se gjuha, kultura dhe identiteti maqedonas janë të mbrojtura përmes Marrëveshjes së Prespës. “Tani këtë, në fytyrë, ia thotë edhe presidentja e Komisionit Evropian. Ndërsa ai është i pakënaqur”, thuhet në komunikatë. LSDM-ja pretendon se pakënaqësia e kryeministrit nuk lidhet me mbrojtjen e identitetit, por me humbjen e argumenteve politike që, sipas saj, i ka përdorur në të kaluarën. “I pakënaqur është sepse ia morën gënjeshtrën. Jo sepse dikush po e prek identitetin maqedonas. Sepse hapi mbetet i njëjtë: themelet, reformat, prokuroria. Laura Kövesi para anëtarësimit. Mickoski nuk e dëshiron këtë”, thuhet në reagim.

    Opozita kritikon edhe formulën “bisedojmë, nuk negociojmë”, duke e lidhur atë me mungesën e përparimit në procesin evropian. “Prandaj ‘bisedojmë, nuk negociojmë’. Prandaj fajin përsëri e drejton te të mëparshmit. Dy vjet e gjysmë premtonte kushte më të mira. Askund nuk janë. Nuk ka garanci. Nuk ka kornizë të re. LSDM-ja e thoshte këtë para zgjedhjeve. Tani këtë ia tha edhe Von der Leyen në fytyrë”, akuzon partia.

    Në pjesën tjetër të komunikatës, LSDM-ja përdor një gjuhë edhe më të ashpër ndaj kryeministrit, duke e akuzuar se nuk ka më arsye të pretendojë se po mbron interesin kombëtar. “Nuk ka më gënjeshtra se ai po ruan diçka, sepse qeveria e mëparshme tashmë e ruajti. I vetmi që e rrezikon interesin kombëtar është pikërisht ai – hajduti Mickoski”, thuhet në deklaratë. LSDM-ja e lidh interesin kombëtar me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe pretendon se Mickoski po e vendos interesin personal mbi atë të qytetarëve. “Sepse interes kombëtar i Maqedonisë është anëtarësimi në BE. Nuk ka më tradhtarë. Sepse ai është i vetmi tradhtar i interesit të qytetarëve, për shkak të interesit personal”, deklaron LSDM-ja. Në fund, opozita ngre edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke pyetur se cili do të jetë hapi i ardhshëm i kryeministrit. Partia përfundon duke deklaruar se, sipas saj, “e vërteta ka ardhur” dhe se qytetarët do të vendosin sërish për pushtetin. “E vërteta erdhi. Drejtësia së shpejti. Pushteti përsëri do të jetë në duart e qytetarëve. Hajduti është i pakënaqur me të vërtetën. Populli është i pakënaqur me bandën”, përfundon reagimi i LSDM-së. Koha

    Lajmi Paraprak

    Nuk e dëgjuan shpesh fjalën “të dua”, këto zakone i ndjekin edhe kur rriten

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë