A ka ende shpresë që Tetova ta fitojë terrenin e ri sportiv nga FFM? Kasami shprehet i paqartë (Video)

    Gazetar
    Emir Hamzi

    Tetova rrezikon të humbasë donacionin nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, gjegjësisht një terren të ri sportiv në Qendrën sportive të qytetit, e gjithë kjo për shkak të siç thotë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, marrëveshjes së papërshtatshme nga FFM-ja. Kasami thotë se marrëveshja parasheh që terrenin e ri sportiv që planifikohet të ndërtohet, FFM-ja do të ketë të drejtë ta shfrytëzojë pa afat kohor.

    Ditë më parë kur e pyetëm Kasamin për këtë çështje, ai tha se nuk do të lejojë që me nënshkrimin e tij të pranohet kontratë e tillë dhe të ndërtohet terreni i ri sportiv, i cili duhet të jetë me bar artificial. Më pas ai thotë se komuna ka ofruar hapësirë alternativë për ndërtimin e terrenit sportiv në fshatin Poroj, gjë që e bënë të paqartë nëse problemi është te kontrata ose te hapësira që e kërkon FFM-ja.

    “Nuk është e vërtetë që nuk pranojmë, por kushtet që ata i kërkojnë nuk janë kushte me të cilat ne do të ishim pajtuar. Ne kërkuam që të ndryshojë kontrata, ata nuk u pajtuan dhe ka mbetur aty. Kushtet që atë lokacion ne t’ia japim Federatës. Tetova ka mungesë të hapësirave për sport dhe me kushtet e kontratës, ajo hapësirë i kalon Federatës së Maqedonisë. Ne nuk mund të lejojmë me nënshkrimin tim të shkojë një kontratë e tillë, që nesër kujt t’i kujtohet ta marrë atë hapësirë dhe t’ia jap ndonjë klubi dhe fëmijët e Tetovës të mbesin pa hapësira sportive. Kjo praktikisht nënkupton që kur të kërkojë dikush nga Federata ne duhet t’ua japim në shërbim, ndërsa e dini se ai terren shfrytëzohet 12 orë në ditë, në shtatë ditë të javës. Ne kemi ofruar hapësirë alternative që ndodhet në atarin e fshatit Poroj, është terren me bar natyral, nëse Federata është e interesuar ne mund t’ua japim atë ta rregullojnë”, tha ditë më parë Kasami kur u pyet nga Nistori në lidhje me këtë çështje.

    Por, cila është e vërteta e kësaj historie? Çka nëse komuna nuk pranon marrëveshje? Për çfarë projekti bëhet fjalë dhe çka nëse tetovarët e humbasin këtë hapësirë? Për të gjitha këto kemi diskutuar me kryetarin e Lidhjes Futbollistike Komunale të Tetovës, Mujdin Ismaili.

    A mund të na tregoni për çfarë projekti bëhet fjalë, i cili është i dedikuar nga FFM-ja për Tetovën?

    Ismaili: bëhet fjalë për projektin “hat-trick” i UEAF-s me bar artificial, për të cilin gati një vit e gjysmë luftuam dhe e fituam nga ana e Federatës. Pas njoftimit nga ana e Federatës se në Tetovë do të ndërtohet terren sportiv me bar artificial, u drejtuam në sektorit për sport në Komunën e Tetovës, të cilët na treguan për vendin, projektin, parcelën se ku duhet të vendoset. Ne u pajtuam dhe komunikuam me Federatën dhe komunën, dërguam e-maile, e pamë të arsyeshme se në këtë vend ka nevojë për një terren të tillë. Shihet se ky vend është i stërngarkuar dhe i amortizuar. Dhe filluan kontaktet Federatë – komunë, ku nga ana e komunës u caktua person për ecjen e punëve. Dokumentet u kthyen nga Federata në komunë, kështu që afatet kalonin dhe këtu nuk punohej. Afatet u shtyhen sërish dhe akoma nuk punohet këtu.

    Për çfarë arsye mendoni se Komuna e Tetovës nuk pranon të ndërtohet terreni sportiv i ri në këtë hapësirë. Cilat janë ato kushte që ua kërkon?

    Ismaili: për këtë nuk kam njohuri, pasi në fillim janë gjitha marrëveshjet të kontraktuara. Komuna e Tetovës është dashur ta përgatit terrenin, ndërsa Federata ta vendos barin artificial.

    I pari i Tetovës tha se Komuna ka ofruar një hapësirë të re alternative në Poroj. Sa do të kishit ju interesim që ai terren sportiv të ndërtohet diku tjetër, e jo këtu?

    Ismaili: ne jemi të interesuar të ndërtohet kudo, që të mos humbim një terren. Do të ishte mirë të ndërtohej këtu. Për fshatin Poroj nuk kam njohuri që ka një kërkesë të tillë. Ndoshta kryetari mund ta ndërtojë vet. Për atë nuk kemi njohuri, që të zhvendoset ky terren sportiv.

    Ka gjasa që ta shpëtojmë këtë terren të ri sportiv, apo do t’i jepet ndonjë qyteti tjetër?

    Ismaili: po, mund ta humbasim sikur disa projekte tjera, si ai për stadiumin e ri, e për karriget, që i anashkalonim me kohëzgjatje. Ne vazhdimisht kemi kërkuar, kemi fituar projekte nga Federata. Si Lidhje Komunale gjithmonë kërkojmë projekte të reja, pasi Tetova ka mungesë të madhe të terreneve. Federata kur intervenon nëpër terrene, i shfrytëzon kur ka interes për ndonjë lojë, por nuk i merr nën menaxhim, pra ato i ngelin komunës nën menaxhim.

    Kemi shpresë akoma për ta fituar këtë terren sportiv?

    Ismaili: shumë pak. Afatet kanë kaluar sa kam njohuri dhe ky terren pothuajse 90 përqind është i humbur.

    Kasami edhe më tej i paqartë, i cili në fund të deklaratës theksoi se tashmë ka marrëveshje me kompaninë Ecolog për ndërtimin e dy terreneve sportive, njëri me bar natyral e tjetri me artificial, por kur u pyet nga Nistori pse të mos ndërtohet edhe një nga FFM-ja, Kasami kësaj radhe u arsyetua me mungesën e hapësirës.

    Pyesim Komunën e Tetovës dhe FFM-në nëse do të kenë kapacitet që të tejkalojnë problemet politike, përndryshe do ta pësojnë qytetarët e këtij vendi. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kallëzim penal kundër Stevço Jakimovskit, ka legalizuar në mënyrë të paligjshëm fushë tenisi

    Lajmi i rradhës

    Si të shfrytëzoni çdo hapësirë të dollapit tuaj të rrobave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë